a) Autori:
Ai është ebu Abdullah Muhamed ibn Ismail ibn Ibrahim ibnul Mugira el-Buhari el-Xhu’fi. Imam Buhariu lindi në Sheval të vitit 194 H. në Buhara, ndërsa ndërroi jetë në natën e Kurban Bajramit të vitit 256 H.
b) Emri i librit (Sahihut):
Edhe pse te njerëzit ky libër është i njohur si Sahihu i Buhariut apo si el-Xhami’u es-Sahih, realiteti është se këtë emër apo më mirë thënë, këtë cilësi e ka fituar libri pas vdekjes së autorit. Dijetarët kanë dy mendime në aspekt të emrit të këtij libri, kjo varësisht prej argumentit në të cilin ata mbështeten në emërtimin e librit:
1- El-Xhami’ el-musned es-sahih el-mukhtesar min umuri Resulilahi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) ue sunenihi ue ejjamihi.
(الجامع المسند الصَّحيح المختصر من أمور رسول الله – صلَّى الله عليْه وسلَّم – وسُنَنه وأيَّامه)
2- El-Xhami’ es-sahih el-musned min hadithi Resulilahi (sala Allahu alejhu ue sel-lem) ue sunenihi ue ejjamihi.
(الجامع الصَّحيح المسند من حديث رسولِ الله – صلَّى الله عليْه وسلَّم – وسُنَنه وأيَّامه)
c) Shkaku i shkrimit të këtij libri:
Ibn Haxheri ka përmendur tre shkaqe që e kanë shtyer autorin ta shkruaj këtë vepër madhështore dhe nuk ka ndonjë pengesë që të tri shkaqet të jenë bashkuar dhe pastaj autori të kishte filluar në shkrimin e librit.
1- Veçimi i haditheve prej thënieve të tjerëve. Thotë Neveviu: “Vepra e parë me hadithe të vërteta është Sahihu i Buhariut.”
2- Imam Buhariu dëgjoi shejhun e tij, Imam Is’hak ibn Rahuje duke thënë: “Sikur të kishit përmbledhur një libër të shkurtë rreth Sunnetit autentik të Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem)!” Thotë Buhariu: “Kjo më zuri vend në zemër, andaj fillova me përmbledhjen e el-Xhami’u es-Sahih.”
3- Thotë Buhariu: “E pash Pejgamberin (sala Allahu alejhi ue sel-lem) në ëndër. Sikur qëndroja përpara tij dhe në dorën time kisha një erashkë me të cilën i largoja mizat nga ai. Pastaj pyeta një prej komentatorëve të ëndrave dhe më tha se unë do ta mbrojë atë nga gënjeshtrat dhe kjo është ajo që më ka shtyer ta nxjerr el-Xhami’u es-Sahih.
ç) Kohëzgjatja e punës në këtë libër:
Thotë Buhariu: “E kam përmbledhur el-Xhami’u se-Sahih për 16 vjet.”[1]
d) Angazhimi i autorit në aspekt të nxjerrjes së haditheve të librit:
Buhariu, Allahu mëshiroftë, nuk ka kursyer nga koha, pasuria, rinia apo diçka tjetër të vlefshme kur është puna për të qenurit në shërbim të Sunnetit të Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem), andaj nëse vlen të sakrifikohet për diçka, në aspekt të shërbimit të Sunnetit, atëherë le të sakrifikohet për punime dhe vepra si ky libër. Thotë Buhariu: “Nuk kam nxjerrur në të hadith, përpos pasi që bëja Istikhara dhe i falja dy rekate dhe pasiqë vërtetohesha me bindje në autenticitetin e hadithit.”[2]
dh) Kushti i librit:
Thotë Muhamed ibn Tahir el-Makdisi: “Dije se as Buhariu, por as të tjerët, nuk është transmetuar prej tyre të kishin thënë: Kam kushtëzuar që në librin tim të nxjerr hadithe me këto kushte. Por, kjo kuptohet nga vëzhgimi i librave të tyre, rrjedhimisht kuptohet kushti i secilit prej tyre.”
Pas kësaj ai ka përmendur katër kushte të cilat janë të përbashkëta për Buhariun dhe Muslimin:
1- Që të nxjerr hadithe, transmetuesit e së cilëve janë të besueshëm, deri te sahabiu.
2- Që të mos ketë mospajtim mes transmetuesve të besueshëm dhe të përpiktë.
3- Të jetë zinxhiri i transmetimit i lidhur, jo i shkëputur.
4- Nëse prej sahabiut ka dy apo më shumë transmetues, mirë, nëse jo atëherë mjafton vetëm një.[3]
Poashtu prej kushteve të Buhariut në librin e tij është që transmetuesi të kishte jetuar në periudhën e atij prej së cilit ka transmetuar dhe takimi mes tyre të jetë transmetuar në mënyrë autentike.
e) Numri i haditheve:
Thotë autori i librit El-Idah fi ulum el-hadithi uel Istilah: “Numri i haditheve të Sahihut të Buhariut është 7124 hadithe, përfshirë edhe hadithet që përsëriten, ndërsa hadithe pa përsëritje janë 2337 hadithe dhe ky është numri më i arsyeshëm që është cekur në këtë çështje.”[4]
g) Pozita akademiko-shkencore e Sahihut
Thotë Imam Neveviu: “Dijetarët janë të pajtimit se librat më të saktë pas Kur’anit janë dy Sahihat, i Buhariut dhe i Muslimit, andaj edhe Ummeti i ka pranuar si të tillë. Ndërsa Sahihu i Buhariut është më i sakti prej këtyre dy librave, më i dobishëm, ka më shumë dituri, të dukshme dhe të fshehur, madje është vërtetuar se Muslimi ka përfituar prej Buhariut dhe se ai (Buhariu) nuk ka të ngjashëm me të në aspekt të diturisë në shkencat e hadithit…”[5]
Thotë Imam en-Nesai: “Prej të gjithë këtyre librave, nuk ka më kualitativ se libri i Buhariut.”
gj) Komentimet më të njohura të këtij libri:
1- Ealam el-hadith i ebu Sulejman Hamed ibn Muhamed el-Hattabi (388 H.)
2- Komentimi i ibn Battal-it, ebu el-Hasen, Ali ibn Halef (444 H.)
3- Et-tenkih li elfadh el-Xhamii’ es-Sahih, i Bedruddin ez-Zerkeshi (794 H.)
4- Fet’hul Bari bi sherh Sahih el-Buhariu, i Ahmed ibn Ali ibn Muhamed ibn Haxher el-Askalani (852 H.)
5- U’mdet el-Kari, i Bedruddin, ebu Muhammed Mahmud ibn Ahmed el-A’jni (855 H.)
Përshtati dhe përgatiti: Ali Ashani
[1] Hedju es-Sari fq. 489
[2] Hedju es-Sari fq.7
[3] Shurut el-Eimeh es-siteh fq.85
[4] Fq. 61
[5] Komentimi i Neveviut të Sahihut të Muslimit (1/14)