A duhet gruaja të thirr ezan dhe ikamet?

by Besar I
A duhet gruaja të thirr ezan dhe ikamet?

Dijetarët kanë pasur mendime të ndryshme lidhur me ezanin dhe ikametin e gruas kur ajo falet së bashku me gra të tjera.

Mendimi i parë: Është thënë se gratë nuk e kanë obligim as ezanin dhe as ikametin. Kjo mbështetet në atë që ka transmetuar Bejhekiu nga Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy), se ai ka thënë: “Gratë s’kanë ezan dhe as ikamet.”

Kjo për shkak se ezani, në parim, shërben për të njoftuar hyrjen e kohës së namazit, ndërsa kjo nuk është e përcaktuar për gruan. Po ashtu, në ezan rekomandohet ngritja e zërit, gjë që nuk është e përcaktuar për të. Dhe ai për të cilin nuk është përcaktuar ezani, nuk i përcaktohet as ikameti, siç është rasti kur dikush vonohet në namaz dhe arrin vetëm një pjesë të namazit me xhemat.

Mendimi i dytë: Imam Shafiu dhe Is’haku kanë thënë: “Nëse gratë e thërrasin ezanin dhe e bëjnë ikametin, nuk ka të keqe.”

Gjithashtu, transmetohet nga imam Ahmedi se ka thënë: “Nëse e thërrasin, nuk ka të keqe; e nëse nuk e thërrasin, lejohet edhe kjo.”

Kjo mbështetet në transmetimin se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) e thërriste ezanin, e bënte ikametin dhe u printe grave në namaz, duke qëndruar në mes të tyre. Këtë transmetim e ka shënuar Bejhekiu.

Duke u bazuar në atë që u përmend, nuk ka të keqe që gruaja ta thërrasë ezanin dhe ikametin, qoftë kur falet me gra të tjera, qoftë kur falet e vetme. Megjithatë, është më mirë që këtë ta bëjë në heshtje.

Sa i përket rastit kur gruaja falet me bashkëshortin e saj, atëherë burri është ai që e bën ikametin, sepse kjo është pjesë e rolit të tij dhe jo e rolit të saj.

Pra, si rrumbullakim mund të themi se për femrën s’ka as ezan dhe as ikamet dhe është sunet që gruaja të falet pa ezan dhe pa ikamet, dhe nëse e thërret ezanin dhe ikametin, ka bërë diçka që nuk është urdhëruar, por namazin e ka në rregull.

Përmblodhi: Enis Arifi

Të tjera