A e ka fshehur Ebu Hurejra diturinë?

by Uniteti-Admin

Pyetja: Është transmetuar në Sahihun e Buhariut nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se ka thënë: “Kam mësuar dhe kam mbajtur mend nga i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dy lloje diturish. Sa për të parën, unë e kam përcjellur atë, kurse për tjetrën, sikur t’a shpërndaja, atëherë do të më pritej fyti (koka)!”[1] Shpresoj nga ju komentimin e këtij hadithi!

Përgjigja: Ky hadith është hadith i madhë, e ka komentuar më gjërësisht Ibn Haxheri në Fet’h el-Bari, poashtu e kanë përmendur ata dijetarë të cilët kanë shkruajtur rreth fitneve[2]. Qëllimi i Ebu Hurejres (radijAllahu anhu) në thënien e tij: “… dy lloje diturish…”, sa i përket llojit të parë të diturisë, ajo që e ka treguar, është qëllimi për dispozitat e Sheriatit dhe këto janë ata hadithe që i lexojmë ne, kurse lloji i dytë i diturisë, të cilën nuk e ka treguar, ka të bëj  me trazirat, protagonistët e këtyre trazirave dhe kohën e këtyre ndodhive, sepse ai kishte përfituar prej të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) shumë dituri, mirëpo nuk i ka treguar të gjitha gjërat prej frikës nga ndonjë trazirë apo përçarje[3] dhe nga frika mos t’i ndodhte atij diçka, edhe atë për shkak të një dobie të paramenduar, kurse dëmi të sigurtë[4], duke e ditur se asgjë prej gjërave të cilat nuk i ka treguar nuk kanë të bëjnë me dispozita të Sheriatit.

Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) kishte dituri me të cilën e kishte veçuar Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), dituri kjo që kishte të bëj me fitnet dhe personalitetet e këtyre fitneve.

Transmeton Muhammed ibn Rashid, nga Mekhul, i cili thotë: “Ebu Hurejra thoshte: “Ndoshta Ebu Hurejra ka një qese të cilën nuk e ka hapur”, d.t.th qese me dituri.”

Dituria të cilën nuk e ka treguar Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) nuk ka të bëj me dispozitat fetare, thotë Dhehebiu në Sijer ea’lam en-nubela: “Kjo është argument se lejohet fshehja e disa haditheve të cilat ngjallin trazira, qofshin këto hadithe në parime, në gjërat dytësore, në lëvdatë apo në nënçmim (të dikujt), kurse hadithet që kanë të bëjnë me hallallin apo haramin, asesi nuk lejohet të fshehen, sepse ky hadith është prej argumenteve dhe fakteve (të Allahut për njerëzit), ka transmetuar Buhariu në Sahihun e tij, thënien e Imam Aliut (radijAllahu anhu): “Flitni me njerëzit ashtu siç ju kuptojnë dhe lëreni gjërat që nuk i kuptojnë, a dëshironi që të përgënjeshtrohet Allahu dhe i Dërguari i Tij?!”[5] Andaj po t’a kishtë treguar Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) këtë dituri, do të ishte persekutuar, bile ndoshta edhe e kishin vrarë, mirëpo dijetari ndoshta bën ixhtihad dhe e tregon një hadith të caktuar duke dëshiruar t’a ringjall një sunnet, ai do të shpërblehet sipas nijetit të tij, edhe nëse gabon në ixhtihadin e tij.” Fund i thënies së Dhehebiut.

Thotë Ibn Haxheri në Fet’h el-Bari: “Kanë thënë dijetarët se kjo lloj diturie që nuk e ka treguar Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) ka të bëj me hadithet në të cilat përmenden emrat e disa udhëheqësve tiran, periudha kur kanë jetuar ata dhe gjendja e tyre. Ebu Hurejra indirekt tregonte për disa prej tyre, sepse frikohej mos t’i ndodh diçka, thoshte ai: “Allahu më ruajt nga fundi i vitit gjashtëdhjetë”, me këtë tregonte për ardhjen e udhëheqësisë se Jezid ibn Mua’vije, sepse ai u bë udhëheqës në vitin 60 hixhrij, por Allahu iu përgjigj lutjes së Ebu Hurejres i cili vdiq para këtij viti.”

Nuk është problem nëse dijetari fsheh diçka nga ajo që e din, nëse e sheh se dëmi është i qartë dhe më i madh se dobia e të treguarit të kësaj informate, thotë Dhehebiu në Es-Sijer: “Është e vërtetë se Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) ka fshehur shumë gjëra, prej gjëravë për të cilat muslimani nuk ka nevojë në fenë e tij dhe thoshte: “…sikur t’a shpërndaja, atëherë do të më pritej fyti.” Krejt kjo nuk ka të bëj me fshehjen e diturisë qartësimi dhe mësimi i së cilës është obligim.”

Thotë Ibn Tejmije: “Dijetari ndonjëherë urdhëron, ndonjëherë ndalon, ndonjëherë lejon dhe ndonjëherë heshtë dhe nuk i përmend këto dispozita, siç është rasti me diçka që është plotësisht e mirë, apo e mira në të dominon, poashtu kur është rasti i diçkaje që është plotësisht e keqe, apo e keqja në të dominon[6], ndërsa në rast të presences të së mirës dhe të keqes, i jepet përparësi asaj që është më e përfshirë, sipas mundësisë… siç është thënë: Për disa çështje përgjigja është heshtje… Siç ka heshtur ligjdhënësi në fillim ndaj disa urdhëresave apo ndalesave, derisa ka triumfuar dhe ngadhnjyer Islami. Poashtu edhe dijetari, sa i përket qartësimit dhe tregimit të gjërave, ndodhë që t’a vonoj qartësimin apo shpjegimin e disa dispozitave, për ndonjë shkak, derisa të ketë mundësi t’a qartëson çështjen, siç e ka vonuar Allahu zbritjen e disa ajeteve dhe qartësimin e disa dispozitave deri në kohë kur i Dërguari i Allahut kishte mundësi t’i sqaron të njejtat.” Fund i thënies së Ibn Tejmijes.

Thotë Ibn Kajjimi në Igathet el-Lehfan: “Dispozitat janë dy lloje:

1-      Dispozita të cilat nuk ndryshojnë sipas kohës, vendit apo ixhtihadit të Ummetit, siç janë gjërat obligative, ndalesat apo kodi penal i sheriatit dhe gjëra të ngjashme si këto, të cilat nuk pësojnë ndryshime apo ixhtihade që bien në kundërshtim me këto dispozita…

2-      Dispozita të cilat ndryshojnë sipas dobisë, kohës, vendit dhe gjendjes, siç janë përcaktimi dhe mënyra e disa dënimeve për krime të ndryshme, të cilat ligjdhënësi i përcakton sipas dobisë së shpresuar.” Fund i thënies së Ibn Kajjimit.

AbdulAziz Et-Turejfi

 

Përktheu me disa shkurtesa: Ali Ashani



[1] Sahihu u Buhariut – kapitulli i diturisë hadithi nr.120.

[2] Trazirave. Sh.P.

[3] Që mund t’i shkaktonte ai me tregimin e këtyre gjërave. Sh.P.

[4] D.m.th se dobia mund të ndodhë, por mund edhe mos të ndodhë, kurse dëmi është e sigurtë se do të ndodhë. Sh.P.

[5] Sahihu u Buhariut – kapitulli i diturisë hadithi nr.127.

[6] D.m.th nuk ka nevojë të ndalon nga kjo pasiqë secili e sheh se kjo vepër është e keqe, apo në rastin e parë secili e din se ajo vepër është e mirë. Sh.P.

Të tjera