“Fillimi i Ramazanit është mëshirë, mesi i tij është falje, kurse fundi i tij është lirim nga zjarri“
Ky hadith apo kjo fjalë e cila i përshkruhet të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) se e ka thënë, është shumë hadith i njohur në mesin e njerëzve dhe në mesin e hoxhollarëve, sidomos para dhe gjatë Ramazanit, mirëpo a e është hadith të cilin mund ta marim si bazë apo si nxitje në kryerjen e veprave të mira, kjo është diçka tjetër. Dijetarët e kanë transmetuar nga Selmani dhe Ebu Hurejra (radijAllahu anhuma). Nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Fillimi i Ramazanit është mëshirë, mesi i tij është falje, kurse fundi i tij është lirim nga zjarri”[1]
Thotë Ibn A’dij: “E transmeton Sel-lam ibn Sivar nga Mesleme ibn Salt, i cili nuk njihet.”[2]
Thotë el-U’kejli: “Nuk ka baza ky transmetim në hadithet e Ez-Zuhriut”[3]
Sel-lam ibn Sivar është cilësuar si i dobët prej një numri të dijetarëve, kurse këtë hadith disa herë e ka transmetuar nga Sei’d ibn Musejjib, nga Ebu Hurejra dhe jo nga Ebu Seleme nga Ebu Hurejra, andaj dijetarët kanë thënë: Prej dobësisë së tij është trasnmetimi i tij i këtij hadithi.
Saktësia e hadithit: Hadithi është i dobët, përshkak të asaj që u tha më lartë, qoftë hadithi i Ebu Hurejres të cilin e përmendëm më lartë apo hadithi i Selmanit[4], i cili poashtu e ka të njejtën shkallë të saktësisë[5]
Falënderojmë Allahun i cili na ka nxitur dhe motivuar të bëjmë mirë gjatë dhe jashta Ramazanit me fjalë të cilat janë vërtetuar se i ka thënë Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), andaj nuk ka nevojë t’i nxisim njerëzit me fjalë, të cilat ndoshta tingëllojnë mirë, mirëpo nuk janë fjalët e atij i cili nuk flet nga mendja e tij, Muhammedit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).
Allahu na bëftë prej pasuesve të fesë së Tij dhe prej atyre që e pasojnë të Dërguarin e Tij në çdo çështje të jetës tonë dhe lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon vetëm Allahut!
Përgatiti: Ali Ashani
[1] Ibn Ebi ed-dunja, El-U’kejli në Ed-Du’afa el-kebir (2/162), Ibn A’dij në El-Kamil, Hatib el-Bagdadij dhe Ibn A’sakir, të gjithë e transmetojnë prej Sel-lam ibn Sivar i cili thotë: Më ka treguar Mesleme ibn Salt nga Ez-Zuhri, nga Ebu Seleme, nga Ebu Hurejra dhe e ka përmendur hadithin.
[2] Është pajtuar me këtë Edh-Dhehebi në El-Mizan (2/179).
[3] (2/162).
[4] Thotë Albani për hadhithin e Selmanit: “Munker.” Kjo fjalë (munker) thuhet për një kategori të haditheve të dobëta, e cila kategori në përgjithësi është prej më të ultave në kategorinë e hadithve të dobëta.
[5] Shih: Es-silsile el ehadith ed-daife 1569.