A është shpërblimi i agjërimit sipas vështirësisë?

by Uniteti-Admin

Pyetja:    A është shpërblimi i agjëruesit i lidhur me vështirësinë të cilën ai e përjeton gjatë agjërimit? Sepse disa agjërojnë nëpër disa troje të ftohta dhe nuk ndjejnë aspak etje, kurse të tjerë agjërojnë nëpër vende të nxehta, pa marë parasysh veprat të cilat shoqërohen me agjërimin, qëllimi i pyetjes sime është për shpërblimin e agjërimit në veçanti.

Përgjigja: Falënderimi i takon Allahut. Në qoftë se vështirësia është e domosdoshme në kryerjen e ndonjë ibadeti, derisa nuk mundet që të kryhet ky ibadet përpos me përjetimin e kësaj vështirësie, atëherë sa më e madhe të jetë vështirësia aq më i madh është shpërblimi. Andaj i ka thënë Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) Aishes: “Ti do të shpërblehesh sipas vështirësisë dhe asaj që ke shpenzuar.”[1]

Thotë Neveviu në komentimin e Muslimit: “Fjala e Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të): ‘Ti do të shpërblehesh sipas vështirësisë apo asaj që ke shpenzuar’ është e dukshme dhe e qartë se shpërblimi i ibadetit ritet sipas vështirësisë dhe shpenzimeve. Qëllimi i Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) me fjalën lodhje-vështirësi është vështirësia e cila nuk është e qortuar sheriatikisht, gjithashtu edhe shpenzimi.”

Ky regull: Shpërblimi është sipas vështirësisë, nuk është regull i përhershëm dhe absolut por ka raste që vepra të jetë më e lehtë, mirëpo të jetë më shumë e shpërblyer.

Thotë ez-Zerkeshi: “Vepra sa më shumë të jetë e vështire dhe e rëndë e ka shpërblimin më të madh se veprat të cilat nuk janë ashtu. Thotë Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të): “Ti do të shpërblehesh sipas vështirësisë …” Mirëpo ndodh që vepra më e lehtë të ketë shpërblim më të madh në disa raste:

1-      Shkurtimi i namazit për udhëtarin është më e mirë se plotësimi.

2-      Namazi një herë në xhemat është më mirë se falja në vetmi 25 herë.

3-      Shkurtimi i 2 rekateve të sunetit të sabahut është më mirë se zgjatja e tyre.

4-      Shpërndarja e kurbanit pas ngrënies disa kafshata nga ajo është më e mirë se shpërndarja komplet e mishit.

5-      Leximi i një sureje të shkurtër në namaz është më e mirë se leximi i disa sureve edhe nëse janë të gjata, përshkak se kështu vepronte Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).”[2]

Allahu e din më së miri.

IslamQ&A

Përktheu: Ali Ashani

 


[1] Hakimi dhe Albani e ka cilësuar si të saktë në Sahih et-Tergib ve et-Terhib (1116).

[2] El-Menthur fil-Kavaid (2/415-419).

Të tjera