A je gati që nesër të vdesish?

by Uniteti-Admin

Ne mendojmë detalisht për disa gjëra, zakonisht për disa gjëra të cilat na interesojnë më së shumti, ose për gjëra me të cilat ballafaqohemi më së shpeshti. Kështuqë fanatikët e futbollit e kalojnë shumicën e kohës duke i ndjekur lajmet më të reja nga futbolli dhe se kush për cilën ekip luan, cili lojtarë është shitur dhe me çfarë çmimi dhe kështu me rradhë. Njerëzit që janë të dhënë pas muzikës janë të dhënë pas hiteve më të reja muzikore dhe në atë se çka ka të re nga jeta e yjeve të muzikës. Në shoqërinë në të cilën ne jetojmë shumë pak i kushtohet kujdes një teme me rëndësi vitale, bile është bërë tabu temë dhe njerëzit zakonisht e ndërrojnë diskutimin kur përmendet kjo çështje.

Vdekja është një fakt rreth të cilit janë të pajtuar të gjithë njerëzit, s’mund ta gënjejmë veten tonë dhe as ta mohojmë atë. Është iracionale dhe e pakuptimtë që dikush të mendojë se vdekja nuk është gjë normale dhe gjë e sigurt në të cilën s’ka dyshim.

Vdekja nuk mund të evitohet dhe askush nuk jeton përgjithmonë.

Të gjithë ne e dimë se çka është vdekja dhe ne të gjithë kemi njerëz nga familja jonë që kanë vdekur, na kanë vdekur kolegë dhe shokë të moshave të ndryshme, por parashtrohet pyetja se pse njerëzit i largohen kësaj teme?

Shkaku më i shpeshtë është frika. Frika nga e panjohura dhe frika e lënies së kësaj bote.

Në shoqërinë tonë njerëzit mundohen që t’i ikin realitetit duke e fundosur veten e tyre në gjëra siç janë filmat, muzika, sportet etj.

Të gjithë ne një ditë do të vdesim, zemra një ditë do të ndalet dhe truri s’do të jetë më aktiv dhe trupat tanë një ditë do të kalben. Por ne si musliman e dimë se vdekja nuk është fund i çdo gjëje. All-llahu na ka njoftuar se pas vdekjes ka jetë dhe se do të gjykohemi për çdo vepër që e kemi bërë, qoftë vepër e madhe apo e vogël dhe pas kësaj përfundimi është ose në Xhenet ose ne Xhehenem.

Përkujtimi i vdekjes e forcon vendosmërinë e muslimanit në kapjen e tij për Islamin, thotë Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “I mençur është ai që e ka përgatitur veten e tij dhe ka punuar për atë që është pas vdekjes…”

Pa marrë parasysh se sa mendojnë njerëzit se janë të aftë dhe të panevojshëm, të gjithë ata një ditë do të vdesin dhe do të qëndrojnë para All-llahut. “Thuaj: “Vdekja prej së cilës ju jeni duke ikur me siguri do t’ju kapë dhe më pastaj do të ktheheni tek i Dijshmi që i din të të fshehtat dhe të haptat, dhe më pastaj do t’ju tregoj se çka keni vepruar!”.(Xhumua 8)

Në këtë rast do të jetë tepër vonë që të ndryshosh pasiqë ke vdekur, s’mund që ti të kthehesh pas dhe t’i ndryshosh gjërat. Nuk ka kthim prapa për namazet që ti i ke lënë ose t’i përmirsosh gabimet që i ke bërë.

Përderisa dikujt prej tyre i vjen vdekja,ai thotë:”O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira dhe të kompensoj atë që lëshova”. Kurrsesi Jo, kjo është vetëm një fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një pengesë deri në ditën kur ringjallen. E kur i fryhet Surit, në atë ditë nuk do të ketë lidhje familjare mes tyre dhe as që do të pyes kush për njëri tjetrin! Atyre që u peshojnë (veprat e mira) ata janë të shpëtuarit. Dhe atyre që u peshojnë pak (veprat e mira), ata janë që e humbën veten e tyre dhe janë në Xhehenem përgjithmonë”.(el Mu’minunë 99-103)

Përkujtimi i vdekjes duhet të na bëj që t’i përmirsojmë shumë gabime që i kemi bërë, dhe të na bëj që t’i kryejmë shumë obligime që i kemi lënë pasdore, Poashtu mund të na bëj që t’u largohemi shumë harameve që i kemi bërë.

Përderisa jemi gjallë nuk është vonë për t’u ndryshuar dhe për t’u përmirsuar. Ka thënë Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Përkujtoni shkatërruesin e kënaqësive (Tirmidhi) dhe me këtë e ka pasur për qëllim përkujtimin e vdekjes se me të vertetë përkujtimi i vdekjes e kthen njeriun në realitetin e kësaj bote dhe ai realitet është se vdekja është e pashmangshme dhe s’ka askush që mund t’i ik asaj.

Përgatiti: Enis Arifi

Të tjera