Pyetja: A lejohet shitblerja e qenve?
Përgjigja: Falënderimi i takon Allahut…
1- Jemi përgjigjur më parë në një fetva se nuk lejohet mbajtja e qenve (në shtëpi) dhe se ai që mban qen në shtëpi, çdo ditë i mangësohet një sasi e madhe prej veprave të mira të tija. Përpos në rast të qenit të gjuetisë, ruajtjes së bagëtisë dhe të mbjellave, atëherë lejohet.
2- Ndërsa sa i përket shitblerjes së qenve, kjo është haram, edhe nëse është prej qenve të cilët lejohet të mbahen.
Janë transmetuar nga i Dërguari i Allahut (sal-la Allahu alejhi ue sel-lem) shumë hadithe në kontekst të ndalimit të shitjes së qenve dhe këto hadithe i përfshijnë të gjitha qentë, të cilët lejohet të mbahen dhe ata të cilët nuk lejohet të mbahen, prej këtyre haditheve:
– Ka nxjerrur Buhariu (1944) nga ebu Xhuhejfete (radijAllahu anhu) i cili thotë: “Ndaloi i Dërguari i Allahut nga përfitimi i qenit.”
– Ka nxjerrur Buhariu (2083) dhe Muslimi (2930) nga ebu Mesu’d el-Ensari (radijAllahu anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-la Allahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar nga përfitimi i qenit.
– Ka nxjerrur ebu Davudi nga Abdullah ibn Abbasi (radijAllahu anhu) i cili thotë: “Ka ndaluar i Dërguari i Allahut nga përfitimi i qenit, edhe nëse vjen (dikush) dhe ta lyp çmimin e qenit, mbushja dorën me dhe.” Thotë el-hafidh ibn Haxher: Zinxhiri i këtij hadithi është autentik. Si të tillë e ka cilësuar edhe Albani.
Thotë Neveviu në komentimin e tij të Sahih Muslim: “Ndalesa e përfitimit (profitit) të qenit dhe të qenurit e tij prej përfitimeve më të shëmtuar dhe më të ndyrë, është argument për ndalimin e shitjes së qenit dhe se kjo shitblerje nuk është valide dhe përfitimi i saj nuk është i lejuar, pa marrë parasysh a është qeni i mësuar apo jo, a është prej qenve që lejohet të mbahen apo jo dhe këtë qëndrim e kanë shumica e dijetarëve, prej tyre janë ebu Hurejra (radijAllahu anhu), el-Hasen el-Basri, Rebia, el-Euzai’, el-Hakem, Hammadi, Shafiu, Ahmedi, Davudi, ibn el-Mundhir dhe të tjerë. Ndërsa ka thënë ebu Hanifja: Lejohet shitja e qenit në të cilin ka dobi dhe ai që e shfrytëzon medoemos ta paguaj vlerën e tij.
Argumenti i shumicës (së dijetarëve) janë këto hadithe (të lartëpërmendur).”
Thotë ibn Kudame: “Nuk ka mospajtim në medh’heb se shitblerja e qenit është jovalide, çfarëdo qeni qoftë.”
3- Nëse ka njeriu nevojë për qen të gjuetisë apo për roje, mirëpo nuk gjen dikë i cili do t’ia jepte atë, atëherë i lejohet që ta blen qenin dhe mëkati bjen mbi atë që e shet, ngase ka shitur diçka që nuk i lejohet të shitet.
Thotë ibn Hazmi në el-Muhala (7/493): “Nuk lejohet shitblerja e qenit, as qenit për gjueti dhe as për roje të bagëtisë apo ndonjë lloj tjetër, mirëpo nëse ka nevojë të madhe për qen dhe nuk gjen dikë i cili do t’ia jep atë, atëherë i lejohet që ta blen. Atëherë kjo është e halal për blerësin, por haram për shitësin…”
Islam Q&A
Përktheu: Ali Ashani