A u sprovove?

by Uniteti-Admin

Jeta është  e tillë , s’ka njeri që nuk sprovohet me belaja… ashtu siç edhe Allahu (subhanehu ue teala) ka thënë: “Dhe Ne do ju sprovojmë me diç prej frikës, urisë dhe me mungesë të pasurisë, njerëzve dhe frytave…”(el Bekare 155). Por ajo që kërkohet në çdo sprovë dhe pas çdo sprove është durimi, shpresa në shpërblim dhe mendimi i mirë për Allahun dhe se ajo që ka ndodhur është pastrim për ne dhe se pas asaj sfide do të bëhet më mirë inshaAllah.

Transmetohet prej Enesit (radijAllahu anhu) se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Madhësia e shpërblimit është me madhësinë e sprovës, dhe kur Allahu e don një popull, e sprovon atë…” (Transmeton Tirmidhij)

Prandaj sprovat për besimtarin në përgjithësi janë të hajrit, nëse besimtari bën durim dhe shpreson në shpërblim, në këtë rast kur vjen dita dhe del nga dunjaja, del nga kjo dunja shpinën e lehtë prej barës së gjunaheve.

Pse na ndodhin belajat dhe sprovat?

Thotë ibn Haxheri: “Gjunahet janë shkaktari kryesor dhe në veçanti zinaja…”

Thotë ibnul Kajjimi se gjunahet janë shkaktari kryesor i belajave në jetën tonë, prandaj kur njeriu e zëvendson veprën e mirë me të keqe, atij i zëvendsohet mirësia me sprovë dhe bela.

Katër kategori shpëtojnë nga sprovat dhe belajat

Thotë Imam el Kurtubij: “Çdo vendbanim që ka katër kategori të besimtarëve, janë banorët e atij vendi të ruajtur nga belaja, ato kategori janë: Prijësi i drejtë që s’bën zullum, dijetari në rrugën e udhëzimit, dhe njerëzit që urdhërojnë në të mirë  dhe ndalojnë nga e keqja dhe që nxisin në kërkim të diturisë dhe mësim të Kur’anit, si dhe gratë e mbuluara që nuk shfaqen në publik siç u shfaqnin gratë në injorancën e hershme”.

Dhjetë pika që i ka përmendur ibnul Kajjimi se si të bëjmë durim në sprova:

1. Shikimi në madhësinë e shpërblimit të durimit.

2. Shpresimi se nëpërmjet asaj sprove të shlyhen gjunahet.

3. Pajtimi me atë që Allahu e ka bërë Kader (caktim).

4. Vazhdimi në atë që e lyp Allahu nga ne prej ibadeteve ditore.

5. Ta kemi parasysh Ajetin “Dhe ajo që ju goditi prej musibetit (fatkeqsisë) është nga ajo çka punuan duart tuaja”. (esh Shura 30).

6. Istigfari (kerkimi faljes prej Allahut) është gjë me të cilën Allahu i largon belajat.

7. Sprovat ndonjëherë janë ilaç dhe përmirsues i raportit tonë me Allahun.

8. Gjithmonë ki parasysh fjalën e Allahut: “Ndoshta ju urreni diçka e ajo është hajr për ju dhe ndoshta ju doni diçka e ajo është sherr për ju, Allahu e din dhe ju nuk e dini”. (el Bekare 216).

9. Dije se sprovat dhe belajat nuk janë për të mbytur, por janë që të sprovohet durimi yt, dhe të shihet se a je i vendosur në imanin tënd apo je i lëkundur.

10. Nëpërmjet belajave dhe sprovave Allahu i nxjerr në pah ata njerëz që nuk e adhurojnë Allahun vetëm në situata kur njeriu është në rehati, por e adhurojnë Atë gjithmonë, edhe kur janë mirë edhe kur janë keq.

Imani i fortë shfaqet në sprova

Thotë ibnul Xheuzij: “Besimtarit të fortë aq sa më shumë i shtohen sprovat, atij ende më tepër i shtohet imani dhe dorëzimi tek Allahu, ndonjëherë bën dua, por nuk sheh pranim të duasë, por ky besimtar nuk e ndryshon rrugën dhe vazhdon, pasiqë e din se ai rob është në pronësi të Allahut, dhe Allahu me urtësinë dhe diturinë Tij vepron cka të dëshiroj me atë”.

Ëndrat e disa besimtarëve paralajmrojnë sprovat dhe belajat

Ka prej njerëzve të devotshëm që ëndrat e tyre realizohen, këtë edhe e ka përmendur Imam el Kurtubij në tefsirin e tij ku edhe thotë: “Ëndra e vërtetë ndoshta është paralajmërim për atë që nuk i pëlqen atë çka e sheh, këtë Allahu ia mundëson një besimtari si mëshirë dhe butësi ndaj tij që të përgatitet për belanë përpara se të ndodh. Nëse ka mundësi ai vet e komenton atë ëndër, dhe nëse nuk din, e pyet atë që din ti komentoj ëndrat. Imam Shafiu kur ka qenë në Egjipt ka parë një ëndër me Ahmed ibn Hanbelin në të cilën kishte aludime për sprovat që do i vinin Imam Ahmedit, andaj edhe i shkroi letër që të përgatitet për atë që vjen”.

Përmblodhi: Mr. Enis Arifi

Të tjera