Ajetet e fundit që kanë zbritur

by Uniteti-Admin

Ka disa transmetime rreth asaj se cilat janë ajetet e fundit Kur’anore që kanë zbritur. Disa transmetime thonë se ajeti i fundit që ka zbritur është ajeti 176 i sures en Nisaa, ndërsa si sure e fundit që ka zbritur është Surja et Teube. Transmetohet prej ibn Abbasit se ajeti i fundit që ka zbritur është Ajeti i Borxhit në Suren el Bekare ajeti 278-280. Poashtu transmetohet prej ibn Abbasit se ka thënë: “Gjëja e fundit që ka zbritur prej Kur’anit është fjala e Allahut : “Dhe kini frikë ditën kur ju do të ktheheni tek Allahu…”. (el Bekare 281)

Transmetohet prej Ubej bin Ka’b se ka thënë: “Ajeti i fundit që ka zbritur është ajeti i fundit i sures et Teube ku Allahu (subhanehu ue teala) thotë: “Juve ju ka ardhur Pejgamber prej mesit tuaj…” (et Teube 128-129)

Thotë Kadi bin ebu Bekr: “Të gjitha transmetimet që kanë ardhur në këtë temë janë transmetime të sahabëve që e kanë ndëgjuar prej Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në ditën që ai ka vdekur ose gjatë ditëve të fundit të jetës kur ka qenë i sëmurë, ose edhe transmetime që i kanë ndëgjuar prej ndonjë sahabiut tjetër dhe kështu me rradhë”.

Në mesin e muslimanëve është i përhapur mendimi se ajeti në vijim është ajeti i fundit që ka zbritur mirëpo një gjë e tillë disa prej dijetarëve thonë se nuk është e vërtetë.

Sot unë j’ua kam plotësuar për ju fenë tuaj dhe e kam plotësuar dhuntinë time ndaj jush dhe jam i kënaqur që Islami të jetë fe e juaj” (el Maide 3)

Ky ajet ka zbritur Ditën e Arafatit në Haxhin Lamtumirës, dhe sipas asaj që aludon ajeti është fakti se ky ajet është ajet i fundit i cili i plotëson të gjitha dispozitat dhe farzet që kanë zbritur dhe pas këtij ajeti nuk ka zbritur më asnjë ajet që flet për hallallin dhe as ajet që flet për haramin.

Disa dijetarë siç është ibn Xheriri thonë se me zbritjen e këtij ajeti është për qëllim plotësimi i fesë përsa i përket vendosjes së muslimanëve në tokën e Mekkes në të cilën më parë kanë sunduar mushrikët dhe pastrimi i Mekkes prej mushrikëve përderisa më nuk janë përzier muslimanët dhe mushrikët në Mekke.

Autor: Es-Sujuti

Përktheu: Enis Arifi

Të tjera