Ambiciet e larta të dijetarëve

by Uniteti-Admin

Sujuti është një prej dy Xhelaludinëve të cilët e kanë shkruar tefsirin i cili njihet si Tefsirul Xhelalejn, Xhelaludini tjetër është Xhelaludin el-Mehalij. Mehaliju e komentoi suren el-Fatiha, pastaj kaloi në komentimin e sures el-Kehf, deri në suren en-Nas (në fund të Kura’nit), ndërsa Sujuti e komentoi gjysmën e parë të Kur’anit, përpos el-Fatiha-së, d.m.th. nga el-Bekare deri në el-Isra.

Tefsirul Xhelalejn është prej tefsirave më të përhapur, poashtu edhe disa prej komentimeve të shkurta të disa mus’hafëve nëpër botë janë prej këtij tefsiri. Ky tefsir karakterizohet me shkurtësinë e tij, edhe pse i përmban lëmitë e i’rabit, mënyrave të lëximit të Kur’anit, nasih dhe mensuh, shkaqet e zbritjes së sureve, kuptimet e fjalëve etj.

Dijetarët janë mahnitur me precizitetin e përzgjedhjeve të fjalëve, edhe pse libri përmban hadithe të dobëta, të shpikura dhe israilijate, gjë që i ka bërë dijetarët të japin mund të madh në recenzurën dhe pastrimin e librit nga këto gjëra. Thotë autori i Keshf edh-Dhunun: “Perkrah faktit që libri është shumë i shkurtë, ai përmban kuptime të mëdha, ai është palca e librave të tefsirit, andaj dijetarët e kanë llogaritur si libër për ata që janë në fund të kërkimit të diturisë dhe jo për fillestarët.”

Dijetarët kanë treguar kujdes të veçantë ndaj këtij libri, duke shkruar rreth tij komentime të shumta, të shkurta dhe të gjata, prej tyre që shkroi koment të këtij tefsiri është el-Kadi Muhammed Kena’an në librin e tij Kurretul ajnejn ala tefsiril Xhelalejn.

Befasia më e madhe është kjo: Sa vjeçar ishte Sujuti kur e shkroi gjysmën e tefsirit të Kur’anit? Dhe për sa kohë e shkroi atë?

Thotë el-Kadi Kena’an: “Kur imam Sujuti (Allahu e mëshiroftë) e shkroi këtë tefsir i kishte 22 e vjet, më saktësisht 22 vjet pa disa muaj, kjo ndodhi gjashtë vite pas vdekjes së Mehaliut dhe të gjithë këtë tefsir të madh dhe aq preciz e shkroi për 40 ditë!”

22 vjet, d.m.th. në ditët tona është si një i ri i cili është gati të diplomoj nga fakulteti. 40 ditë është përafërsisht periudha mes semestrit të dytë akademik dhe atij veror. Mendo rreth asaj se çfarë bëjmë ne brenda kësaj periudhe, në krahasim me Sujutin dhe shiko në atë të cilën e kemi humbur ne nga jeta jonë, ne që jemi në të tridhijetat tona, të cilët në krahasim me Sujutin jemi si pleq!

Ky djalosh në vitet e njëzeta të tija, thotë në fund të tefsirit të tij: “Kjo është gjëja e fundit me të cilën e plotësoj tefsirin e Kur’anit Famëlartë, autor i së cilit është shejhu, imami dhe dijetari Xhelaludin el-Mehalij esh-Shafi’ij (Allahu qoftë i kënaqur me të). E shkrova për aq sa ishte periudha e kthimit të Kelimit (Musa-it alejhi es-selam), për 40 ditë dhe e bëra mjet për të aritur fitoren me Xhennet…”

Pastaj thotë: “Dhe nuk e kisha në mëndje që t’i qasem kësaj çështje, edhe atë për shkak të pamundësisë që t’i shtjelloj këto çështje, por ndoshta Allahu e bën dobinë e tij të shumëanshme, hap me të zemra të prangosura, sy të verbëruara dhe vesh të shurdhuara…

Allahu me të na begatoftë me udhëzim drejt Rrugës së të Vërtetës dhe na drejtoftë dhe mundësoftë që t’i njohim edhe imtësirat më të vogla të fjalëve të Tija dhe na bëftë prej atyre që Allahu i kishte begatuar, prej pejgamberëve, të sinqërtëve, shehidave, të mirëve, e sa shoqëri e mirë që janë ata.

Vërejtje: Ekzistojnë tefsira më të mirë se Tefsirul Xhelalejn dhe nuk ishte qëllimi i këtij shkrimi t’i japim përparësi këtij tefsiri ndaj tefsirave tjerë, por qëllimi ishte të tregojmë ambiciet e larta të dijetarëve tonë (Allahu i mëshiroftë).

 

Ijad Kunejbi

Përktheu: Ali Ashani

Të tjera