Arafati

by Uniteti-Admin

Para se të paraqes rëndësinë e kësaj dite, si dhe pozitën e veçantë që ia dha Ligjvënësi, është e rrugës që të tregohet historiku i emërtimit të “Arafatit” me këtë emër.

Së pari duhet ditur se emri “Arafat” vjen nga fjala arabe “Arafah” (عرفة), që ka kuptimin e “njohjes” ose “takimit”.

Shënon imam Kurtubiu në tefsirin e tij tri teori që lidhen me origjinën e emrit “Arafat”.

  1. Emri “Arafat” vjen nga fakti që ky vend është vendi i takimit dhe njohjes së mijëra besimtarëve myslimanë në këtë ditë të veçantë të Haxhit. Në këtë vend, besimtarët kanë mundësinë të takohen, të ndajnë përvoja të tyre fetare dhe të rrisin njohuritë e tyre mbi fenë.
  2. Emri “Arafat” vjen nga fakti se Xhibrili vizitoi këto vende duke ia treguar Ibrahimit ritualin e Haxhit, dhe sa herë që arrinte tek një vend i thoshte: e’areft, e’areft, që nënkupton: “A e kuptove?”, “a e njohe?”
  3. Emri “Arafat” vjen nga fakti që ky vend është vendi i takimit të Ademit dhe Havasë pasi që zbritën nga Xheneti. Aty u takuan dhe njohën njëri tjetrin.
    Ndonëse shumë keni dëgjuar dhe lexuar për këtë ditë të madhe, unë do përmendi vetëm disa nga veçoritë madhore të saj, me shpresë që të jetë arsye dhe shkas që të vlerësohet ashtu siç është kërkuar nga ne.
  • Arafati është dita kur Allahu i Madhëruar plotësoi begatinë e Tij ndaj nesh

Në suren elMaide shënon një citat madhështorë, për të cilin Omer ibn Hatabi tregon se një hebre i tha: “O prijësi i besimtarëve, një ajet që ju e lexoni në Librin tuaj, sikur të na kishte zbritur neve, atë ditë do ta shpallnim ditë feste.” Omeri i tha: “Cili qenka ky ajet?” Hebreu i tha: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (Maide: 3)

Atëherë Omeri tha: “Ne e dimë shumë mirë ditën dhe vendin kur ky ajet i ka zbritur Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të). Ka qenë ditë e premte dhe i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka qenë duke qëndruar në këmbë në Arafat.” (Buhariu)

  • Arafati është dita kur Allahu morri premtimin nga robërit e Tij

Është premtimi më i madh që ndonjëherë qenia njerëzore dëshmoi, dhe nuk kishte mbetur njeri pa dëshmuar.

Thotë Allahu i Madhëruar: 

(Kujtoje) kur Zoti yt – nga kurrizi i bijve të Ademit nxori pasardhësit e tyre dhe ata i bëri dëshmitar (të vërtetës) kundër vetes. (Iu tha atyre): “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, me të vërtetë”. Na ju kemi bërë dëshmitar që të mos thoni në Ditën e Kijametit: “Na për këtë nuk kemi qenë të informuar”. (Al-A’raf: 172)

Ndërsa i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në hadithin që transmeton Abdullah ibn Abasi thotë: “Allahu i Madhëruar premtimin ndaj bijve të Ademit e morri në ditën e Arafatit“.  (Ahmedi)

  • Allahu i Madhëruar është betuar në këtë ditë

‘’Pasha qiellin me plot yje, Pasha ditën e premtuar, Pasha atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet’’ (Buruxh: 1-3)

Tregon EbuHurejra se i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Dita e premtuar është Dita e Kijametit, “atë që dëshmon” – është për qëllim dita e Xhuma, ndërsa “atë që dëshmohet” – është dita e Arafatit.” (Tirmidhiu)

  • Është një ditë me disa veçori të mëdha

Aishja transmeton se i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Allahu i Madhëruar në asnjë ditë nuk liron më shumë robër nga Zjarri sesa që liron në ditën e Arafatit. Allahu afrohet e pastaj mburret me robërit para melekëve dhe thotë: “Çfarë po kërkojnë këta?!”

Nëse meditojmë mbi at që u përmend në këtë transmetim, mund të vihen në pah disa ndodhi madhështore:

  1. Dita në të cilën lirohen më së shumti njerëz nga Zjarri i Xhehenemit.
  2. Allahu i Madhëruar i afrohet robërve të Tij
  3. Allahu i Madhëruar mburret me robërit e Tij para melekëve
  4. Allahu i Madhëruar i pyet ata për kërkesat e tyre

Është e pamundur të gjesh një ditë që përmban të gjitha këta mirësi, dhe të gjesh kësi lloj trajtimi dhe nderimi nga dikush tjetër përpos Allahut të Madhëruar.

  • Është dita më e mirë në të cilën mund të bëhet dua

Thotë Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të): “Lutja më e mirë është lutja që bëhet në ditën e Arafatit dhe lutja më e mirë që e kam thënë unë dhe Profetët para meje është: La ilahe il Allahu uahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul hamdu ue hue ala kuli shejin kadir.” (Tirmidhiu)

Përmend Imam ibn Rexhebi: “Kush shpreson të lirohet nga zjarri i Xhehenemit dhe t’i falen mëkatet në ditën e Arafatit, atëherë le t’i kryejë shkaqet nëpërmjet të cilave shpresohet një gjë e tillë! Prej tyre është: shpeshtimi i dëshmisë së teuhidit (njësisë së Allahut) me sinqeritet e vërtetësi, ngaqë ajo është origjina dhe themeli i Islamit, të cilin Allahu i Lartësuar e plotësoi pikërisht në atë ditë.” 

Vlera e lutjes së Arafatit kundrejt duave të tjera, është mu sikur vlera e ditës së Arafatit kundrejt ditëve tjera.

Thotë El-Baxhi: Është dita në të cilën dhikri është më i bekuar, shpërblimi më i madh dhe përgjigja më  afër.

Allahu i Madhëruar thotë:

Zoti juaj, ka thënë: “Më lutni Mua, Unë do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që bëjnë mendjemadhësi e nuk duan të Më adhurojnë – do të hyjnë të poshtëruar në skëterrë (Gafir: 60)

  • Është dita e faljes së madhe

I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) mbi agjërimin e ditës së Arafatit tha: “Shpresoj tek Allahu që agjërimi i ditës së Arafatit do t’i falë mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm.” (Muslimi)

Falja në hadithin e lartpërmendur ka të bëjë me mëkatet e vogla, falja e të cilave është e kushtëzuar me pendim dhe largim nga mëkatet e mëdha.

Thotë Allahu i Madhëruar: Në qoftë se ju i shmangeni gabimeve të mëdha, që u janë ndaluar juve, Na do t’ju mbulojmë gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpijmë në (një) vend të mrekullueshëm (në Xhennet). (Nisa:31)

Andaj le të përgatitemi për këtë ditë të madhe, të pastrojmë zemrën tonë duke u penduar për mëkatet e mëdha të cilat i vepruam, dhe duke njohur vlerën dhe madhështinë e kësaj dite ta shoqërojmë agjërimin tonë me përulje dhe kthim të sinqertë tek Allahu. E gjithë kjo do rezulton që inshaAllah ditën e Bajramit përveç që trupin do e kemi të pastër, do e kemi edhe zemrën nga çdo ligësi dhe egërsi të cilën mbollën mëkatet.

Lus Allahun e Madhëruar të na fal neve dhe familjet tona, të na bashkojë në Xhenete të larta me njerëzit e mirë, pejgamberët dhe shehidët, e sa shoqëri e mirë që është ajo.

Përmblodhi: Senad Ramadani


Mëso më shumë rreth ditës së Arafatit këtu!

Të tjera