Bashkimi i namazeve

by Uniteti-Admin

Ai i cili e hulumton jetëpërshkrimin e Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) e sheh se ai nuk i bashkonte namazet për arsye të thjeshta, andaj nuk transmetohet në bashkimin e namazeve për udhëtarin që është stacionuar[1], vetëmse një hadith, i cili nuk është as i qartë (në këtë pikpamje), ky hadith është në Sahihun e Muslimit nga hadithi i Muadhit (radijAllahu anhu).

Ndërsa bashkimi i namazeve Ditën e Arafatit dhe Natën e Muzdelifes, nuk është vetëm për shkak të udhëtimit, por për shkaqe dhe arsye tjera shtesë, andaj nuk i ka bashkuar namazet në Mina dhe as në Xheuf të Mekkes. Argument është hadithi i Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) në Sunen, ku i Dërguari i Allahut (sala Allahu alejhi ue sel-lem) e urdhëroi mustehadën[2] që t’i bashkon namazet për shkak të sëmundjes së saj, edhe pse nuk është transmetuar se Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) i ka bashkuar namazet gjatë sëmundjes së tij në fund të jetës së tij, gjatë sëmundjes e cila e pengonte nga të dalurit në xhami për namaz.

Poashtu edhe gjatë shiut, nuk është vërtetuar se Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) i bashkonte namazet gjatë shiut, edhe pse ndonjëherë kishte shi me ditë të tëra dhe nuk u shihte dielli aspak, siç është përmendur në dy sahihët.

Edhe pse është transmetuar në Sahihun e Muslimit nga hadithi i ibn Abbasit (radijAllahu anhuma) fjalë që aludon se ndonjëherë merret parasysh fakti se bie shi:

I bashkoi Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) namazet në Medine, pa frikë dhe pa shi.

Hadithi tregon se bashkimi i namazeve që e bënte Pjegamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) për shkak të disa arsyeve, nuk është e veçantë për shiun dhe frikën, por edhe për arsye tjera, andaj nëse e bashkojmë këtë dhe hadithe tjera do të shohim se bashkimi i namazeve për shkak të shiut është lehtësim prej lehtësimeve të cilat lejohet që të praktikohen, edhe pse është më mirë të falet çdo namaz farz në kohën e tij. Lehtësimet dallojnë në aspekt të gradës së tyre, madje kemi prej lehtësimeve që janë obligim, të tjera që janë më mirë të praktikohen dhe të tjera që janë më mirë mos praktikohen. I gjith ky dallim në gradat e lehtësimeve bëhet i njohur nga gjendja e pëgjithshme e Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem).

Për këtë, bashkimi i namazeve për shkak të shiut nuk ishte praktikë tek sahabet. Ibn Umeri (radijAllahu anhuma) i bashkonte namazet atëherë kur imamët dhe prijësit i bashkonin, edhe pse sahabet jetonin në Sham, vend në të cilin kishte shumë më shumë shi se në trojet e tyre (Medine).

Ajo që vlen për bashkimin e namazeve gjatë shiut vlen edhe për udhëtarin i cili është vendosur, apo stacionuar diku, poashtu e njejta vlen edhe për të sëmurin dhe për të tjerët që kanë arsye të ngjashme. D.m.th. ai që kapet për bazën, ai që e fal çdo namaz në kohën e vet, e ka marrë atë që është më e mirë, ndërsa ai që e merr lehtësimin lëvdohet për të, mirëpo e ka lënë atë që është më e mirë, praktikën e Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem).

 

Muhamed Al Rumejh

Përktheu: Ali Ashani

[1] Ai udhëtar i cili është vendosur diku për buajtje dhe qëndrim, i cili nuk e nxjerr nga cilësimi i të qenurit udhëtar në aspekt fetar. Sh.p.

[2] Ajo femër që ka gjakderdhje vaginale, por që nuk është gjakderdhja prej ciklit menstrual. Sh.p.

Të tjera