Liri nuk është të bësh çfarë të duash, por liri është të bësh atë që duhet, kjo është kuptim i shëndoshë i lirisë, për dallim nga kuptimet e gabuara të njerëzve rreth lirisë. Njeriu i mençur, apo muslimani/muslimanja e bën atë që duhet duke u bazuar në mësimet që i merr prej Kur’anit dhe Sunetit dhe nuk bëhet rob i epsheve të tija apo epsheve të dikujt tjetër. Ne që jemi musliman dhe e pranojmë se jemi robër të Allahut nuk duhet të veprojmë në bazë të epsheve, sepse epshi urdhëron kah e keqja dhe amoraliteti, ashtusiç e ka thënë Krijuesi i jonë i cili ka njohuri absolute rreth çdogjëje të cilën e ka krijuar. Thotë Allahu: “… me të vërtetë epshi është shumë urdhërues (nxitës) në të keqen…”.[1]
Kur është çështja e veshjes së Hixhabit (Mbulesës), ti si muslimane a e bën atë që duhet t’a bësh, që nënkupton të mbulohesh me Hixhab, apo vepron në bazë të asaj që ti e dëshiron dhe që është gabim? Njeriu i mençur që logjikon e bën atë që duhet, edhepse ndonjëherë e urren një gjë të tillë, mirëpo kjo është më e dobishme për atë. Ndërsa kafshët janë ata krijesa të cilat e bëjnë atë që e dëshirojnë dhe nuk kanë mundësi dhe intelekt për të vepruar atë që duhet, pra te kafshët është gjë e njëjtë bërja e asaj që duhet dhe asaj që kafsha e dëshiron. Ndërsa te krijesa e çmuar sikurse është njeriu duhet të ketë dallim mes asaj që njeriu duhet t’a bëj dhe në mes asaj që ai e dëshiron. Thotë Allahu i Lartësuar: “Ne me të vërtetë e nderuam (e çmuam) birin e Ademit dhe e bartëm atë nëpër tokë dhe nëpër detë dhe i furnizuam ata me të mira dhe i lartësuam (i vlerësuam) me lartësim mbi shumë krijesa që Ne i krijuam”.[2]
Thotë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Askush prej jush s’ka besuar perderisa epshi i tij nuk e pason atë me të cilën unë jam dërguar”.
Pra përse të mos i bindemi Allahut kur Ai na ka dhënë gjithë këta të mira të cilat as nuk mund t’i numërojmë?
Konkretisht nëse flasim për Hixhabin ne themi se Hixhabi nuk është vetëm një copë veshje që vëndohet pëmrbi kokë, por Hixhabi është mënyrë jetese. Allahu (subhanehu ue teala) e ka krijuar njeriun në pamjen më të bukur[3] dhe më pastaj e ka veçuar gruan me pamje ende më të bukur dhe e ka bërë fytyrën dhe në përgjithësi çdo gjymtyrë dhe tërë trupin e saj Avret apo bukuri e cila nuk lejohet që ajo t’a shfaq përpara secilit njeri, përveç bashkëshortit të saj, babait,bijëve të saj, vëllezërve dhe kështu me rradhë.
Mundohu sa të kesh mundësi që të bëhesh rob i Krijuesit dhe të mos bëhesh rob i epsheve dhe rob i krijesave. Mundohu dhe bën vepra të mira sa je gjallë, sepse pendimi pas vdekjes është i pavlefshëm. Nesër Inshallah do të lind dielli, por ti ndoshta nuk do të zgjohesh.
Pamarrë parasysh sa do të qash, kjo nuk do t’a ndryshojë të kaluarën tënde, mirëpo nëse ti qan për mëkatet e tua, kjo ndoshta do t’a përmirsojë të ardhmen tënde.
Mos ki brenga se çka flasin njerëzit dhe çka komentojnë për pamjen tënde, ndoshta veshja yte e gjerë atyre ju duket qesharake dhe shamia mbi kokën tënde ndoshta njerëzve ju duket e shëmtuar, mirëpo mendimet e njerëzve për ne nuk janë relevante, sepse ne si musliman nuk ekzistojmë për të impresionuar njerëzit, por jetojmë dhe vdesim për t’a kënaqur Allahun.
Ti motër muslimane që nuk je e mbuluar, shikoje veten tënde në pasqyrë prej në maje të kokës deri dhe në fund të këmbëve dhe pyete veten tënde a meriton të hysh në Xhenet, a je meritore të hysh në atë Xhenet të cilin Ai ua ka premtuar njerëzve që i respektojnë urdhërat e Tij?
Përgatiti: Enis Arifi
[1] Sure Jusuf Ajeti numër 53
[2] Sure el Israa Ajeti numër 70
[3] Thotë Allahu: “Ne e krijuam njeriun në pamjen më të bukur”. (et Tinë 4)