Shumë prej bijve dhe bijave të umetit u digjen zemrat për atë që po ndodh në këtë umet nga shtypja, dobësia, përhapja e injorancës dhe përçarjet e brendshme mes pasuesve të këtij umeti.
Këta individ të shqetësuar shfaqin indinjatën e tyre, qajnë dhe angazhohen në rrjetet sociale natë e ditë, dhe kjo është diçka e mirë, e kërkuar dhe e lavdërueshme për të gjithë ata që e bëjnë këtë. Ata meritojnë falënderim dhe lavdërim për këtë gjë, dhe shpresojmë shpërblim nga Allahu, nëse me këtë vepër synonin kënaqësinë e Tij.
Por, që efekti i këtij shqetësimi të jetë më i madh dhe që të mos jenë veprimet e tyre pa asnjë gjurmë, duhet këta besimtarë të kuptojnë disa gjëra të rëndësishme, ndër të cilat:
1- Pikat e dobësisë dhe sëmundjeve në këtë umet janë të shumta dhe të ndryshme; nëse nuk mund të mbulosh dhe të trajtosh të gjithat, me siguri se ka mundësi që të punosh rreth disa apo një prej tyre, andaj angazhoje veten dhe mos qëndro i duarkryq.
2- Vetëm fjalët dhe vajtimi për umetin – edhe pse janë të domosdoshme, të rëndësishme dhe të kërkuara në disa raste – nuk mjaftojnë. Dije mirë se duhet të kesh një projekt dhe vizion përpara syve, për të cilin punon ditë e natë për të mbuluar një dobësi në këtë umet. Dhe nëse sot nuk je në gjendje të ndihmosh, të japësh apo të largosh ndonjë të keqe, atëherë ndërtoje mirë veten dhe rrethin tënd që të jesh i aftë për të kontribuar në të ardhmen e afërt, inshaAllah.
3- Plagët e shumta në umet nuk duhet të të shpijnë në atë që e armiku e synon nga veprimet dhe qëndrimet tona: humbja e shpresës, dëshpërimi dhe thyerja, por bëji këto plagë një lëndë djegëse për ty për më shumë punë dhe përpjekje në rrugën e ringjalljes së këtij umeti. Dije se nuk je i ngarkuar përveçse për veten tënde, kështu që përpiqu sipas asaj që mundesh dhe bëj atë që të takon. Dhe nëse arrihen rezultatet, atëherë mirë dhe bukur, përndryshe, nuk je i obliguar përveçse për punën dhe përpjekjen, dhe shpërblimi yt është tek Allahu nëse ke nijet të pastër, edhe nëse nuk i shohim rezultatet e mundit tënd në dynja.
4- Sinqeriteti i vërtetë paraqitet me punën e përditshme që bën për këtë umet. Nëse dëshiron të testosh sinqeritetin tënd kur thua se ke dertin e këtij umeti, atëherë shiko tek angazhimet e tua të përditshme, përqëndrimin në projektin tënd dhe ruajtjen e kohës tënde, dhe mos lejo që vetëm fjalët të zëvendësojnë punën dhe veprat tua.
5- Përpjekja për umetin duhet të mbështetet në dije të vërtetë dhe të thelluar. Çdo vepër e madhe fillon nga vetja, duke ndërtuar themelet e njohurisë fetare dhe të asaj praktike që i shërben kauzës së umetit. Dije që hapi i parë është t’i kushtosh rëndësi përmirësimit të karakterit tënd dhe përvetësimit të dijeve të dobishme – si fetare ashtu dhe ato që lidhen me realitetin e botës përreth. Kjo dije të pajis me një vizion të qartë dhe të mbrojtur nga devijimet dhe emocionet e tepruara. Kujto se një individ që kultivon dijen dhe vetëdijen e brendshme është më i aftë të qëndrojë i qëndrueshëm në të mirën dhe të jetë një shembull frymëzues për të tjerët. Në fund të fundit, përmes dijes dhe vetëdijes, kontributi yt për umetin do të jetë më i qëndrueshëm dhe më i mirëpritur nga Allahu.
I suksesshmi është ai që Allahu e udhëzon për të vepruar mirë, për atë, për rrethin ku jeton, si dhe për mbarë umetin e të Dërguarit (sal-lALlahu alejhi ue sel-lem)
Përktheu dhe përshtati: Ali Ashani
