Hamdi i takon Allahut.
Në Sunnetin e të Dërguarit ﷺ janë transmetuar një numër hadithesh që tregojnë vlerën e umres dhe shpërblimin e saj. Gjë e cila fatkeqësisht është shumë pak e njohur te shumica e muslimanëve, andaj në rreshtat në vijim do të tregojmë disa aspekte që nxjerrin në pah vlerën dhe pozitën që ka umreja në fenë e Allahut.
Umreja në Qabe dhe vizita e saj është ndër veprat me vlerë të lartë, për të cilat janë transmetuar shumë tekste nxitëse dhe stimulative. Muslimanit që dëshiron të kryejë umren i takon të mësojë dispozitat e saj, që ta kryejë siç duhet, çfarë është e detyrueshme dhe çfarë e pëlqyeshme, si dhe çfarë duhet të shmangë muhrimi (ai që është në gjendje të ihramit) nga gjërat që mund t’ia prishin umren ose t’ia pakësojnë shpërblimin. Por para se t’i dijë këto dispozita, duhet të dijë shkakun pse e bën umren dhe çfarë vlere ka ajo, sepse ky udhëtim dhe kjo vizitë nuk është si të tjerat, por është vizitë që në vete është adhurim ndaj Allahut.
1. Falja e mëkateve dhe shlyerja e tyre
Nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Umreja deri në umre tjetër është shlyerje për çfarë ndodhet ndërmjet tyre, dhe haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër veçse Xhenneti.” Buhariu.
Hadithi bën pjesë në një sistem të tërë shlyerjesh: namaz pas namazi, xhuma pas xhumaje, ramazan pas ramazani, umre pas umreje. Allahu ia ka ndërtuar besimtarit jetën me “stacione” të rregullta rinovimi. Kështu askush nuk duhet të humbasë shpresën. Gjithmonë ka një mundësi të afërt për të filluar nga e para.
Shumica e dijetarëve thonë se këtu bëhet fjalë për gjynahet e vogla, sepse gjynahet e mëdha kërkojnë teube të veçantë, kurse të drejtat e njerëzve duhet t’u kthehen pronarëve. Argumenti kryesor për këtë është hadithi i Muslimit: «Pesë namazet, xhumaja deri në xhuma dhe ramazani deri në ramazan i shlyejnë gjynahet mes tyre, për sa kohë që shmangen gjynahet e mëdha.»
Ky është mësimi më praktik i kuptimit të hadithit, përpos vlerës së umres: ajo nuk e shlyen borxhin ndaj tjetrit, padrejtësinë ndaj punëtorit apo prishjen e lidhjeve familjare. Këto zgjidhen me teube, me kthimin e hakut dhe me kërkim falje nga i dëmtuari.
2. Mysafirët e Tij
I Dërguari ﷺ ka thënë: “Luftëtari në rrugën e Allahut (muxhahidi), haxhiu dhe umrexhiu janë delegacioni i Allahut, Ai i ftoi dhe ata iu përgjigjën, dhe e lutën dhe Ai u dha.” Ibn Maxheh, dhe Albani e vlerësoi si hasen.
Te arabët, vefd quhej grupi i njerëzve të zgjedhur që shkonte te një mbret ose prijës. Ai i priste me nderim, i gostiste dhe nuk i kthente duarbosh. Delegacioni nuk shkonte pa ftesë, por shkonte sepse ishte ftuar.
Komentuesit e hadithit thonë se këta njerëz quhen “delegacioni i Allahut” sepse shkojnë drejt Tij, në shtëpinë e Tij ose në rrugën e Tij. Sipas tyre, ky emër tregon tre gjëra:
- nderin e tyre te Allahu,
- mikpritjen që u ka përgatitur Ai,
- sigurinë që nuk kthehen pa shpërblim.
“Ata iu përgjigjën…” Këtu del në pah kuptimi i telbijes: Lebbejkell-llahumme lebbejk, «Të përgjigjem, o Allah, të përgjigjem!» Telbija është përgjigje ndaj ftesës së Allahut. Kush thotë «lebbejk» po i thotë Zotit të tij: E dëgjova thirrjen dhe erdha.
Por përgjigjja ka kosto. Njeriu lë shtëpinë, familjen dhe rehatinë, shpenzon pasurinë dhe lodhet, madje muxhahidi rrezikon edhe jetën. Kështu tregohet sinqeriteti i përgjigjes.
Kush niset për haxh ose umre duhet ta dijë këtë: nuk po shkon në pushime. Po shkon si mysafir i Mbretit të mbretërve. Kjo e ndryshon gjithçka. I ftuari kujdeset për rrobat, fjalën dhe sjelljen. Ai nuk e humb kohën në gjëra të kota, sepse e di që është mysafir i Allahut, Mikpritësit më të mirë.
Shumë njerëz kanë pasuri dhe shëndet, por nuk shkojnë kurrë në këtë udhëtim, ndërsa disa me mundësi të kufizuara mbërrijnë gjallë e shëndoshë. Nëse të është hapur rruga, kjo është shenjë se je ftuar. Falënderoje Allahun për këtë dhe mos e vono gostinë.
Lebbejk do të thotë «T’u përgjigja dhe ja ku jam, gati». Haxhiu që kthehet duhet ta mbajë këtë qëndrim edhe në jetë. Kur thërret ezani, ai përgjigjet. Kur e thërret detyra ndaj prindërve, familjes apo bashkësisë, ai përgjigjet. Kur e thërret e vërteta, edhe pse është e vështirë, ai përgjigjet.
3. Largimi i varfërisë dhe mëkateve
I Dërguari ﷺ ka thënë: “Vazhdoni me haxhin dhe umren, sepse pasimi i njërit pas tjetrit i largon varfërinë dhe mëkatet, ashtu si furra e zjarrit largon ndryshkun e hekurit.” Tirmidhiu.
Hadithi nuk lavdëron vetëm një përvojë të vetme të haxhit apo të umres, por një lidhje të përhershme me Shtëpinë e Allahut. Ndërsa varfëria e cekur në hadith është:
- Varfëria materiale. Allahu ia zëvendëson haxhiut dhe umrexhiut atë që shpenzojnë, me bereqet dhe furnizim. Kjo i përgjigjet ajetit: “Çfarëdo që shpenzoni, Ai jua zëvendëson” (Sebe’, 39).
- Varfëria e shpirtit. Allahu ia pasuron zemrën, me kënaqësi dhe pavarësi nga njerëzit. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pasuria nuk është në shumicën e sendeve, por pasuria e vërtetë është pasuria e shpirtit.” Buhariu dhe Muslimi.
Njerëzit shpesh mendojnë dhe thonë: «Nëse shpenzoj kaq për umren, do të më mungojë kjo dhe nuk do ta kem atë…» Hadithi premton të kundërtën. Shumë njerëz që kanë shpenzuar për haxh dhe umre dëshmojnë se furnizimi i tyre nuk është pakësuar, por ka pasur më shumë bereqet.
Premtimi për largimin e varfërisë nuk është ftesë për t’u zhytur në borxhe ose për të lënë pas dore detyrimet ndaj familjes. Dijetarët e kanë theksuar se haxhi dhe umreja kërkojnë mundësi, dhe se përmbushja e të drejtave të të tjerëve gjithmonë merret në konsideratë. Premtimi i bereqetit vlen për atë që shpenzon nga hallalli dhe brenda mundësive të veta.
Transmetohet nga Aisheja, radijAllahu anha, se i Dërguari i Allahut ﷺ i tha asaj për umren e saj: “Shpërblimi yt është sipas lodhjes dhe shpenzimit tënd.” Hakimi, i cili e cilësoi hadithin si të saktë.
4. Shpërblimi i tavafit
Nga Ibn Umeri, nga Profeti ﷺ, i cili ka thënë: “Kush bën tavaf rreth Qabes: për çdo këmbë (hap) që ngre dhe çdo këmbë që vë, Allahu i shkruan atij një të mirë, i fal një mëkat dhe i ngre një shkallë.” Tirmidhiu dhe Ahmedi, Ahmed Shakir e cilësoi si hasen.
Shpërblimi lidhet me një tavaf të plotë, me shtatë xhiro (rrotullime). Kjo i ngjan hadithit të Muslimit për atë që shkon në xhami: “Njëri hap i tij i fal një gabim dhe tjetri i ngre një shkallë.” Dijetarët nxjerrin nga këto hadithe një parim: lëvizja e trupit në adhurim ka shpërblim më vete. Prandaj disa prej tyre e kanë konsideruar më të mirë tavafin në këmbë për atë që mundet.
Kur je në tavaf dhe turma lëviz ngadalë, mos u mërzit. Sa më shumë hapa, aq më shumë të mira, falje dhe shkallë. Kush e kupton këtë hadith nuk e sheh turmën si pengesë. Ai e sheh tavafin si thesar që po shtohet me çdo hap. Në tavaf nuk ka garë. Ai që ecën ngadalë, me qetësi dhe me zemër të pranishme, nuk humb asgjë, sepse çdo hap i tij shënohet. Kjo vlen edhe në jetë: rëndësi ka vazhdimësia e hapave të mirë, jo shpejtësia e arritjes.
5. Vlera e dy xhamive të shenjta
Nga Xhabiri, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Namazi në këtë xhami timen është më i mirë se një mijë namaze në të tjerat, përveç Mesxhidul-Haramit (Qabes), dhe namazi në Mesxhid el-Haram është më i mirë se njëqind mijë namaze në të tjerat.” Ibn Maxheh dhe Ahmedi me zinxhirë të saktë të transmetimit.
Kur e kupton këtë llogari, ndryshon mënyra si e kalon kohën në Medine dhe Meke. Çdo namaz që humbet në biseda të kota, në dyqan ose në gjumë të tepërt është një humbje e madhe. Haxhiu ose umrexhiu i mençur e planifikon ditën sipas namazeve, jo sipas pazarit. Madje vlera dhe shpërblimi i madh nuk është vetëm te namazi, sepse te Buhariu dhe Muslimi thuhet se ai që pret namazin konsiderohet sikur është në namaz. Kush shkon herët në Harem fiton kohën e pritjes, dhikrin dhe lutjen.
Allahu e di më mirë.
Përgatiti: Ali Ashani
