1.6K
Mosrespektimi i prindërve ka forma të ndryshme siç është:
- Thënia e ndonjë fjale apo veprimi i ndonjë vepre me të cilën ti do t’i bësh që ata të qajnë apo do t’i bësh të pikëlluar.
- Ngritja e zërit ndaj tyre dhe vrazhdëisa ndaj tyre, ashtusiç ka ardhur në Kur’an: “dhe as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre dhe thuaju atyre fjalë të buta respekti.” (el Israa 23)
- Mosndëgjimi kur ata të urdhërojnë për diçka: Dhe kjo është në kundërshtim me atë në të cilën na urdhëron All-llahu. Sa e sa prej njerëzve ka që kur prindi e urdhëron për diçka, ai thotë: “of” dhe për këtë shkak All-llahu e ka përmendur që prindërve të mos ju thuhet as një fjalë e vogël siç është fjala “Of” dhe lëre t’u thuhet prindërve diçka më e rëndë dhe më e keqe sesa kjo fjalë. Thotë All-llahu: “Dhe mos u thuaj atyre as “Of”. (el Israa 23)
- Ndejtja me prindët me fytyrë të mrolur: Disa njerëz kur janë me shoqëri apo me kolegët në punë janë të buzëqeshur dhe sillen mirë dhe flasin fjalë të ëmbla, ndërsa kur hyjnë në shtëpi bëhen sikurse një luan agresorë. Fytyra e tij është e mrolur dhe sjellja e tij është e ashpër, e gjithë kjo është në kundërshtim me Islamin.
- Nënçmimi i prindërve: Qoftë ai nënçmim vetëm me sy pa e shprehur me gojë apo me vepër.
- Biri apo bija ta urdhërojnë prindin që të bëj diçka, siç është pastrimi i shtëpisë, ose larja e teshave ose ta përgatisë ushqimin. E gjithë kjo nuk i takon që biri apo e bija ta urdhërojnë nënën e tyre që ta bëj ndonjë prej këtyre veprave, veçanarisht nëse nëna e tyre është plakë, e lodhur apo e sëmurë, ndërsa nëse nëna vullnetarisht bën ndonjë prej këtyre veprave dhe ka mundësi që ta bën, pra është e shëndoshë dhe ka mundësi, në këtë rast nuk është problem që të punojë duke patur parasysh obligimin e birit (bijës) ndaj nënës që ta falënderoj dhe të bëj dua për atë.
- Sharja (fyerja) e ushqimit që e ka përgatitur nëna: Kësaj vepre duhet që njeriu t’i largohet për dy shkaqe. Shkaku i parë është se me këtë vepër shahet ushqimi, ndërsa neve na ka mësuar Feja Islame se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) asnjëherë nuk e ka fyer ushqimin, nëse i ka pëlqyer ai ushqim e ka ngrënë dhe nëse nuk i ka pëlqyer e ka lënë. Shkaku i dytë është se kjo vepër është vepër që tregon mosrespektim dhe nënçmim ndaj nënës.
- Mosndihmimi ndaj prindërve në punët e shtëpisë: Kjo përfshin shumë gjëra siç është ndihma ndaj tyre në rregullimin e shtëpisë dhe pastrimin e saj apo përgatitjen e ushqimit dhe kështu me rradhë. Disa djem All-llahu i udhëzoftë nuk prekin asnjë punë në shtëpi duke u argumentuar dhe duke thënë se kinse të punuarit dhe ndihma në shtëpi ia rrëzon burrërinë, ndërsa disa vajza All-llahu i udhëzoftë shohin se si nëna e saj lodhet duke i bërë punët e shtëpisë dhe nuk i ndihmon asaj, ndërsa nga ana tjetër këta vajza kalojnë orë të tëra përpara ekraneve televizive apo në internet dhe duke i lënë nënat e tyre të stërlodhen duke punuar.
- Kthyerja e fytyrës mënjanë kur të drejtohet prindi: Kjo nënkupton që kur prindi flet me ty dhe të drejtohet për diçka, nuk është e lejuar që ti ta kthesh fytyrën tënde mënjanë, sepse kjo është shenjë mosrespekti ndaj prindit ose shenjë se ti e përgënjeshtron atë. Gjithashtu këtu hyn edhe polemizimi me prindët dhe kacafytja me ta.
- Mosmarrja parasyshë e mendimit të tyre: Ka shumë njerëz që nuk përfillin mendimin e prindit dhe as nuk mer leje prej tyre në çfardo çështje, qoftë ajo çështje që ka të bëj me martesën ose me ndarjen (divorcin), ose daljes prej shtëpisë dhe banimi në ndonjë vendbanim tjetër ose dalja me shokët dikund dhe kështu me rradhë.
- Mosmarrja e lejes per të hyrë ne dhomën e nënës apo babait: Kjo bie në kundërshtim me edukatën bazë që njeriu duhet ta ketë në respektimin ndaj prindërve, sepse ka gjasa që njëri prind apo të dy prindët të jenë në gjendje në të cilën ata s’kanë dëshirë që të shihen prej askujt.
- Shpalimi i problemeve para tyre (prindërve): Qofshin këta probleme me vëllezërit apo me bashkëshorten ose me fëmijët e kështu me rradhë. Disa njerëz për çdo problem të madh apo të vogël e shpalojnë përpara prindëve të tij dhe ska dyshim se kjo është një gjë e cila i lodh prindët.
- Të folurit para njerëzve për nënën dhe babain duke ua përmendur mangësitë e tyre: Ka njeri që kur dështon në punë apo në studime fillon që t’i shajë dhe t’i përmend mangësitë e prindërve dhe në këtë mënyrë duke gjetur arsyetim për dështimin e tij duke fajësuar prindët për këtë dështim dhe duke thënë se nuk është edukuar prej prindërve ashtusiç duhet.
- Sharja e prindërve dhe mallkimi i tyre: Kjo mund që të ndodh në mënyrë direkte apo në mënyrë indirekte kur njeriu ia shanë nënën dikujt dhe ai ia kthen atij duke ia sharë nënën sharësit të parë. Transmetohet prej Abdullah ibn Omeri r.a se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Prej gjunaheve të mëdha është sharja e njeriut ndaj babait të tij” i thanë: “Po vallë a i shanë njeriu prindët e vet?” Pejgamberi tha: “Po! Ky ia shanë babain dikujt dhe ai tjetri ia kthen dhe ia shanë këtij nënën dhe babain”. (Transmeton Buhari 5973)
- Futja e gjërave të ndaluara në shtëpi: Këtu bëjnë pjesë të gjitha gjërat që janë të ndaluara siç janë: duhani, droga, lojrat e ndaluara apo mjetet muzikore, gjëra me të cilat njeriu fillimisht i bën dëm vetes së tij dhe më pastaj vëllezërve dhe antarëve të tjerë të familjes dhe të cilat janë shkak i devijimit të fëmijve dhe familjes në përgjithësi.
- Bërja e gjërave të ndaluara (harameve) përpara prindërve: Këtu bën pjesë pirja e duhanit përpara prindërve ose ndëgjimi i muzikës në prezencë të tyre ose fjetja gjatë kohës së namazit duke refuzuar që të çohet për tu falur. Gjithashtu këtu bën pjesë edhe futja e shoqërisë së keqe në shtëpi dhe të gjitha këta janë argument se biri apo bija nuk kanë turp prej nënës dhe babait.
- Prishja e auotoritetit të prindërve: Dhe kjo ndodh duke bërë biri apo bija vepra të këqija të pandershme me të cilat njeriu turpërohet, vepra siç është vrasja, amoraliteti me të cilën njeriu ndoshta përfundon në burg. Ska dyshim se këta vepra i hidhërojnë dhe i pikëllojnë prindët, ndërsa hidhërimi dhe pikëllimi i prindëve është haram.
- Vendosja e prindërve në pozita të vështira: Si për shembull kur i biri apo bija mer borxh dhe nuk e kthen borxhin apo sjellja e keqe në rrugë apo në shkollë e kështu me rradhë.
- Qëndrimi jashtë shtëpisë një kohë të gjatë: Kjo është një gjë e cila i mundon prindët dhe i lodh ata, sepse kur djali mungon në shtëpi për kohë të gjatë ndodh që prindi të ketë ndonjë nevojë të caktuar dhe nuk gjen askënd që t’ia kryej atë nevojë.
- Kërkesat e tepërta që i kërkon djali (vajza) prej prindërve: Ka njerëz që shumë kërkojnë prej prindërve të tyre dhe i lodhin ata me këta kërkesa, sepse ndodh që prindët të mos kenë pasuri të majftueshme për t’iu përgjigjur kërkesave dhe në këtë mënyrë i biri kërkon motor, veturë, martesë ose shtëpi siç kanë shokët e tij dhe në këtë mënyrë i vendos prindët e tij në pozitë të palakmueshme.
Nga: Muhammed el Hamed
Përktheu: Enis Arifi