Ndërto dashurinë tënde ndaj Allahut mbi baza të shëndosha!
Me keqardhje them që shumë prej atyre që përkatësohen në Islam, kushtëzojnë dashurinë e tyre ndaj Allahut me vazhdueshmërinë e interesave dhe mirësive të kësaj bote.
Pra, ata e ndërtojnë këtë “shtëpi” (dashurinë ndaj Allahut) mbi pesë baza: Pasuri, shëndet, liri, stabilitet në familje dhe pozitë në shoqëri. Ejani të meditojmë pak! Secila prej këtyre bazave, a nuk ka përballë nga një të kundërt të saj? Ata që ndërtojnë këtë dashuri mbi këto baza, a nuk janë të kërcenuar në çdo moment me:
- Varfëri – e cila qëndron përballë pasurisë
- Sëmundje – e cila qëndron përballë shëndetit
- Probleme – të cilat qëndrojnë përballë stabilitetit?
Çfarë do të ndodh atëherë kur sprovohen me humbjen e të paktën njërën prej këtyre bazave? Do të rrënohet shtëpia, që do të thotë rrënohet dashuria ndaj Allahut në zemrën e atij që ka kushtëzuar këtë dashuri.
Atëherë, si të di se dashuria ime ndaj Allahut mund të jetë e kërcenuar që të
rrënohet në çdo çast? Si të kuptoj se ndoshta e kam ndërtuar atë në baza të
dunjasë dhe e kam kushtëzuar atë me vazhdueshmërinë e mirësive?
Me të vërtetë, sprovat janë ato të cilat të na ndihmojnë në këtë çështje. Kjo është një prej mirësive të Allahut, që bie mbi ne përmes sprovave.
Të shikojmë atëherë kur sprovohemi, dhe i bëjmë lutje Allahut duke kërkuar që të na largoj sprovën dhe të na e kthej mirësinë. Mirëpo, Allahu e bën kader që kjo sprovë të zgjasë e të vështirësohet, dhe këtu ne do ta kuptojmë se a është dashuria jonë ndaj Allahut e kushtëzuar me mirësitë dhe interesat e dunjasë apo jo.
Unë (autori) papritmas u përballa me privim nga liria, familja, fëmijet, shoqëria, pasuria dhe puna. Fillova të lus Allahun, por sprova më zgjati më shumë sesa që unë mendoja. Ky fakt më vuri përpara një pyetje të rëndësishme: Tani, pas këtij privimi, a vazhdoj të dua Allahun njësoj!?
Kjo pyetje më bëri që të peshoj sesa është e pranueshme tek unë ky realitet, që pastaj të mundohem të ndërtoj dashurinë time ndaj Allahut mbi baza të sakta, të shëndosha, të qëndrueshme.
Më thuani, për hirë të Allahut: A do ta blenit një shtëpi duke e ditur se ajo është ndërtuar mbi shtylla të dobëta të cilat në çdo moment mund të rrënohen?! E si thoni për dashurinë ndaj Allahut, për të cilën jemi krijuar?!
Jemi krijuar që ta adhurojmë Allahun, e adhurimi është dashuri, madhërim dhe bindje. A jemi të gatshëm që ta duam Allahun, mbi ato baza të cilat në çdo çast mund të rrënohen dhe si rrjedhojë të zhduket edhe kjo dashuri?!
Patjetër që duam të ndërtojmë dashurinë ndaj Allahut mbi baza të shëndosha të cilat janë të shumta, disa prej tyre:
- Bindja se vetëm Allahut i takon adhurimi përshkak të qenies së Tij madhështore, të medituarit rreth emrave dhe cilësive të Tij si dhe rreth gjurmëve që rrjedhin prej tyre. Kjo njëherit është baza më madhështore në ndërtimin e dashurisë ndaj Allahut.
- Lidhja e zemrës me Ahiretin dhe mirësite e tij.
- Mirënjohja ndaj Allahut për mirësinë më të madhe, udhëzimin.
- Mirënjohja ndaj Allahut për mirësitë që na i ka dhënë në të kaluarën, duke i mbyllur sytë para gjendjës aktuale dhe asaj të ardhme.
- Të qenurit i vetëdijshëm se mirësitë e Allahut mbi ne janë të panumërta. Pavarsisht asaj që kemi humbur dhe jemi privuar prej saj, të jemi të bindur se jemi të mbuluar me begatitë e Allahut.
- Të përkujtuarit e rasteve kur qartë e kemi parë mëshirën e Allahut mbi ne, largimin e dëmeve, mbulimin që Allahu na e bën, ku si rrjedhojë na duan njerëzit. Të meditojmë shpesh rreth asaj se çdo e mirë që posedojm është prej Allahut.
E shihni se të gjitha këto baza janë të qëndrueshme, nuk kanë përballë ndonjë rrënues të tyre, nuk ndryshojnë dhe nuk kërcënohen me zhdukje.
Të ndërtojmë dashurinë ndaj Allahut mbi këtë baza dhe do të jemi të sigurtë, të qetë.
Është e vërtetë se dashuria ndaj Allahut mund të shtohet nëse të jepet ndonjë mirësi apo të largohet ndonjë sprovë. Mirëpo, a do të thotë kjo se këto dyja janë baza mbi të cilat duhet të ndërtojmë dashurinë tonë esenciale ndaj Allahut?!
Jo, asnjëherë!
Ndërto mbi baza të shëndosha, të sigurta, të cilat nuk rrënohen bashkë me ndryshimet (e çështjeve të dunjasë).
Përktheu dhe përmblodhi: E.Kosumi
Lexo edhe: SI TA DUA PEJGAMBERIN (SALALLAHU ALEJHI VE SEL-LEM)?