Fjala Sunet vjen nga fjala arabe (السنة) “Sunneh” që don të thotë “Rrugë” apo “Mënyrë” qoftë e mirë apo e keqe. Thotë Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Kush nxjerr në Islam një sunet të mirë me të cilin punohet pas tij, i shkruhet atij shpërblimi i atyre që punojnë sipas tij duke mos iu pakësuar asgjë prej shpërblimeve të tyre, dhe kush nxerr në Islam një sunet të keq dhe punohet sipas tij, i shkruhet atij gjunahi i atyre që punojnë sipas tij duke mos iu pakësuar asgjë prej gjunahit të tyre”. (Muslimi)
Ndërsa në fjalorin e Sheriatit Sunet quhet çdo vepër që e ka urdhëruar Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ose ka nxitur në veprimin e saj me fjalë apo me vepër.
Gjithashtu Sunet quhet edhe ajo në të cilën kanë qenë sahabët dhe rreth së cilës ata kanë patur koncenzus siç është mbledhja dhe shkrimi i Kur’anit në letër, në këtë aludon edhe fjala e Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Kapuni për Sunetin tim dhe Sunetin e halifeve të drejtë dhe udhëzues pas meje…”
Poashtu Sunet quhet edhe e kundërta e bidatit dhe te bidati bëjnë pjesë të gjitha veprat e shpikura në fe.
Sunet poashtu quhen veprat të cilat nuk janë farz (të obligueshme) apo vaxhib domethënë janë vepra nafile për të cilat Pejgamberi ka nxitur që të veprohen.
Tek dijetarët e hadithit Sunet është ajo që ka ardhur nga Pejgamberi qoftë fjalë, vepër apo pajtim i tij rreth ndonjë çështje ose veçori e tij fizike apo morale.
Tek dijetarët e Usulit, Sunet quhet çdo vepër e Pejgamberit e cila mund që të jetë si argument rreth ndonjë dispozite të Sheriatit.
Tek jurispondentët Islam Suneti është një prej pesë dispozitave që kanë të bëjnë me fenë, ata janë: Vaxhibi, harami, suneti, mekruhi, mubahi.
Përgatiti: Enis Arifi