“ A nuk e studiojnë me vëmendje Kur’anin apo kanë dryna në zemrat e tyre!” (Muhammed:24)
Kur’ani është udhëzues për njerëzimin dhe nuk është parësore vetëm t’a recitojmë, por edhe ta kuptojmë dhe zbatojmë atë në jetët tona. Në vijim përmendim dhjetë gjërat e para, që ne mund t’i humbasim çdo ditë, nëse nuk e kuptojmë Kur’anin Famëlarte.
1.Qëllmi i shpalljes
Nëse ne vazhdojmë t’a lexojmë Ku’anin pa e kuptuar, atëherë është humbur qëllimi parimor i shpalljes. Thotë Allahu :
“ (Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e Tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.”(Sad:29)
2. Kopshti i mendjes
Mendja është sikur një kopsht. Nëse ne nuk mbjellim lule, atëherë bari i keq do të zërë vend në të, mirëpo edhe nëse mbjellim lule, përsëri bari i keq mund të rritet.
Prandaj ne vazhdimisht duhet të kujdesemi që t’a largojmë atë. Lulet janë udhëzimi, kurse bari i keq janë mendimet djallëzore. Allahu mbjell fara lulesh në trurin tonë sa herë që dëgjojmë Kur’an, posaçërisht në namaz. E nëse nuk i ujisim atëherë lulet do të thahen, ndërsa bari i keq do të lulëzoj.
3.Qëllmi i recitimit
Ekzistojnë disa qëllime se përse e recitojmë Kur’anin:
- për t’i ngjallur dispozitat e tij në jetën tonë
- për të marrë shpërblime nga Allahu,
- për të fituar njohuri,
- për të ndërmarrë veprime, duke u bazuar në atë se çfarë kërkon Allahu nga ne,
- për të kuruar zemrën e mendjen
E si mund t’i arrijmë të gjitha këto, veçanërisht katër të fundit, nëse nuk e kuptojmë Kur’anin.
4. Pastrimi i zemrës
Ne kemi njohuri për vlerën e namazit të sabahut në xhami, por shumë pak nga ne e praktikojmë. Pse? Jo sepse nuk e dijmë, por zemrat na janë ndryshkur. Ne kemi një mendim të gabuar se Kur’ani është vetëm një libër i urdhërave. Ajetet që kanë të bëjnë me urdhëresa, përbëjnë më pak se 10% prej tyre, ndërsa pjesa tjetër 90% është për zemrën dhe mendjen.
Andaj kemi nevojë për frenim dhe riorganizim. Sepse zemra vazhdon të ndryshket dhe të devijojë për shkak të mëkateve.
Ademit (alejhi selam) i’u ndalua të shkoj tek druri, ashtu siç thotë edhe Allahu:
“ Ne i patëm urdhëruar edhe Ademit (të mos i afrohej drurit), po ai harroi, pra te ai nuk gjetëm vendosmëri.“ (Ta Ha:11).
Ne njerëzit i kemi këto dobësi dhe kemi disa sprova që na rrethojnë. Prandaj kemi nevojë për rikujtime dhe paralajmërime të vazhdueshme, të cilat na vijnë përmes recitimit dhe dëgjimit të përditshëm të Kur’anit. Thotë Allahu për Kur’anin:
“...Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj .“ (Junus:57).
A mund të ketë një ilaç më të mirë sesa ajo që Allahu ka përshkruar për ne?
5. Forcimi i zemrës
Kur’ani i zbriti të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) pjesë-pjesë:
“E ata që nuk besuan thanë: “Përse të mos i ketë zbritur atij (Muhammedit) Kur’ani përnjëherë? Ashtu (e zbritëm pjesë-pjesë) që me të t’a forcojmë zemrën tënde dhe Ne e sollëm atë ajet pas ajeti”. (Furkan:32).
6. Bisedat ditore me Kur’anin
Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka bashkëvepruar me atë që ka recituar.
“Dhe kur ai recitonte ajete që i referoheshin Lavdisë së Allahut, ai e Lavdëronte Atë, më të Madhin, dhe kur ai recitonte ajete ku përmendeshin lutje, ai lutej, dhe kur recitonte ajete që përmendnin kërkimin e strehimit tek Allahu, ai kërkonte strehimin e Tij.” (Transmeton Muslimi)
A mund të jetojmë ne pa folur të paktën pesë minuta çdo ditë me njerëzit tanë të afërt dhe të dashur? Allahu është më i dashuri për ne. Dashuria e Tij është shumë më e madhe sesa dashuria e nënës ndaj evladit. Kurse ne ende vazhdojmë të jetojmë duke mos u mërzitur se çfarë na tha sot Allahu gjatë namazit.
7. Udhëzues për jetën
Çfarëdo që ne lexojmë apo dëgjojmë nga Kur’ani, mos harrojmë se është një udhëzim i drejtëpërdrejtë, për çdo individ nga ana e Allahut. Është me të vërtetë një humbje e madhe nëse dikush nuk e vlerëson udhëzimin e drejtëpërdrejtë nga Allahu, Krijuesi i çdo gjëje.
8. Raporti me Allahun
Ekzistojnë dimensione të ndryshme të raportit me Allahun si p.sh: dashuria dhe sinqeriteti ndaj Tij, meditimi mbi krijimin, mbi cilësitë e emrave të Tij, pajtimi me caktimin e Tij etj. Këto relacione forcohen me kalimin e kohës. Mirëpo kjo kërkon përgatitje të ngadaltë dhe të qëndrueshme.
9. Karakteri Kur’anor
Aishe (radijallahu anha) ka thënë:
“Morali i Pejgamberit ishte Kur’ani.”
Kur’ani ishte jeta tij, ndërsa jeta e Pejgamberit( sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ishte demonstrim praktik i kësaj. Ne duhet të studiojmë jetën e Pejgamberit dhe të lidhim ajetet që mësojnë rreth jetës e tij. Ky është një projekt në vete dhe kërkon nga njeriu të meditojë rreth ajeteve çdo ditë së bashku me mësimin e jetës së Pejgamberit .
10. Vizioni Kur’anor
Kur pacienti fillon të përshkruaj dhimbjet e tij, mendja e mjekut fillon të diagnostifikoj sëmundjen dhe të jep ilaçet përkatëse. Ngjashëm me këtë, ne hasim në situata të ndryshme gjatë jetës. Dhe duhet të jemi në gjendje që zgjidhjet e këtyre situatave t’i shohim në Kur’an. E ky vizion mund të arrihet vetëm përmes meditimit të vazhdueshëm dhe lidhjes së Kur’anit me jetën e përditshme.
Përktheu: J.I