Dhjetë netët e fundit të Ramazanit (I)

by Uniteti-Admin

Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, ndërsa paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Ja pra kaluan nga ky muaj i bekuar njëzet ditë dhe nuk mbetëm veçse dhjetë ditë, por ditët e mbetura janë ditët më të mira të këtij muaji, dhe netët e mbetura janë netët më të mira të tërë vitit.

Nuk janë shumë larg ditët kur ne me hare dhe gëzim të madh e prisnim muajin e Ramazanit, ja pra për një çast ai erdhi dhe kaloi një pjesë e madhe e tij dhe nuk mbetën veçse edhe disa ditë dhe ai do të kalojë i tëri.

Me të vërtetë ka nga njerëzit që i kanë shfrytëzuar ditët e kaluara nga ky muaj, ku ata agjëruan gjatë ditës, falnin namaz gjatë natës, dhanë lëmoshë, lexuan Kuran, shpejtuan në punë të mira, u larguan nga veset dhe punët e liga. Këta janë ata që kanë përfituar gjatë këtyre ditëve, prandaj le të vazhdojnë kështu apo edhe më mirë deri në fund të këtij muaji.

Por kemi edhe një grup tjetër, i cili nuk i shfrytëzoi ditët që kaluan, nuk ishin të përpiktë në agjërim, nuk i dhanë rëndësi namazit, nuk lexuan Kuran, ishin koprracë dhe nuk dhanë lëmoshë. Ky grup me të vërtetë ka dështuar dhe ka bërë një gabim shumë të madh por megjithatë nuk duhet t’i humbasin shpresat, meqë Allahu u ka mundësuar atyre ta arrijnë këtë dhjetëditësh të fundit, të cilin Allahu e ka lënë për ata që dëshirojnë të përmirësohen dhe të pendohen. Le t’i kthehen Allahut me sinqeritet, le të fillojnë me punë të mira në ditët e mbetura, le t’i shfrytëzojnë këto ditë ashtu siç dëshiron Allahu, padyshim se Ai do t’i falë, sepse veprat me të vërtetë vlerësohen sipas përfundimit.

Veçoritë e dhjetëditëshit të fundit

Këto ditë kanë veçori të shumta, ndërsa ne do të përmendim disa nga ato:

1-      Në këto ditë zbriti Kurani Famëlartë

Me të vërtetë Kurani zbriti në Natën e Kadrit, ndërsa Nata e Kadrit është në dhjetëditëshin e fundit të muajit të Ramazanit. Allahu  thotë: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit.” (Kadr:1). Gjithashtu Allahu  thotë: “Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në Natën e begatshme të Kadrit). Ne dëshiruam t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm.” (Duhan:3). Zbritja e Kuranit në dhjetëditëshin e fundit është një ndër veçoritë më të mëdha të këtyre ditëve, pasi Kurani është një libër, i cili është dritë dhe udhëzim. Me këtë libër Allahu i Madhëruar e nxorri njerëzimin nga errësira në dritë, ua qartësoi atyre rrugën e vërtetë, që ta pasojnë atë, dhe ua qartësoi rrugën e pavërtetë dhe humbjen, me qëllim që të largohen nga ajo.

Allahu  thotë: “Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).” (Bekare:185). Gjithashtu thotë: “Allahu e vë me atë (me Kuranin) në rrugët e shpëtimit atë që ndjek kënaqësinë e tij dhe me ndihmën e Tij i nxjerr ata prej errësirave në dritë dhe i udhëzon në një rrugë që është e drejtë.”  (Maide: 16).

Kurani është shërim i plotë për të gjitha sëmundjet, pa marrë parasysh a janë ato sëmundje fizike apo psiqike dhe e mohon këtë gjë vetëm njeriu i paditur apo mendjemadh. Allahu  thotë: “Ne të shpallim Kuranin, që është shërim për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërimit.” (Isra: 82). Gjithashtu thotë: “O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kurani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.” (Junus:57).

Prandaj një libër si ky duhet të besohet bindshëm, të meditohet mbi ajetet e tij, të lexohet në mënyrën më të bukur, të gjykojmë me të, të jemi të kënaqur me gjykimin e tij, të mos kemi asnjë grimcë dyshimi në të, por të jemi të kënaqur me të si libër dhe me gjithë atë çka na mëson, urdhëron apo ndalon. Allahu  thotë: “Thuaj: “Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata.”  (Junus: 58).

 

2-      Nata e Kadrit

Ashtu sikurse Allahu i Madhëruar e zbriti Kuranin, gjithashtu e madhëroi edhe natën në të cilin filloi zbritjen ky libër dhe e quajti Nata e Kadrit, natë e cila ka një vlerë të madhe. Allahu  thotë:Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëj dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo  është paqe deri në agim të mëngjesit.” (Kadr: 1-5).

Në ajetet e lartpërmendura bëhet e qartë, se adhurimi në këtë natë është më i vlefshëm se adhurimi një mijë muaj jashtë saj, që është më tepër se 83 vite. Prandaj atij që i mundësohet ta shfrytëzojë këtë natë i është dhënë një mirësi e madhe, e me të vërtetë mirësitë e Allahut janë të mëdha. Dijetari i njohur Muhamed bin Saleh Uthejmin thotë: “Nga sureja Kadër mund të nxjerrim shumë dobi, që na e bëjnë të qartë vlerën e kësaj nate, e ndër ato janë:

– Allahu  në këtë natë zbriti Kuranin;

– Duke dëshiruar të na bëjë të qartë vlerën e saj, Allahu na tërheq vëmendjen duke pyetur: “E ç’të bëri ty të dijsh se ç’është nata e Kadrit?”;

– Kjo natë është më e vlefshme se një mijë muaj;

– Në këtë natë zbresin melekët, të cilët sjellin vetëm mëshirë, bereqet dhe dobi;

– Është paqe dhe është quajtur me këtë emër, si shkak i numrit të madh të njerëzve që Allahu do t’i falë dhe do t’i ruajë nga dënimi i Tij;

– Allahu për këtë natë ka zbritur një kaptinë të tërë, gjë që me të vërtetë e bën të qartë vlerën e kësaj nate.

 

3-      Çlirimi i Mekes dhe mposhtja e mushrikëve

Nga veçoritë e kësaj nate është ngadhënjimi i të vërtetës dhe shuarja e së kotës. Kjo ishte dita kur Muslimanët hynë në Meke, dhe e çliruan atë, dita nga ku filloi edhe përhapja e të vërtetës. Aty Allahu i Madhëruar i mposhti pabesimtarët dhe bestytnitë e tyre, u pastrua Qabja nga idhujt e shumtë që ishin në të, ku u larguan më shumë se treqind idhuj. Kështu u shndërrua në një vend ku thirret ezani, ku adhurohet vetëm Allahu, vend ku u shua politeizmi dhe mbizotëroi monoteizmi (teuhidi).

 

4-      Zelli në adhurim

Nga veçoritë e këtyre ditëve është, se i Dërguari i Allahut  ishte i përkushtuar në adhurim më shumë se ditët tjera. Na përcillet nga Aishja, se Pejgamberi  në dhjetëditëshin e fundit ishte më i përkushtushtuar në adhurim, se sa ditëve të tjera të vitit. (Buhariu, Muslimi). Gjithashtu Aishja na tregon se: Kur hynte dhjetë-netëshi i fundit i Ramazanit, Pejgamberi   e zgjonte familjen e tij, e paloste shtratin dhe e shtrëngonte brezin e tij (nuk flinte me gratë e veta).” Në këto hadithe me të vërtetë vërehet vlera e këtyre netëve, netë të cilat i Dërguari  i veçonte me adhurim, ku e shtonte namazin vullnetar, e shtonte leximin e Kuranit, jepte më shumë lëmoshë etj.

Me gjithë këtë mund që e jepte i Dërguari, kishte si qëllim kënaqjen e Allahut dhe arritjen e shpërblimit më të mirë në Natën e Kadrit, sepse ai që e kalon këtë natë me besim dhe shpreson në shpërblimin e Allahut, atij do t’i falen të gjithë mëkatet e bëra deri më tani.

Vazhdon…

Përktheu: Senad Ramadani

Të tjera