Dhjetë netët e fundit të Ramazanit (II)

by Uniteti-Admin

 

Çfarë jemi të detyruar të veprojmë gjatë këtyre ditëve

Siç u përmend më sipër, se Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) gjatë këtyre ditëve ishte i zellshëm në të gjitha llojet e ibadeteve, ai gjithashtu këto ditë i veçonte me disa vepra të veçanta. Ibn Rexhebi ndër të tjera përmend:

Gjallërimi i natës: Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të)  e kalonte natën duke e adhuruar Allahun, duke bërë dhikër, duke u përgatitur për syfyr, saqë Aishja na përcjell se: “Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të)  e përziente njëzetëditëshin e fundit me namaz nate dhe me gjumë por kur hynte dhjetëditëshi, nuk flinte por shtrëngonte rypin e tij[1].” (Ahmedi).

Edhe sot ne hasim njerëz që nuk flejnë gjatë Ramazanit, por koha e tyre fatkeqësisht nuk kalohet në adhurim, por kalohet nëpër kafene, apo duke ndjekur filma serial.

Zgjimi i familjes:  Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) përveç se e kalonte natën në adhurim, në këtë dhjetëditësh ai zgjonte edhe familjen e vet. Sufjan eth-Theuriu thotë: “Gjëja më e dashur për mua gjatë këtyre ditëve është që t’i kaloj ato në adhurim, duke dhënë maksimumin tim në të, por gjithashtu ta zgjoj edhe familjen që ta bëjnë edhe ata një vepër të tillë, nëse kanë mundësi.”

Na përcillet në librin Muvata se Omeri r.a. falej gjysmën e natës, pastaj zgjonte familjen e tij që të falen, duke u thënë: “Namazi, namazi” dhe lexonte fjalën e Allahut:  “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, ngase ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata), ardhmëria e mirë është e atij që ruhet.” (Taha:132).

Na tregohet që gruaja e Ebu Muhamed Habib el-Farisit i thoshte burrit të vet: “Kaloi edhe kjo natë, ndërsa neve na pret një udhëtim i gjatë, përgatitjet tona për këtë udhëtim janë të mangëta, karavanët e të mirëve (që bënë vepra të mira në Ramazan) na tejkaluan, ndërsa ne mbetëm prapa.”

Largimi nga gratë

Siç u bë e qartë në fillim, se Pejgamberi   i përkushtohej aq shumë adhurimit gjatë këtyre ditëve saqë nuk kishte kohë të flejë edhe me familjen e tij.

Kërkimi i natës së Kadrit dhe gjallërimi i saj me adhurim

Nga Suneti i të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) është kërkimi i Natës së Kadrit dhe gjallërimi i saj me adhurim. I Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit”. Gjithashtu ka thënë: “… ai i cili e kalon këtë natë me besim dhe shpreson në shpërblimin e Allahut, atij do t’i falen të gjithë mëkatet e bëra deri më tani.” Gjithashtu ju përkujtojmë se adhurimi në të është më i vlefshëm se një mijë muaj.

Kur është Nata e Kadrit

Nuk dihet sigurtë kur është kjo natë madhështore, vetëm se mund të themi që ajo është në dhjetëditëshin e fundit tek të muajit të Ramazanit. Muhamedi ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit tek të Ramazanit”.

Hafidh ibn Haxheri ka thënë: “Edhe pse ka shumë mendime të dijetarëve, se kur është Nata e Kadrit, mirëpo mendimi më i vërtetë është se ajo është në dhjetëditëshin e fundit tek të këtij muaji dhe ajo nuk është për çdo vit në një natë por ajo ndërron.” (d.m.th. mund të jetë një herë në natën e 25, herën tjetër në natën e 27, e kështu me radhë).

Arsyeja pse Allahu i Madhëruar nuk ua ka treguar robërve të vet cila është nata e Kadrit është se Allahu ua don të mirën robërve të vet dhe meqë ata nuk e dinë, bëjnë adhurim gjatë më shumë netëve, duke u munduar ta qëllojnë atë natë, ndërsa sikur ta dinin do të bënin adhurim vetëm në një natë.

Përktheu: Senad Ramadani

 


[1] Shenjë se është larguar nga marrëdhëniet intime.

Të tjera