Thotë ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) se shkaku më i madh që e hap gjoksin e njeriut është Teuhidi dhe aq sa i fortë është ai, aq edhe do të jetë edhe gjoksi i atij personit i gjerë. Thotë Allahu: “Atij të cilit Allahu ia ka hapur gjoksin, ai është në dritë prej Zotit të tij”. (ez Zumer 22) Dhe ka thënë poashtu: “Atë cilin Allahu don që t’a udhëzojë, atij ia hap gjoksin për në Islam dhe atë të cilin don që t’a devijojë, ia bën gjoksin të ngushtë sikurse me u ngjitur për në qiell”. (el En’aamë 125)
Pra udhëzimi dhe teuhidi janë prej shkaqeve më të mëdhaja për hapjen e gjoksit, ndërsa shirku dhe devijimi janë prej shkaqeve më të mëdhaja të ngushtësisë së gjoksit dhe ndjenjës së jorehatisë.
Dritën të cilën e vendos Allahu në zemrën e robit është dritë e imanit dhe kjo gjë e hap gjoksin dhe e zgjeron atë dhe e gëzon zemrën. Kur të humbet kjo dritë prej zemrës së besimtarit, atëherë ngushtohet gjoksi dhe nuk është i rehatshëm, në këtë rast zemra gjindet në burgun më të ngushtë dhe më të rëndë.
Transmeton Tirmidhiu se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur hyn drita në zemër, në zemër hapet vend dhe zgjerohet”, i thanë: “Cilat janë shenjat e kësaj o i Dërguar i Allahut?” Pejgamberi tha: “Kthimi për tek vendi i përhershëm (Xheneti) dhe largimi prej vendit të mashtrimit dhe përgatitja për vdekjen para se të vijë”.
Robit i hapet gjoksi aq sa ka dritë në zemrën e tij.
Prej gjërave që e hapin gjoksin është edhe dituria. Dituria e hap gjoksin, derisa e zgjeron sa dunjaja, ndërsa injoranca trashëgon ngushtësi, prangim dhe burgosje. Mirëpo gjoksin nuk e zgjeron secila dituri, por gjoksin e zgjeron dituria e cila na është trashëguar nga Pejgamberi dhe mu kjo është dituria e dobishme. Ata të cilët janë të pajisur me këtë dituri janë njerëzit që më së shumti i kanë gjoksat e hapur dhe i kanë zemrat më të gjera, e kanë moralin më të mirë dhe kanë jetë më të mirë.
Prej gjërave që e zgjerojnë gjoksin është edhe kthimi tek Allahu (subhanehu ue teala) dhe dashuria ndaj Tij me gjithë zemrën dhe ndjenja e kënaqësisë kur i kryen adhurimet ndaj Tij, pra nuk ka diçka që e zgjeron gjoksin e robit sikurse kjo gjë, derisa thotë robi ndonjëherë: “Nëse do të isha në Xhenet në këtë gjendje do të isha në jetë të mirë”. Dashuria ka ndikim të madh në zgjerimin e gjoksit, në jetë të mirë dhe në kënaqësi të zemrës dhe këtë gjë nuk e din askush përveç atij që e ka shijuar. Dhe çdoherë kur dashuria shtohet dhe forcohet edhe gjoksi zgjerohet.
Prej shkaqeve më të më mëdhaja që e ngushtojnë gjoksin janë largimi prej Allahut dhe lidhja e zemrës për dikë tjetër pos Allahut. Poashtu prej shkaqeve tjera është edhe neglizhenca në përmendjen së Tij dhe dashuria ndaj dikujt tjetër pos Tij dhe kush don dikë tjetër pos Allahut, do të dënohet me të dhe burgoset zemra e tij në atë dashuri që e ka në diçka tjetër pos Allahut. Nuk ka në tokë gjë më të pikëllueshme sesa kjo gjë. Kjo gjë sjell jetë të keqe dhe e lodh zemrën.
Dashuria është dy lloj:
- Dashuria ndaj Allahut me tërë zemrën është Xheneti i dunjasë dhe është gëzimi i shpirtit dhe ushqimi i tij, kjo dashuri është ilaçi i shpirtit, është kënaqësia e shpirtit.
- Dashuria ndaj dikujt tjetër pos Allahut është dënim i shpirtit dhe pikëllim për të. Është burg i zemrës, ngushtim i gjoksit. Kjo është shkak i dhimbjeve dhe shqetësimeve.
Prej shkaqeve të zgjerimit të gjoksit është vazhdimësia në përmendjen e Tij në çdo rast, në çdo vend, pra dhikri ka rëndësi të madhe në zgjerimin e gjoksit dhe në kënaqësinë e zemrës. Ndërsa neglizhenca ka ndikim të madh në ngushtimin e zemrës, në dënimin dhe burgosjen e saj.
Bërja mirë ndaj të tjerëve dhe ndihmesa ndaj tyre me pasuri, me autoritet, dhe me trup aq sa ka njeriu mundësi, është gjë që njeriut ia zgjeron gjoksin dhe ia kënaq zemrën, ndërsa kopraci i cili nuk është bamirës ndaj njerëzve, ai njeri është prej atyre që e kanë gjoksin më të ngushtë dhe kanë jetë më të keqe dhe të cilët janë më të mërzitur dhe më të pikëlluar.
Trimëria është një virtyt i besimtarit të mirë, me të vërtetë trimi ka gjoks të hapur, ka zemër të gjerë, ndërsa frikacaku është prej njerëzve që kanë gjoks më të ngushtë dhe s’ka as gëzim dhe as kënaqësi dhe as nuk ndjen kënaqësi të vërtetë, përveçse ndjen kënaqësi të cilën të cilën e ndjejnë kafshët. Gëzimi shpirtëror dhe lezeti nuk gjinden tek frikacaku dhe tek kopraci dhe as nuk gjinden tek secili person i cili është i larguar prej Allahut dhe i cili është neglizhent prej dhikrit të Allahut dhe prej secilit që është injorant në fenë e Allahut, prej atij që është injorant në emrat dhe në cilësitë e Allahut. Ai që e ka zemrën e lidhur për Allahun, varrin e ka kopsht Xheneti, ndërsa ai që është larg prej Allahut varrin e ka vend dënimi dhe burg.
Obligohet muslimani që të largoj prej zemrës së tij çdo cilësi të pahijshme të cilat çojnë në ngushtimin e gjoksit.
Lërja e shikimit në haram, apo ndëgjimit haram, ose teprimit në të folur, ndëgjimit të haramit janë gjëra që e ngushtojnë gjoksin. Haja dhe pija e tepërt, gjumi i tepërt e pikëllojnë zemrën dhe e burgosin atë. Dhe shumica e dënimit me të cilën njeriu dënohet në dunja është si shkak i atyre që i përmendëm më lart. Ai që goditet me këta që i përmendëm ka jetë të keqe dhe është në hall të keq dhe ka zemër të pikëlluar. Këtë e ka sqaruar Allahu kur ka thënë: “Të mirët janë në kënaqësi ” (el Infitar 13) dhe ka thënë për grupin tjetër: “Të këqinjtë janë në Xhehenem” (el Infitar 14), ndërsa mes këtyre dy grupeve ka dallim të madh në grada, dallim të cilin e din vetëm Allahu i Lartësuar.
Pejgamberi kishte moralin më të mirë dhe kishte çdo cilësi me të cilën fitohet zgjerimi i gjoksit, gjerësia e zemrës dhe kënaqësia e syve.
Ata që kanë moral më të përkryer kanë zgjerim më të përkryer të gjoksit, dhe në kulmin e përkryerjes morale dhe zemërgjerësisë dhe zgjerimit të gjoksit është Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).
Me pasimin e Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) Allahu na ka premtuar se do të na ruaj, dhe Allahu do t’a ruaj secilin që del në mbrojtje të Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Kush gjen hajrin le t’a falënderoj Allahun dhe kush e gjen sherrin mos të fajësoj askënd tjetër përveç vetes së tij.
Nga: ibn-ul Kajjim
Përktheu: Enis Arifi