Dhjetë shkaqe që të ndihmojnë të durosh gjatë sprovave

by Uniteti-Admin

Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë) në Librin e tij “Tarik el Hixhretejn” thotë: “Dhe durimi ndaj musibeteve (sprovave) përfitohet nga disa shkaqe:

E para: Njohja dhe përjetimi i shpërblimit të durimit

E dyta: Njohja dhe përjetimi i shlyerjes së mëkateve që i sjell durimi.

E treta: Njohja se ajo që të ka goditur ka qenë e caktuar në Umm el-Kitab (Në Librin ku është shënuar çdo gjë) përpara se të krijohesh dhe se duhet të ndodh patjetër, pra dëshpërimi nuk bën gjë, vetëmse e shton musibetin.

E katërta: Njohja e obligimit që e ka robi ndaj Allahut, pra është i obliguar që të duron gjatë musibeteve dhe për këtë nuk ka polemikë mes muslimanëve, apo të duron dhe të jetë i kënaqur, kjo sipas mendimit tjetër të dijetarëve. Robi është i urdhëruar që t’ia jep hakun Allahut dhe njëkohësisht t’a adhuron Atë përgjatë këtij musibeti, përndryshe vetëmse do ti shtohet musibeti.

E pesta: Njohja se shkaku i musibetit është mëkati i tij, siç ka thënë Allahu në Kur’an:

{وما أصابكم من مصيبة فبما كسبت أيديكم}

“Dhe çka ju godet nga musibetet vjen nga ajo që e keni vepruar”.[1]

Dhe ky ajet është i përgjithshëm si për musibete të mëdha, poashtu edhe për musibete të vogla dhe këtë gjë robi duhet t’a përjeton me kërkim të faljes, pra me Istigfar, sepse Istigfari është prej gjërave të cilat më së shumti i pengon musibetet. Thotë Ali ibn ebi Talib: “Nuk zbret musibeti, vetëmse nga mëkatet dhe nuk e largon musibetin, vetëmse pendimi”.

E gjashta: Njeriu duhet t’a dijë se Allahu e ka caktuar atë musibet për të dhe se Ai ka dëshiruar që të ndodh, pra prej adhurimit konsiderohet që robi të jetë i kënaqur me atë që është i kënaqur Krijuesi i tij, ndërsa nëse nuk ka mundësi t’a bën këtë, ajo është rezultat i dobësisë së tij…

E shtata: Duhet t’a dijë se kjo fatkeqësi që e ka goditur është e dobishme dhe ilaç për të, ilaç të cilin ia ka dhuruar i Gjithëdijshmi për dobinë e tij, ashtuqë le të duron gjatë gëlltitjes dhe mos t’a vjell atë me zemërimin dhe hidhërimin e tij, sepse ashtu shkon kot dobia tij (ilaçit).

E teta: Duhet t’a dijë se rezultati i përdorimit të këtij “ilaçi” është shërimi dhe shëndeti i mirë, largimi i dhimbjes e cila nuk largohet pa mos e përdorur këtë ilaç. Nëse e urren këtë ilaç, le të shikon rezultatin dhe dobinë e tij, thotë Allahu:

{وعسى أن تكرهوا شيئا وهو خير لكم وعسى أن تحبوا شيئا وهو شر لكم والله يعلم وأنتم لا تعلمون}

Ka mundësi që të urreni diçka mirëpo ajo të jetë më e mirë për ju, dhe ka mundësi të dëshironi diçka e ajo të jetë e keqe për ju, Allahu e din e ju nuk dini”.[2]

Gjithashtu thotë Allahu:  { فعسى أن تكرهوا شيئا ويجعل الله فيه خيرا كثيرا }

“… dhe ndoshta urreni diçka mirëpo Allahu sjell me të dobi të madhe”.[3]

E nënta: Duhet t’a dijë se musibeti nuk e ka goditur, ashtu që t’a shkatërron apo t’a mbysë, mirëpo e ka goditur që t’a sprovon durimin e tij dhe kështu qartësohet se a mund të përdoret ai njeri për të mirë dhe të bëhet nga të dashurit dhe partia e Allahut apo jo?

Nëse vërtetohet pastërtia dhe sinqeriteti i tij, Allahu atë do t’a pajis me fisnikëri, do t’i vesh tesha të nderit dhe do t’a bën prej të dashurve të Allahut, por nëse zmbrapset, atëherë do të vrazhdësohet dhe do t’i shtohet musibeti edhe më tepër duke mos e hetuar shtimin e saj, e pastaj do t’a kupton se musibeti për të nuk ishte vetëm një musibet, por musibete të shumta. Ashtu sikurse durimtari i cili e kupton se musibeti që e goditi atë, u shndërrua në begati të shumta. Dhe dallimi mes këtyre dy pozitave, shumë të ndryshme njëra prej tjetrës, nuk është përpos se durim për një kohë të caktuar dhe inkurajim të vetes gjatë kësaj kohe, sepse medoemos që musibeti të largohet nga secili prej tyre. Durimtari e kalon sprovën me fisnikëri dhe begati të shumta, ndërsa ai që s’ka bërë durim e kalon sprovën me duar boshe dhe i mashtruar, sepse kjo është caktim i të Lartit dhe të Gjithëdijshmit, dhe dhuntitë Allahu ia jep kujt dëshiron, me të vërtetë Allahu është Zot i mirësisë së madhe.

E dhjeta: Duhet t’a dijë se Allahu e edukon robin e vet si për vështirësi, poashtu edhe për rehati, kështuqë e bën njeriun t’a shfaq robërinë e tij ndaj Allahut në çdo gjendje, sepse rob i vërtetë është ai që e adhuron Allahun në çdo gjendje, mirëpo robi i rehatisë dhe qetësisë është ai që kur e godet mirësia është i qetë, ndërsa kur e godet musibeti zmbrapset, andaj nuk është prej robërve që i zgjedh Allahu për t’a adhuruar Atë. Padyshim që ai besim i cili qëndron si në mirësi, ashtu edhe në musibet, është ai besim prej të cilit ka dobi kur këmi nevojë për të. Ndërsa ai besim që e shoqëron njeriun vetëm gjatë mirësive, pak gjasa ka që mund t’a ngrit robin në shkallën e besimtarëve. Ngritjen në këtë gradë e bën vetëm besimi i cili është i njëjtë gjatë mirësive, poashtu edhe gjatë musibeteve. Ai në raste kur është i shëndoshë do t’a angazhojë zemrën me falënderim ndaj Allahut dhe do t’a angazhojë zemrën me fjalët: ”O Zot më ndihmo mua në përmendjen Tënde, falënderimin Tënd dhe në adhurimin e mirë ndaj Teje”. Si të mos falënderon kur Allahu me musibetin e pastron robin nga mëkatet sikurse që pastrohet arri nga metalet tjera gjatë përpunimit.

Këto shkaqe dhe të tjera si këto japin frytin e durimit gjatë sprovave dhe musibeteve, në qoftëse forcohet jep fryt kënaqësinë dhe falënderimin. E lusim Allahun që të na i mbulon të këqijat duke na dhuruar shëndet dhe të mos na turpëron me sprovat e Tija. ”

Përktheu: Sejfullah Sejfuli



[1] Esh-Shura:30.

[2] El-Bekare:216.

[3] En-Nisa:19.

Të tjera