Mungesa e Islamit si sistem qeverisje në shoqërinë e sodit ka sjellur pasoja në shumë aspekte të jetës së njerëzve në përgjithësi dhe në veçanti në jetën e muslimanëve. Prej gjërave më të dhembshme është që të shohësh rininë muslimane se si jeton në një atmosferë joislame, gjë e cila shpie deri te humbja e identitetit Islam te rinia dhe çka është edhe më keq, humbja e fesë tek njerëzit.
Nëse hulumtojmë rreth asaj se çka është shkaku se pse rinia devijon, në shumicën e rasteve del në shesh një fakt trishtues edhe ai fakt është se shkak i devijimit të rinisë në shumicën e rasteve janë shokët dhe shoqëria. Pra zgjedhja e shoqërisë së përshtatshme është esenciale për ta ruajtur fenë dhe identitetin Islam. Shoqërimi me musliman të devotshëm është një prej shkaqeve që e mbajnë njeriun në rrugën e drejtë, në rrugën e cila e kënaq All-llahun (subhanehu ue teala).
Prej shkaqeve që rinisti të qëndrojë në rrugën e All-llahut mund të përmendim:
Qëndrimi në atmosferë të duhur
Qëndrimi në atmosferë të duhur është vitale për muslimanin ashtuqë të largohet prej devijimit nga rruga e drejtë. Atmosfera ekzistuese në të cilën jeton rinia e ynë është atmosferë e prishur dhe e korruptuar, në shumicën e rasteve si temë diskutimi mes të rinjëve është tema rreth gjinive të kundërta ku meshkujt flasin vetëm për femra dhe femrat flasin vetëm për meshkuj si dhe tentativat e gjinive që të jenë atraktive te gjinia e kundërt. Transmetohet se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Shembulli i shoqërisë së mirë dhe shoqërisë së keqe është sikurse shembulli i shitësit të parfumit dhe të farkëtarit. Prej të parit (shitësit të parfumit) ose do të blesh parfum ose do të kënaqesh me erën e parfumit, ndërsa farkëtari ose do t’i djeg teshat ose do të vijë erë e pakëndshme”. (Buhari)
Islami e njeh faktin se shokët kanë rol të rëndësishëm tek njerëzit dhe se shoqërimi me ta do të ndikojë në lidhjen tënde me All-llahun (subhanehu ue teala).
Thotë Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Personi është në fenë e shokut të vet, pra le të shikojë secili prej jush me vëmendje se me kë shoqërohet”. (Tirmidhi)
Muslimani duhet që t’i zgjedh shokët të cilët e këshillojnë dhe ia rikujtojnë atij All-llahun dhe dashuria në mes dy shokëve-vëllezërve musliman është se ata e këshillojnë njëri tjetrin dhe i ndihmojnë njëri tjetrit në rast nevoje dhe në rast vështirsie. Pejgamberi i ka inkurajuar muslimanët që kur dikush e don dikë për hir të All-llahut, këtë dashuri t’ia shpreh atij. Thotë Pejgamberi rreth kësaj: “Nëse dikush prej jush e don vëllaun e tij për hir të All-llahut, atëherë le t’i tregojë se e don…” (Buhari)
Roli i prindërve
Prindërit janë përgjegjës për atë se me kë shoqërohen fëmijët e tyre. Ata duhet të mundohen ta përfitojnë besimin e fëmijëve të tyre duke i përfshirë fëmijët e tyre në aktivitete familjare dhe në aktivitete rekreative jashtë orarit shkollorë,ashtuqë të forcohet lidhja prind-fëmijë. Prindët poashtu duhet të mundohen që t’u gjejnë fëmijëve të tyre shokë fetarë dhe duhet që në vegjëli të mundohen t’ua mësojnë fëmijve të tyre se çka është hallall dhe çka është haram. Në shumicën e rasteve kur nuk ka relacion të mirë mes prindit dhe fëmijës shpesh ndodh që rinisti të ndikohet nga presionet e shoqërisë së keqe.
Karakterstikat e shoqërimit Islam
- 1. T’i duash shokët për hir të All-llahut
Kjo don të thotë që shokët t’i duam për hir të All-llahut dhe t’u ndihmojmë atyre ashtusiç do t’i kishe ndihmuar vetes tënde. Thotë Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Kush dëshiron ta shijojë ëmbëlsinë e imanit, le ta dojë një person (vëlla musliman) për hir të All-llahut”. (Ahmedi)
- 2. Zemërgjerësia dhe butësia
Të ndash prej pasurisë për të tjerët është gjë e lavdëruar ën Islam, kjo gjë e ndërton besimin dhe afërsinë në mes njerëzve. Thotë Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Nuk ka besuar askush prej jush (me iman të plotë ) përderisa nuk e dëshiron për vëllaun atë që e dëshiron për veten e tij”. (Buhari)
Dhënia e dhuratave është rekomanduar nga Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) sepse një gjë e tillë i forcon lidhjet në mes njerëzve. Transmetohet se Pejgamberi ka thënë: “Jepni dhurata ashtuqë të duheni”. (Buhari)
Butësia dhe mirësjellja me shokët është gjë e lavdëruar në Islam si dhe dhënia e ndihmës ndaj tyre kur kanë nevojë duhet të jetë gjë e rëndomtë në mesin e shoqërisë muslimane. Prej dashurisë dhe mirësjelljes ndaj shokëve është që muslimani ta ndajë me ata gëzimin dhe pikëllimin.
- 3. Mbulimi i gabimeve të vëllaut musliman
Është me rëndësi që t’ia mbulosh gabimet dhe mangësitë vëllaut musliman, por kjo nuk don të thotë që t’i neglizhosh ata. Kjo nënkupton që kur dikush të gabojë, e ke për obligim që ta këshillosh atë në vetmi, jo përpara njerëzve. Thotë Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Ai i cili ia mbulon të metat muslimanit, All-llahu atij do t’ia mbulojë atij të metat në këtë botë dhe në Ahiret. All-llahu është në shërbim të një robi, derisa ai është në shërbim të vëllaut të tij”. (Muslimi)
- 4. Ndalimi prej përgojimit, shpifjes, zilisë dhe xhelozisë
Marrdhëniet mes shokëve musliman janë të bazuara në besim të ndërsjellë pa mashtrime dhe gënjeshtra. Muslimani nuk tradhëton dhe as nuk përgojon dhe as nuk ka paragjykime për vëllaun e tij. Thotë All-llahu (subhanehu ue teala): “O ju që keni besuar, sa më shumë largohuni prej paragjykimeve, sepse disa paragjykime janë mëkat dhe as mos spiunoni dhe as mos përgojoni njëri tjetrin, vallë a dëshiron dikush prej jush ta han mishin e vëllaut të tij të vdekur dhe ju këtë e urreni. Dhe keni frikë All-llahun, me të vërtetë All-llahu është që e pranon pendimin dhe është Mëshirues”. (el Huxhuratë 12)
Dije vlerën e rinisë
Përderisa jemi të rinjë kemi potencial ta pasojmë Islamin dhe ta kuptojmë atë, si dhe t’ua transmetojmë këtë Islam atyre që nuk e njohin hiç. Kjo rini nuk zgjat përgjithmonë, për këtë shkak duhet ta shfrytëzojmë sa nuk na ka kaluar. Duhet të sigurohemi që t’i ndjekim hapat e ndritshme të rinistëve që kanë kaluar para nesh dhe e kanë shpërndarë këtë fe në tërë botën, dhe t’i pasojmë hapat e atyre që ishin dritë e njerëzimit dhe udhëzim për të gjithë. Le ta rikujtojmë fjalën e Muhamedit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Shfrytëzo pesë gjëra para se të vijnë pesë tjera: rininë pëpara se të vijë pleqëria, shëndetin përpara se të vijë sëmundja, mirëqenien përpara se të vijë varfëria, kohën e lirë përpara se të jesh i zënë dhe jetën përpara se të vijë vdekja”. (Tirmidhi)
Përgatiti: Enis Arifi