Falënderimi i takon Allahut, ndërsa selamet dhe salavatet e Tij qofshin mbi Pejgamberin e fundit, Muhamedin (salAllahu alejhi ue sel-lem).
Duhet ditur se jo çdo herë kur dijetarët e selefit i përmendin Xhehmijtë[1] nuk do të thotë se kanë për qëllim vetëm pasuesit e Xhehm ibn Safuan-it dhe parimet e Sektit të tij, mirëpo me këtë thënie kanë për qëllim secilin i cili i ka mohuar cilësitë e Allahut, qoftë ai Xhehmij në parimet e tij apo jo. Andaj gjatë fitnes së thënies se Kur’ani është i krijuar, në kohën e Me’munit dhe Mu’tesimit, dijetarët e selefit i kanë quajtur kundërshtarët e tyre Xhehmij dhe kundërshtimet (replikat) ndaj tyre i kanë quajtur “Kundërshtim ndaj Xhehmijve”, ndërsa kanë për qëllim secilin i cili i mohon cilësitë e Allahut, qofshin ata Xhehmij apo Mu’tezilij, sepse Mu’tezilijtë përputhen me Xhehmijtë në mohimin e cilësive të Allahut. Mirëpo duhet ditur se dijetarët e Mu’tezilijve e bëjnë tekfir[2] Xhehm ibn Safuan-in, jo në kontekst të mohimit të tij të cilësive të Allahut, mirëpo për shkaqe të tjera, sepse mes Xhehmit dhe pasuesve të tij të afërt dhe Mu’tezilijve ka disa dallime në parime, si për shembull:
1- Mu’tezilijtë janë vei’idije[3] në çështjen e Imanit dhe dispozitave, ndërsa Xhehm ibn Safuan është e kundërta e tyre, është prej Murxhiave ekstrem.
2- Mu’tezilijtë pretendojnë se ai i cili bën mëkat të madh ka dalur nga Imani dhe se do të qëndrojë përgjithmonë në Xhehennem. Ndërsa Xhehmijtë mendojnë se Imani është vetëm njohje dhe se me prezencën e Imanit nuk i bën dëm asnjë mëkat.
3- Çështja e Kaderit: Xhehmijtë janë prej Xhebrijve[4] ekstrem, ndërsa Mu’tezilijtë janë Kaderij, thonë se Allahu nuk i ka krijuar veprat e krijesave dhe se robi është plotësisht i pamvarur në veprat e tij.
4- Në çështjen e emrave dhe cilësive të Allahut: Mes tyre ka përputhshmëri në disa çështje dhe dallime në çështje tjera të këtij kapitulli. Mu’tezilijtë e pranojnë (pjesërisht) parimin e emrave të Allahut, ndërsa Xhehmi nuk e pranon as këtë parim, por edhe as parimin e cilësive të Allahut, andaj në përgjithësi Mu’tezilijtë janë më të mirë se Xhehmijtë në këtë çështje, mirëpo nuk themi se ata e pranojnë parimin e emrave të Tij, sepse ata nuk pranojnë që Allahu të emërtohet me çdo emër me të cilin Ai e ka emërtuar veten e Tij, apo me të cilin e ka emërtuar Pejgamberi (salAllahu alejhi ue sele-lem), por siç thamë se esenca e këtij parimi ekziston tek ata. Prej emrave të Allahut që i pranojnë Mu’tezilijtë janë: El-Hajj, El-Aliim, El-Kadiir, disa prej tyre kanë shtuar edhe: Es-Semii’ dhe El-Besiir, këta pesë emra janë emrat e Allahut që i pranojnë shumica e Mu’tezilijve.
Jusuf el Gafis – “Komentimi i Akides Tahavije”
Përktheu: Ali Ashani
[1] Ky sekt i përshkruhet Xhehm ibn Safuan et-Tirmidhi i cili bashk me pasuesit e tij ishin ne krye të kundërshtarëve të ehli Sunnetit. Si karakteristikë kryesore e tyre është mohimi i emrave dhe cilësive të Allahut, edhepse i kanë pohuar disa emra të Tij mirëpo në mënyrë metaforike. Poashtu janë të njohur me disa devijime tjera:
– Janë Xhebrij në çështjen e Kaderit.
– Murxhi’ në çështjen e Imanit.
– Mohojnë shumë gjëra prej ndodhive të Ditës së Gjykimit, siç është Sirati, Mizani, shikimi i Allahut, poashtu mohojnë edhe dënimin e varrit etj.
– Kanë mendimin se Xhenneti dhe Xhehenni janë të përkohshëm dhe disa devijime tjerë me të cilat është njohur ky sekt i devijuar. Sh.P.
[2] Cilësim i dikujt me kufër, d.m.th gjykimi se ai person ka dalur nga feja e Allahut. Sh.P.
[3] Këto janë ata sekte (Havarixhët dhe Mu’tezilijtë) të cilët kanë thënë se ai i cili bën mëkate të mëdha, siç është vjedhja për shembull, është mosbesimtar, duke u argumentuar vetëm me tekstet kërcënuese dhe frikësuese (الوعيد) dhe duke i lënë anash tekstet tjera të Kur’anit dhe Sunnetit. Sh.P.
[4] Xhebrijtë pretendojnë se robi nuk ka vullnet të tij të lire që të veproj. Sh.P.