Durimi (Sabri)

by Uniteti-Admin

Falënderimi i takon Allahun që e bëri shpërblimin e durimtarëve pa masë, kurse përshëndetjet tona më të mira qofshin mbi Imamin e durimtarëve, Muhammedin (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë atë deri në Ditën e Gjykimit.

Përkujtimi i njëri tjetrit në mesin e muslimanëve për këtë temë duhet të jetë karakteristikë e muslimanëve në çdo kohë dhe çdo vend, sidomos në kohëra të vështirësisë dhe sprovave, siç është rasti i këtyre ditëve tona. Për këtë shkak dhe për shkak se muslimanët janë Ummeti i këshillës, do të përmendim disa gjëra rreth durimit (sabrit), me shpresë që Allahu të na bëj prej durimtarëve në këtë botë dhe prej xhennetlive në Ahiret.

1-      Kuptimi i durimit (sabrit):

Thotë Ibn Kajjim (Allahu e mëshiroftë): “Durimi është: përmbajtja e vetes nga gjërat që i ka ndaluar Allahu, përmbajtja e vetes në praktikimin e obligimeve të Tij dhe përmbajtja e vetes nga hidhërimi dhe ankimi prej caktimeve të Tij.”[1] Ekzistojnë edhe disa definicione të durimit, mirëpo ky definicion është prej definicioneve më përfshirëse dhe më precize.

 

2-      Durimi në Kur’an dhe Sunnet:

Ky virtyt i lartë është përmendur në raste të panumërta në Librin e Allahut, si dhe në traditën e Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dhe fakti se durimi është prej gjërave të cilat përmenden shumë në teksetet bazë të Islamit, tregon vlerën dhe rëndësinë që e ka ky vyrtit në jetën e çdo njeriu. Thotë Imam Ahmedi: “Allahu e ka përmendur sabrin në Librin e Tij në nëntëdhjetë vende.”[2] Allahu e ka përmendur durimin në Kur’an në disa kontekste, qoftë si urdhër, qoftë si lajmërim për shpërblimin e dirimtarëve apo si kriter i domosdoshëm për atë që don të jetë Imam dhe i shpëtuar.

Thotë Allahu: ((وَاصْبِرْ وَمَا صَبْرُكَ إِلَّا بِاللَّـهِ)),

“Bën durim! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut”[3], poashtu thotë Allahu duke treguar një prej kritereve të shpëtimit:

((يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اصْبِرُوا وَصَابِرُوا وَرَابِطُوا وَاتَّقُوا اللَّـهَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ)),

“O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur, jini të devotshëm, ashtuqë të shpëtoni.”[4] Thotë Zoti subhaneh:

((وَجَعَلْنَا مِنْهُمْ أَئِمَّةً يَهْدُونَ بِأَمْرِنَا لَمَّا صَبَرُوا ۖ وَكَانُوا بِآيَاتِنَا يُوقِنُون))

 “Dhe prej tyre Ne bëmë prijës (Imama) që me urdhërin Tonë udhëzojnë, pasi që ata ishin të durueshëm dhe në argumentet Tona ishin të bindur.”[5] Thotë Allahu:

((إِنَّمَا يُوَفَّى الصَّابِرُونَ أَجْرَهُم بِغَيْرِ حِسَابٍ)),

“…ndërsa durimtarëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”[6]

Kurse sa i përket Sunnetit të Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) mjafton t’i përmendim dy hadithe të tij, thotë Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të): Është e çuditshme çështja e besimtarit, me të vërtetë e gjithë çështja (jeta) e tij është hajr dhe kjo nuk i ndodh askujt përpos besimtarit. Nëse i ndodh diçka e mirë, e falënderon Allahun, kështu që është hajr për të dhe nëse i ndodh diçka e keqe, bën durim, kështu që përsëri është hajr për të.”[7] Në hadithin tjetër thotë Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të): “Ka thënë Allahu: Nëse e sprovoj robin Tim me dy të dashurat e tij (sytë) dhe bën durim, ia kompenzoj durimin me Xhennet.”[8] Thotë Ibn Battal në komentin e këtij hadithi: “Në këtë hadith ka argument se shpërblimi i durimit është Xhenneti…”[9] Poashtu si argument për këtë është hadithi i gruas që kishte sulme epileptike, të cilës i tha Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të): “Nëse dëshiron mund të durosh dhe ta fitosh Xhennetin…”, d.m.th i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ia ka dhënë këtë zgjidhje, mes durimit, shpërblimi i së cilit është Xhenneti dhe shërimit, mirëpo pa Xhennet të garantuar.

 

3-      Disa thënie të dijetarëve rreth durimit:

–          Thotë Umer ibn Hattabi (radijAllahu anhu): “Jetën më të mirë të cilën e kemi jetuar ishte jeta me durim, po të ishte durimi njeri, do të ishtë njeri bujar.”[10]

–          Aliu (radijAllahu anhu): “Me të vërtetë shembulli i durimit dhe Imanit është sikur shembulli i trupit dhe kokës, kur pritet koka vdes i gjithë trupi.” Pastaj e ngriti zërin e tij dhe tha: “Me të vërtetë nuk ka Iman ai i cili nuk ka durim.”[11]

–          Ibrahim et-Tejmi: “Atij njeriu të cilit Allahu i ka dhuruar durim gjatë vështirësive, gjatë sprovave dhe gjatë problemeve, Allahu ia ka dhuruar dhuntinë më të mirë që i është dhënë dikujt, pas Imanit në Të.”[12]

–          Shurejh: “Kur sprovohem me një sprovë e falenderoj Allahun për katër gjëra:

E falenderoj që nuk më ka sprovuar me ndonjë sprovë më të rëndë;

E falenderoj që më ka dhuruar durim gjatë saj;

E falenderoj për shpresën që kam se do të shpërblehem për të njejtën;

Dhe e falenderoj që nuk më ka sprovuar në fenë time.”[13]

–          Ebu Hatim: “Durimi është tri lloje:

a-      Durim prej mëkateve.

b-      Durim gjatë veprave të mira.

c-      Durim gjatë sprovave dhe sfidave të ndryshme.

Durimi më i mirë është durimi prej mëkateve. Njeriu i mençur e organizon dhe përmban veten e tij në të tri situatat e lartëpërmendura, duke duruar, derisa ta arrijë gradën e kënaqësisë me Allahun, qoftë në rehati, apo në vështirësi.”[14]

–          Zijad ibn A’mr: “Të gjithë ne e urrejmë vdekjen dhe dhimbjet e plagëve, mirëpo dallojmë njëri prej tjetrit me durim.”[15]

 

4-      Dobitë e durimit:

–          Është argument për plotësinë e Imanit dhe Islamit të mirë.

–          Trashëgon udhëzim në zemër.

–          Sjell dashurinë e Allahut dhe dashurinë e njerëzve.

–          Është shkak për ngadhnjim dhe sundim në tokë.

–          Sjell fitore me Xhennet dhe shpërtim nga Xhehennemi.

–          Është veçori prej veçorive të burrërisë, etj.[16]

 

Marrur nga: Dorar.net

Përktheu: Ali Ashani

 


[1] Risalet Ibn Kajjim ila ehad ihvanihi, fq.18.

[2] Uddetu es-sabirin, fq.113.

[3] En-Nahl:127.

[4] Aal-I’mran:200.

[5] Es-Sexhde:24.

[6] Ez-Zumer:10.

[7] Muslimi (2999).

[8] Buhariu (5653).

[9] Sherh Sahih El-Buhari (9/377).

[10] Ibn ebi ed-Dunia në “Es-Sabr” fq.23.

[11] Ibid, fq.24.

[12] Ibid, fq.28.

[13] Sijer ealam en-nubela (4/105).

[14] Reudatu el-ukala, fq.162.

[15] Ibn ebi ed-Dunia në “Es-Sabr” fq.44.

[16] Nadretu en-nei’im (6/2471,2472).

Të tjera