Dyshim rreth zbritjes së Zotit në qiellin e Dynjasë

by Uniteti-Admin

Pyetja: Sa i përket zbritjes së Allahut të Madhëruar në qiellin e Dynjasë në pjesën e tretë të natës , a ndodhë kjo në çdo vend apo vetëm në një vend të caktuar. Sepse disa njerëz thonë: Si mund të jetë e logjikshme një gjë e tillë, e sidomos në kohën tonë kur na është bërë e qartë se nata ndryshon nga vendi në vend? Si mund të ndodhë që Allahu i Madhëruar të zbret në qiellin e Dynjasë kur në atë kohë është pjesa e tretë e natës në Saudi, ndërsa dielli veçse ka lindur në Japoni. Apo pasi që tani është pjesa e tretë e natës këtu në Saudi, nënkuptohet që pas pak Allahu do të zbret në Romë, në Poloni, në Amerikë…etj? Dhe kështu do të vazhdojë derisa të lindë dielli tek të gjithë.
A nuk është më e logjikshme të kuptohet se zbret Mëshira dhe Urdhëri i tij?
Si mund të ma shpjegoni këtë çështje ?

Përgjigje: Falënderimi dhe lavdia më e sinqertë i takon Allahut të Madhëruar, ndërsa paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë mbi Muhammedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e ndoqën, ndjekin dhe do ta ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Kijametit.
Ai i cili na lajmëroi për zbritjen e Allahut të Madhëruar në qiellin e dynjasë është ai i cili nuk flet nga mendja e tij  por nga shpallja që i shpallet. Prandaj duhet besuar ashtu siç na ka lajmëruar i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) në këtë hadith të vërtetë dhe mutevatir[1].
Nuk ka dyshim dhe është e dëshmuar se pjesa e tretë e natës dallon nga vendi në vend, dhe me të vërtetë nëse bëhet fjalë për ne si krijesa do të ishte e palogjikshme zbritja por duhet ta kemi parasysh se zbritja e Allahut dallon nga zbritja e krijesave të Tij, sepse “Asnjë send nuk është si Ai” (Shura:11).
Prandaj nuk lejohet që Allahu i Madhëruar të krahasohet me krijesat e Tij dhe cilësitë e tyre. Thotë Allahu i Madhëruar: “Pra, mos i përshkruani All-llahut shembuj! All-llahu i di të gjitha e ju nuk dini.”(Nahl:47).
Zbritja e Allahut është e dëshmuar me argumente fetare të vërteta, por ajo zbritje është ashtu siç i takon Allahut dhe Madhërisë së Tij dhe nuk i përngjan zbritjes së krijesave. Zbritja në qiellin e dynjas ndodhë për të gjithë vendet në pjesën e tretë dhe nuk nënkuptohet nga kjo se Allahu i Madhëruar në këtë kohë nuk qëndron mbi A’rsh, apo nuk është mbi krijesat e Tij. Ne si besimtarë i besojmë cilësitë e Allahut edhe pse nuk kemi njohuri për realitetin e tyre, por jemi të bindur se ata nuk u përngjajnë cilësive të krijesave, ashtu siç ka thënë imam Maliku: “El-Istiva(ngritja mbi Arsh) është e njohur, kurse mënyra se si, është e panjohur, të besosh në të është e detyrueshme, ndërsa të pyesësh rreth saj është bidat [risi]”.
Prandaj atë çka përmendët në pyetjen tuaj duke u bazuar në anën logjike, është diçka që u nevojitet krijesave, kurse jo Krijuesit, sepse “Asnjë send nuk është si Ai. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi” (Shura:11).
Kjo nuk është e çështja e vetme ku kemi të bëjmë me një rast të tillë, ka edhe shumë të tjera.
Një person ka pyetur Ibn Abassin: Si e bën Allahu llogaritjen e të gjithë krijesave në një çast? I është përgjigjur: Ashtu siç i furnizon të gjithë në një çast.
Gjithashtu, hadithi që e transmeton Muslimi nga EbuHurejra në të cilin tregohet se kur besimtari është duke lexuar suren El-Fatiha në namaz Allahu i Madhëruar thotë: “…kur thotë robi {Elhamdulilahi rabbil a’lemin} thotë Allahu: Më falënderoi robi im…“, deri në fund të hadithit.
Dikush mund të thotë: E si ndodhë kjo kur me miliona njerëz ndoshta lexojnë suren El-Fatiha në atë çast?!
Nga e tërë kjo kisha dëshirë tua bëj të qartë se Allahu i Madhëruar nuk krahasohet me asnjë nga krijesat e Tij, pa marrë parasysh për cilat cilësi bëhet fjalë, ngritjen mbi Arsh , zbritjen në qiellin e Dynjasë apo të tjera, sepse siç u cek më lartë: “Asnjë send nuk është si Ai. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi” (Shura:11).
Ndërsa neve si besimtarë nuk na lejohet që duke u bazuar në logjikën dhe mendjen tonë të komentojmë dhe shpjegojmë ajetet e Kur’anit apo hadithet por një gjë e tillë bëhet vetëm duke u bazuar në argumente fetare.

Përktheu: Senad Ramadani


[1] Përcillet nga një grup i konsiderueshëm transmetuesish

Të tjera