Es-Samed (الصَّمدُ)

by Uniteti-Admin

Shumica prej nesh i kemi dëgjuar hadithet e njohura për vlerën e sures el-Ihlas, në të cilët pohohet nga i Dërguari i Allahut s.a.s se ‘Kulhuve Allahu’ është e barabartë me një të tretën e Kuranit. Hadithe këto të transmetuar nga një numër i sahabeve, si Ebu Seidi, Ebu Hurejra, Ebu Derda dhe të tjerët dhe të shënuar në librat më autentik të haditheve.1

Edhe pse i kemi dëgjuar këto hadithe, shumë prej nesh nuk thellohen në meditim dhe mendime për ta kuptuar sekretin pse kjo sure kaq e shkurtë ka aq vlerë të madhe. Një prej shkaqeve qe e kanë cekur dijetarët në komentimin e kësaj kaptine është kuptimi i emrave të Allahut që Ai i ka përmendur në këto disa fjali madhështore. Në këtë kontekst ne do të përqendrohemi në një prej emrave që janë përmendur në këtë sure, ai është emri i Allahut Es-Samed (الصَّمدُ).

Thotë Allahu: (الله اَلصمدَ ) “Allahu është Es-Samed” (El-Ihlas, 2)

Dijetarët rreth këtij emri i kanë cekur këto kuptime:

a) Atij që i drejtohen krijesat për çdo nevojë.

b) I Përkryer, i përsosur, që të gjitha cilësitë i ka në shkallën e përsosmërisë absolute. Ai i Cili nuk ka asnjë të metë.

c) I Përhershmi. Ai i Cili është i pafillim dhe i pambarim.

d) Ai që nuk ka nevojë për asgjë, ndërsa çdo gjë ka nevojë për Të.

e) Është Ai, që nuk ka brendësi. Shumë prej dijetarëve të hershëm kanë thënë: Es-Samed është Ai i Cili nuk ka brendësi.

Transmeton Ibën Xherir Et-Taberij në Tefsir-in e tij se Abdullah bin Abasi, ka thënë: “Es-Samed është Zotëria i Cili ka arritur përsosuri në zotërimin e Tij. I Lartësuari i Cili ka arritur përsosuri në lartësimin e Tij. Madhështori i Cili ka arritur përsosuri në madhështinë e Tij.

I Buti i Cili ka arritur përsosuri në butësinë e Tij. I Vetëmjaftueshmi i Cili ka arritur përsosuri në vetëmjaftueshmërinë e Tij.

Mbizotëruesi i Cili ka arritur përsosuri në mbizotërimin e Tij. I Dijshmi i Cili ka arritur përsosuri në dijen e Tij.

I Urti i Cili ka arritur përsosuri në urtësinë e tij. Ai është i Cili ka arritur përsosuri në të gjitha llojet e lartësimit dhe zotërimit. E, ky është Allahu, qoftë i Lartësuar, prandaj kjo cilësi nuk i takon askujt tjetër përveç Tij.”

Nga këto fjalë përfitojmë se ky emër madhështor bën pjesë te ata emra të bukur të Allahut të cilët aludojnë në një numër cilësish të përsosura, e jo vetëm në ndonjë domethënie të vetme.

Dijetari Muhamed El-Emin Esh-Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, thotë2: “Është mirë e njohur në gjuhën arabe se fjala Es-Samed thuhet për zotërinë madhështor, për një gjë e cila është e ngurtë dhe nuk është e zbrazur (nga brenda)…etj. E, Allahu i Lartësuar është Ai Zotëria i Vetëm tek i Cili njeriu kërkon (gjen) strehë/ndihmë gjatë vështirësive dhe nevojave të ndryshme. Po ashtu, Ai është i Cili është lartësuar dhe shenjtëruar nga cilësitë e krijesave, si: ngrënia e ushqimit dhe të tjera të kësaj natyre. Qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar Ai nga këto gjëra.”3

Përgatiti: Ali Ashani

  1. Buhariu 6643, Muslimi 811, 812 ↩︎
  2. Eduaul-bejan (2/187) ↩︎
  3. Një pjesë e këtij artikulli është nga materiali mësimorë i lëndës së Akides në Institutin Islam Ikra ↩︎

Të tjera