Është si thotë Ai, jo si thonë të tjerët

by Uniteti-Admin
eshte si thote Ai

Shumë herë gjatë shekullit të fundit, moraliteti i njeriut është sulmuar nga vetë njeriu, nga një pjesë e devijuar e këtij lloji, pjesë e cila në forma dhe metodologji paraprakisht të studiuara, dëshironte degradimin e njeriut në çdo aspekt. 

Pjesë e sulmeve konstante të tyre ndaj moralitetit ishin ideologji dhe lëvizje të ndryshme, por nëse ata kishin ndonjë element të përbashkët të veprimit mes tyre, do të ishte përpjekja e madhe e tyre për ndryshim e natyrës njerëzore. Andaj, ata e kuptuan që vetëm nëse ata e zhveshin njeriun nga natyra e tij njerëzore dhe morale, atëherë do të jenë në gjendje të kontrollimit të tërësishëm të individëve dhe shoqërive, e ndoshta e gjithë kjo ishte inspirim prej tij, Iblisit, i cili u betua se do të mundohet që të ndryshoj natyrën e njeriut: “E pastaj me siguri do t’i urdhëroj t’a ndryshojnë krijimin e Allahut. E kush e merr djallin për mbrojtës, e jo Allahun, ai ka humbur me humbje të pakufishme.” (En-Nisa, 119).

E sikur e jetojmë realizimin e kësaj dëshire dhe këtij projekti të Iblisit të mallkuar. Miqësi me të, pasim të rrugës së tij dhe padyshim ortakëri në përpjekjen për të ndryshuar krijimin e Allahut, qoftë në mendësi apo në pamjen fizike.

Nuk ishte e mjaftueshme që këto mendime të promovohen vetëm në industrinë e muzikës dhe filmit, në art, në letërsi, porse këto devijime sot ju imponohen njerëzve në formë të sistematizuar përmes ligjësimit të kësaj ideologjie dhe miratimit të ligjeve që do ta mbrojnë atë. 

Projektligje dhe programe të cilat po ti tregoheshin njeriut më të rëndomtë në çfarëdo periudhe historike, përveç shekullit tonë, do të thoshte se ai që ia parashtron këto çështje ose është duke u tallur në mënyrë joserioze ose pa është njeri që ka probleme mendore.

Për këtë, që t’ia përkujtojmë vetes, por edhe tjerëve, disa fakte të pakontestueshme jemi të detyruar të shohim se çfarë thonë prijësit e këtyre ideologjive dhe çfarë na thotë Allahu për të njëjtat çështje.

 Ata thanë: Njeriu është vazhdë e një procesi të gjatë evolutiv, origjina e së cilit ishte e njëjtë me të gjitha speciet tjera. 

Allahu tha: “O njerëz! Druajuni Allahut, i Cili ju krijoi prej një individi, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra.”  (En-Nisa, 1).

Vazhdoi kjo ideologji me sulme të ndryshme ndaj natyrës njerëzore derisa thanë që mashkulli dhe femra janë të barabartë në të gjitha aspektet, duke mohuar me këtë faktet biologjike dhe udhëzimet hyjnore. Sipas tyre, mashkulli dhe femra janë të barabartë në obligimet e tyre, përgjegjësitë, të drejtat etj.

Allahu tha: “Mashkulli nuk është si femra…”( Aal Imran, 36).

Pasi qëndrimi dhe devijimi i tyre i fundit pati efektin e dëshiruar, ata thanë diçka me ekstreme dhe më të rrezikshme, thanë që gjinitë e njerëzve nuk janë përcaktim biologjik, por thjeshtë gjinitë janë konstrukt shoqëror, andaj nuk ka numër të caktuar gjinish, por kushdo si do prezantohet.

Ai tha: “Dhe, prej tij i bëri çiftet: mashkullin e femrën.” (El-Kijame, 39).

Poashtu tha: “Ai krijon çiftet, mashkull e femër.” (En-Nexhm, 45).

Allahu tha: “O njerëz! Ne, me të vërtetë, u krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre..” (El-Huxhurat, 13).

Po, është e thjeshtë, porse në rast të humbje së drejtimit dhe rrugës në oborr, është e domosdoshme që edhe këtë rrugë ndonjëherë t’ia përkujtosh njeriut. 

Lusim Allahun që të jemi rob të Tij, të nënshtruar dhe të bindur, të na i hap sytë e zemrës para syve të ballit dhe të na bën gjithmonë pasues të së vërtetës.

Përgatiti: Ali Ashani

Të tjera