Falënderimi i takon Allahut, selamet dhe salevatet tona qofshin mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen dhe mbi shokët e Profetit.
Transmeton ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se e ka dëgjuar Pejgamberin (sala Allahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Me të vërtetë në farën e zezë ka shërim prej çdo sëmundje, përpos es-sam-it.” Ndërsa es-sam është vdekja.
Tekstin e këtij hadithi e kanë shënuar në librat e tyre: Buhariu, Muslimi dhe ibn Maxheh, nga Zuhriu, nga Sei’d ibn Musejjeb dhe Ebu Seleme, që të dy nga ebu Hurejra (radijAllahu anhu)[1], ndërsa teksti i sipërpërmendur është nga tranmsetimi i Imam Muslimit.
Në transmetimin e Buhariut thotë ibn Shihabi (ez-Zuhri): “Es-sam është vdekja, kurse fara e zezë është esh-shunizu.[2]”
Muslimi dhe ibn Maxheh e kanë shënuar gjithashtu nga zinxhiri i Abdullah ibn ebi Atik nga Aishe (radijAllahu anha).
1- Fjalët e hadithit:
Thënia e tij: (الحبة السَّوْدَاء) “…fara e zezë”, d.m.th. nigella sativa.
Thënia e tij: (السام) “…es-sam”, d.m.th. vdekja, andaj kjo fjalë tregon se edhe vdekja është sëmundje, apo bën pjesë në gjërat që emërtohen si sëmundje.
2- Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:
Thënia e tij: (…شفاء من كل داء) “… është shërim nga çdo sëmundje…”.
Dijetarët kanë mospajtim në kuptimin e kësaj pjese të hadithit, a është kuptimi i saj tekstual, apo jo.
Disa kanë thënë, këtë mendim ia ka përshkruar el-Irakij-u shumicës së dijetarëve[3], se thënia e Pejgamberit “…çdo…” është term i përgjithshëm, por ka për qëllim diçka në veçanti, siç është fjala e Allahut: “…dhe (era) shkatërron çdo gjë.”[4] Ndërsa ne e dijmë se kjo erë nuk ka shkatërruar çdo gjë mbi tokë.
El-Hattabij thotë: Ky term është i përgjithshëm, por dëshirohet me të diçka në veçanti, sepse nuk ka në natyrë ndonjë bimë e cila ka aq fuqi që tu bën ballë sëmundjeve të ndryshme. Por qëllimi i tij (Pejgamberit) është se kjo bimë është shërim nga çdo sëmundje e cila shkaktohet nga lagështia, ftofti apo fyti, ngase ky ilaç është “i nxehtë” (djegës) dhe i thatë, andaj është i mirë për shërimin e sëmundjeve çka shkaktohen nga ftofti dhe lagështia…”[5]
Thotë Ebu Bekr ibnul Arabij: Mjalta te mjekët është gati se ilaç për çdo sëmundje, mirëpo dihet se ka disa sëmundje, nëse njeriu e pi mjaltën duke e patur këtë sëmundje, mjalta do ta dëmtonte…”[6]
Të tjerët kanë thënë se kjo fjalë kuptohet tekstualisht, ashtu siç është, d.m.th. se fjala është për çdo sëmundje, thotë el-Kurmanij: Ka mundësi që kjo fjalë të jetë për qëllim çdo sëmundje, por me kusht, që kjo bimë të jetë e përzier me ilaçe tjera dhe në këtë nuk ka diç të çuditshme, madje është obligim të kuptohet (hadithi) tekstualisht, ngase fjala e tij “…përpos es-sam…”, ky përjashtim na tregon se ajo çka është para përjashtimit është e përgjithshme dhe për këtë na ka treguar ai i cili nuk gënjen (Pejgamberi). Termi është i përgjithshëm, me argument se pas tij ka përjashtim, andaj jemi të obliguar ta kuptojmë kështu.”[7]
3- Ky hadith është argument për:
– Fuqinë e ndikimit të këtij ilaçi, farës së zezë, në sëmundjet, poashtu është argument për pëlqyeshmërinë e shërimit me këtë farë, bile ky është qëndrimi i shumicës së dijetarëve dhe në fund, hadithi është argument kundër atyre që e kanë kundërshtuar shërimin dhe kurimin nga sëmundjet.
Allahu ealem.
Përgatiti: Ali Ashani
[1] Shih ‘Tarh et-tethrib fi sherh et-taktib” të el-I’rakij (8/182)
[2] Nigella sativa
[3] Shih ‘Tarh et-tethrib fi sherh et-taktib” të el-I’rakij (8/182)
[4] El-Ahkaf, 25
[5] Tuhfetutl ahvedhij, sherh xhami’ et-Tirmidhij (6/163)
[6] Fet’hul Barij (10/144)
[7] U’mdetul Kariij (13/31)