Ajo është Fatime vajza e AbdulMelik bin Mervan bin Hakem bin ebi A’ss, njëri nga prijësit e shtetit Emevi. Nëna e saj ishte Umm Mugire bint Halid bin A’ss, vëllezërit e të cilës ishin prijës: Velidi , Sulejmani dhe Jezidi, njëkohësisht ishte edhe gruaja e prijësit Omer bin AbdulAziz.
Thotë një poet për të:
Vajza e prijësit por edhe gjyshin prijës
motra e prijësve por edhe burrin prijës.
Dituri të thellë
Mirësia e saj edhe më tepër u plotësua kur ajo u bë kërkuese e diturisë.
Një numër i madh i dijetarëve dhe tabii’nëve kanë transemuar nga ajo, prej tyre është A’ta bin ebi Rebah muftiu i Mekes, Ebu U’bejde U’kbe bin Nafi’j, etj.
Martesa e hershme
Pasiqë Fatimja arriti moshën e pjekurisë u martua me djalin e xhaxhait Omer bin Abdul Azizin i cili u edukua dhe u mbikqyr nga babi i saj AbdulMeliku.
Kështu kaluan një jetë të begatshme nga e cila Allahu u dha atyre dy djem: Is’hakun dhe Ja’kubin.
Kështu vazhdoi kjo jetë përplot begati deri në vitin 99 të hixhretit, vit në të cilin bashkëshorti i saj u bë prijës i Umetit , me ç’rast ai nga një i ri i cili u ushqye në enët mbretërore, u bë një prijës asket që preokupim kryesore kishte çështjen e Hilafetit (Udhëheqësisë).
Sakrifica dhe besnikëria
Brenda një dite dhe një nate jeta e Fatimes ndryshoi, nga një jetë luksoze në një jetë askete, por ajo qëndroi besnike pranë burrit të saj, duke e ndihmuar me një sinqeritet të plotë dhe duke e kujtuar përgjegjësinë e saj si grua dhe shpërblimin e madh për këtë vepër.
Kështu ajo u largua nga zbukurimet e kësaj bote dhe nuk u mendua fare në zgjedhjen që e bëri burri i saj për fillimin e një jete të re, jetë e cila ndoshta do të jetë e vështirë për të.
Transmetohet se Omer bin AbdulAziz kur u bë udhëheqës iu drejtua bashkëshortes së tij, Fatimes, e cila posedonte një stoli të veçantë të cilën ia kishte dhuruar babai i saj duke i thënë: “Zgjidh, ose këtë stoli t’a lëshë në arkën shtetërore ose më jep leje të ndahem prej teje. Unë me të vërtetë nuk kam qejf që unë, ti dhe kjo stoli të qëndrojmë në një shtëpi.”
Ajo u përgjigj dhe tha: “Të zgjedh ty ndaj kësaj stolie apo ndonjë stolie tjetër”, pastaj e morrën dhe e çuan në arkën shtetërore nga e cila përfitojnë myslimanët. Pasi vdiq Omer bin AbdulAzizi udhëheqësinë e vazhdoi Jezidi, i cili iu drejtua Fatimes duke i thënë: “Nëse dëshiron do t’a kthej stolinë tënde.” Ajo iu përgjigj: “Jo vallahi nuk e dëshirova kur burri im ishte gjallë, e si t’a dëshiroj pas vdekjes së tij.”
Jeta askete dhe e thjeshtë
Fatimja e pasoi bashkëshortin e saj në stilin e të jetuarit me një jetë askete dhe të thjeshtë. Në shtëpinë e tyre kishte mobilje të vjetëruara, tesha të arnosura, ushqim të pakët, gjë që nuk ishte normale për Fatimen, pasiqë ajo këtë nuk e kishte provuar as në shtëpin e babait të saj dhe as me bashkëshortin e saj, para se të bëhet ai halife.
Dëshmi për jetën e thjeshtë të cilën ata e jetonin është edhe rasti në fjalë, kur një fshatare vjen për t’a takuar udhëheqësin (Halifen) e muslimanëve. Pasi që arrin tek shtëpia e thjeshtë e halifes troket në derë, ndërsa derën ia hapë një grua duart e së cilës ishin të mbushura me brum të bukës. Fshatarja pyeti për halifen Omer bin AbdulAziz ndërsa gruaja e cila ia hapin derën i tha që të presë pak, derisa të vijë halifja. Duke pritur fshatarja e sheh një person duke e rregulluar murin e shtëpisë, rrobat dhe duart e të cilit ishin të përlyera me baltë, por ajo që më së shumti e çuditi fshataren ishte se si kishte mundësi që gruaja e cila e hapi derën të dilte dhe ta hapte derën pa mbulesë në prezencë të muratorit?!
Fshatarja kur pa rastin në fjalë iu drejtua gruas dhe i tha: “Zonjë, si qëndron e pambuluar pranë këtij muratori?”
Ajo duke buzëqeshur tha: “Ai është udhëheqësi i muslimanëve, Omer bin Abdul Aziz ndërsa unë jam gruaja e tij.”
Gjithashtu tregohet se shërbëtori i Omerit një ditë hyri tek Fatimja dhe ajo i dha të hajë çorbë thjerrëzash, atëherë ai tha: “A çdo ditë do të hajmë çorbë thjerrëzash?!” Ajo iu përgjigj: “Ky është ushqimi i zotëriut tënd, Omerit, udhëheqësit të muslimanëve.
Lëvdata për Omerin
Pasiqë i vdiq bashkëshorti, erdhën dijetarët duke i thënë: Na trego si ishte Omeri në mesin tuaj.
Ajo u përgjigj: Do t’ju tregoj, e sikur të ishte gjallë nuk do t’a bëja një gjë të tillë. Pasha Allahun ai nuk u veçonte nga ju me namaz apo agjërim vullnetar, por pasha Allahun nuk kam parë njeri i cili më shumë e kishte frikë Allahun sesa Omeri. Ndodhte që të qëndrojmë të mbuluar së bashku dhe atij i kujtohej diçka rreth Allahut, trishtohej në moment dhe fillonte të qajë, derisa mendoja se do t’i del shpirti. Në atë rast e shpalosja dhe thoja: Ah sikur të ishim larg udhëheqësisë aq sa largësia mes lindjes dhe perëndimit, se pasha Allahun nuk kemi parë lumturi nga ajo ditë kur hymë në të (hilafet).
Përktheu: Senad Ramadani