Për ato që dalin nga shtëpitë e tyre të zbukuruara, të parfumosura, të cilat shpresojnë që tjerët t’i shikojnë dhe të flasin për to, ato që tentojnë të jenë në qendër të vëmendjes, u them: Motra të nderuara, vajza muslimane mos harroni edhe pse ndoshta tërhiqni shikimin e të tjerëve, por pas atij shikimi për ju do të fliten fjalë nga më të këqijat dhe nderi i juaj do të merret nëpër gojë… athua aspak nuk mërziteni?
Islami është fe e bukurisë, Allahu është i bukur dhe e donë të bukurën, por a thua vallë kujt i dedikohet kjo bukuri, gjithë botës, gjithë qytetit apo burrit?
Fatkeqësisht sot gratë zbukurohen kur dalin në qytet, kur shkojnë në dasmë, kur dalin në kafene, ndërsa në shtëpi para burrit të saj zbukurimi nuk i intereson fare, por të gjitha qëndrojnë me të njëjtën veshje, por jashtë shtëpisë zgjedhin veshjen më të mirë… sa e palogjikshme është kjo!?
Muhammedi [Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të] i cili nuk flet nga mendja e tij por nga ajo që i shpallet, në një hadith të vërtetë thotë: “Unë nuk kam parë akoma dy kategori njerëzish të Xhehennemit (sepse ata do të shfaqen më vonë): Disa njerëz që në duart e tyre mbajnë kamxhikë si bishta lopësh, me të cilët rrahin njerëzit dhe disa gra të veshura (në dukje), mirëpo (në të vërtetë janë) të zhveshura, të cilat tunden gjatë ecjes për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve; kokat (flokët) e tyre janë si shpina (gungat) e devesë. Këta njerëz nuk do të hyjnë në Xhennet dhe nuk do ta ndiejnë aromën e tij, edhe pse ajo aromë mund të ndihet shumë larg.” (Muslimi)
Prandaj motër, ke frikë Allahun, se nesër do të qëndrosh para Tij dhe mos mendo se ajo është lojë, në qoftë se në këtë dunja nuk je bindur urdhrave të Krijuesit atje s’do të bëjë dobi pendimi.
Allahu i Madhëruar thotë: “…vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm e i ashpër.” (Hud: 102)
Allahu ta kujton çka do të bëhet atë ditë që të mos thuash nuk e kam ditur, duke thënë: “Dhe atë ditë sillet xhehennemi e atëherë njeriut i bie në mend, e prej nga atij përkujtimi? E thotë: “Ah, i gjori unë, sikur të isha parapërgatitur për jetën time!” Atë ditë askush nuk mund të dënojë si Ai. Dhe askush si Ai nuk mund të lidhë me pranga.” (Fexhr: 23-26)
Motër dije se mëkati e shpien njeriun në zjarr, pra dije se është diçka e madhe, kështu që shpejto motër me pendim të sinqertë, kthehu Zotit tënd.
Mos gabo të thuash se ka kohë, jam e re, sepse vdekja vjen papritmas, ndërsa pas asaj pason llogaria, ku nuk i bëhet zullum askujt. Në atë ditë ku do të ndahet nëna nga fëmija, gruaja nga burri, vëllai nga vëllai, motra nga motra dhe të gjithë do të shpresojnë të shpëtojnë, por jo çdokush do të jetë nga të shpëtuarit.
Prandaj motër shpejto, sepse çdo ditë që po të kalon është një ditë më afër vdekjes dhe çdo çast që të kalon është një çast më afër vdekjes dhe çdo sekondë që të kalon është një sekondë më afër vdekjes.
Senad Ramadani (Pjesë nga libri “Motër muslimane”)