Festimi i Mevludit: risi apo përkujtim i Sunetit?

by Besar I
Silueta e një xhamie në muzg – festimi i Mevludit dhe dispozita e tij

Pyetja: “Ç’është dispozita e manifestimit të ditëlindjes së Pejgamberit ﷺ, duke pasur për qëllim përkujtimin e Sunetit të tij ﷺ?”

“SubhanAllah ue bihamdihi! Përkujtimi i Sunetit të tij ﷺ nuk ka një kohë të caktuar. Përkujtimi i Sunetit të tij bëhet në çdo namaz, në ezan, në ikamet dhe në mësime. [Themi:] ‘Dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.’ Lexohen ajetet:

‘Thuaj: Kjo është rruga ime; unë thërras tek Allahu…’
(Jusuf, 108)

Pra, kjo nuk ka një kohë të caktuar. Kush ia cakton asaj vetëm një kohë të veçantë, ai ka lënë mangët diçka nga e drejta e tij ﷺ.

Pastaj, madhërimi i ditës për të cilën thuhet se është dita e lindjes së tij ﷺ, është një çështje e shpikur më vonë në këtë umet. Nuk e kanë vepruar atë sahabët, as tabi’inët dhe as pasuesit e tabi’inëve. Madje, kjo risi nuk u shfaq deri në shekullin e katërt [hixhri].

Këtë festim të Mevludit e shpiku një grup i mallkuar, Fatimidët heretikë. Ata ishin heretikë dhe ishin ata që e shpikën këtë.

Pastaj, kjo çështje është problematike nga dy aspekte:

Së pari: nga aspekti se është një risi e shpikur në fe. Çdo gjë e shpikur [në fe] është bidat dhe çdo bidat është devijim.

Së dyti: nga aspekti i përngjasimit. Ata që e madhërojnë ditën e lindjes së tij ﷺ, përngjasohen me të krishterët.

Pra, në të gjenden dy të këqija: e keqja e përngjasimit dhe e keqja e bidatit. Prandaj, kjo është një çështje e qortueshme.

Ndërsa dërgimi i salavateve mbi të Dërguarin ﷺ dhe përmendja e të drejtave që ai ka ndaj nesh, nuk kufizohen në një kohë të caktuar. Në çdo kohë duhet ta kujtojmë këtë çështje dhe t’i shtojmë salavatet mbi të ﷺ, ditën e xhuma dhe në ditët e tjera.

O Allah, dërgo salavate dhe selam mbi robin dhe të Dërguarin Tënd!

Ai ﷺ përmendet në çdo namaz. Në çdo namaz, gjatë teshehudit, përmendet, i jepet selam dhe dërgohen salavate mbi të:

‘Es-selamu alejke ejjuhen-nebijj… Allahumme salli ala Muhammedin ue ala ali Muhammed…’

Dhe kjo bëhet edhe në shumë raste të tjera.

Përveç kësaj, në festimet e Mevludit ndodhin edhe të këqija të tjera, si shirku dhe teprimi në lavdërimin e të Dërguarit ﷺ. Gjithashtu, nga kjo mund të lindë edhe përzierja e burrave me gratë në ato tubime që përmenden. Pra, në to ka të këqija të ndryshme.

Prandaj, vetë baza e këtij festimi është e pavlefshme, dhe po ashtu veprat e këqija që i bashkëngjiten atij janë të pavlefshme dhe të qortueshme.”

Abdurrahman bin Nasir El-Beraak

Lexo edhe:

Të tjera