Çështja e furnizimit është aspekt i rëndësishëm i besimit në Allahun, pasiqë ne si musliman besojmë palëkundshëm se Allahu e ka marrë përsipër që t’i furnizoj të gjitha krijesat, çfardoqofshin dhe kudoqofshin, qofshin ato muslimanë apo qafira, të vegjël apo të mëdhej, burra apo gra, apo qofshin xhinn, njerëz apo kafshë. Thotë Allahu: “Nuk ka gjallesë në tokë, vetëmse tek Allahu është furnizimi i saj…”. (Huud 6)
Allahu në Kur’an i ka qartësuar rregullat e furnizimit dhe asaj që ka të bëj me frikën nga varfëria dhe i ka udhëzuar njerëzit që të pasojnë udhëzimin Kur’anor në çdo aspekt të jetës së tyre.
Këta rregulla janë si në vijim:
Rregulla e parë: Furnizimi i njerëzve është tek Allahu
Allahu e ka përmendur këtë në Librin e Tij dhe kjo është pikënisja e kuptimit të furnizimit dhe mosfrikës nga varfëria. S’ka furnizues përpos Tij, ashtusiç s’ka krijues përpos Tij. Ai krijon dhe jep pa mos iu pakësuar Atij asgjë prej Pushtetit që e ka. Sikur të gjithë krijesat të ishin mbledhur dhe t’a lutnin Atë në një vend , në një kohë, Ai ka mundësi që secilit t’ia jep atë që e kërkon, duke mos iu pakësuar prej pasurisë së Tij asgjë, ashtusiç nuk pakësohet uji i oqeanit nëse e fut në të një gjilpërë dhe e nxjerr përsëri jashtë.
Allahu e ka përmendur çështjen e furnizimit në Ajetin Kur’anor ku sqarohet qëllimi i krijimit të njeriut. Thotë Allahu: “Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për gjë tjetër, përveçse që të më adhurojnë. Nuk dua prej atyre furnizim dhe as dua që të ushqejnë (krijesat e Allahut). Allahu është Furnizuesi me forcë të fuqishme”. (edh Dharijatë 55-56)
Nuk i ngel njeriut gjë tjetër vetëmse të jep mundin e tij në kërkimin e furnizimit dhe të mbështetet në Allahun me mbështetje të vërtetë.
Rregulla e dytë: Furnizimi është i garantuar, pse atëherë brengosesh?
Thotë Allahu: “Dhe në qiell është furnizimi juaj dhe ajo që u premtohet. Për Zotin e qiellit dhe tokës kjo është një e vërtetë, sikurse është e vërtetë se e flisni”. (edh Dharijatë 22-23)
Furnizimi i tëri takon Allahut dhe s’ka hapsirë për dyshim, sepse Ai ka mundësi dhe i furnizon të gjithë gjallesat përnjëherë dhe nga ana tjetër e ka ndaluar marrjen e pasurisë së huaj, pasiqë Allahu secilit ia ka dhënë furnizimin e mjaftueshëm, qoftë edhe ai furnizim i pakët në pikëpamjen e njeriut.
Rregulla e tretë: Furnizimi me bollëk nuk është argument se të don Allahu
Allahu i furnizon të gjithë dhe ndoshta ua shton furnizimin pasuesve të humbjes dhe injorancës dhe u jep atyre të mira materiale në këtë botë, ndërsa pasuesve të besimit ndoshta j’ua pakëson furnizimin dhe s’ju jep shumë pasuri, ashtuqë të mos mendoj besimtari se bollëku në pasuri është argument i dashurisë së Allahut ndaj atij. Thotë Allahu: “E sikur të mos ishte që njerëzit të jenë të një umeti (në kërkimin e dunjasë), do të kishim bërë që ata që kanë bërë kufër në Mëshiruesin, do t’ua bënim pullazet e shtëpive të tyre nga argjendi, si dhe shkallët nga argjendi, mbi të cilat do të ngriteshin. Edhe dyert e tyre shtëpive të tyre nga argjendi edhe kolltukët, mbi të cilët do të mbështeteshin. Edhe stoli të tjera. Të gjitha këta nuk janë gjë tjetër vetëmse kënaqësi e jetës së kësaj bote, kurse Ahireti te Zoti i yt është për të devotshmit”. (ez Zuhruf 33-35)
Allahu i jep furnizim në këtë botë atij personit që e don dhe atij që nuk e don, ndërsa ia jep të mirat në botën tjetër vetëm atij që e don.
Kur Allahu i jep besimtarit furnizim është e udhës që besimtari të falënderon Allahun, ndërsa kur sprovohet me varfëri duhet që të bëj durim.
Është prej urtësisë së Allahut që të gjithë njerëzit nuk janë pasanik, thotë Allahu: “Sikur Allahu t’a kishte lëshuar furnizimin (me bollëk të gjithëve), ata do t’a kishin tepruar në tokë, por Ai e lëshon atë në masë aq sa dëshiron, Ai është i njohur hollësisht për robërit e Tij dhe sheh”. (esh Shura 27)
Thotë Pejgamberi (Paqa qoftë mbi të): “Shikoni ata që janë nën ju (me furnizim) dhe mos shikoni ata që janë mbi ju”.
Rregulla e katërt: Allahu është Ai që e shpërndan furnizimin tek robërit e Tij
Kjo është rregull e rëndësishme në çështjen e besimit. Allahu (subhanehu ue teala) është Ai që jep dhe është Ai që merr, Ai është që jep pasuri derisa e bën dikë të pasur dhe Ai është që e ndal pasurinë dhe furnizimin ndaj dikujt derisa e bën atë të varfër. Thotë Allahu: “Me të vërtetë Zoti i yt e shtrin furnizimin dhe e ndal atë, Ai me të vërtetë është i njohur hollësisht për robërit e Tij dhe sheh. Mos i vritni fëmijët tuaj nga frika se s’do të mund t’i ushqeni, Ne i furnizojmë edhe ata edhe juve, me të vërtetë mbytja e tyre është gabim i madh”. (el Israa 30-31)
Rregulla e pestë: Njeriu bekohet në furnizim me devotshmëri ndaj Allahut dhe nuk bekohet në furnizim me mosbindje ndaj Tij
Njeriu mund që të ketë pasuri, por nuk ka begati në atë që i është dhënë dhe nuk është i kënaqur prej asaj pasurie dhe kjo është përshkak mosbindjes së tij ndaj urdhërave të Allahut, përderisa nga ana tjetër gjen një besimtar të cilit i është dhënë pak pasuri, por Allahu e ka bekuar në atë pasuri dhe është i kënaqur me atë. Thotë Allahu: “U përhap shkatërrimi në tokë dhe në det si shkak i asaj punuan duart e njerëzve, me qëllim që t’i bëjmë të shijojnë pak prej asaj që e kanë punuar, ashtuqë të kthehen”. (er Ruum 41)
Devotshmëria e sjell furnizimin, dhe lënia e devotshmërisë e sjell varfërinë. Thotë Allahu: “Sikur banorët e fshatrave të kishin besuar dhe të ishin qenë të devotshëm, Ne do t’ua kishim çelur atyre dyert bereqetet prej qiellit dhe tokës, mirëpo ata përgënjeshtruan dhe i dënuam me atë që kishin punuar”. (el A’rafë 96)
Rregulla e gjashtë: Furnizimi që të është caktuar, patjetër do të vij tek ti
Duhet të gjithë t’a dijnë se furnizimi i Allahut që i është caktuar dikujt, s’ka mundësi që t’i ik atij. Nëse njerëzit do t’a besonin këtë, s’do të kishte vjedhje, grabitje dhe uzurpime. Ajo që të është caktuar do të vij tek ti patjetër, ndërsa ajo që nuk të është caktuar, s’do mund që të arrij tek ti edhe nëse jepet gjithçka për të arritur tek ajo.
Përktheu: Enis Arifi[1]