Gafletin (الغفلة) dijetarët e kanë përkufizuar si: Shkujdesja e njeriut ndaj gjërave të cilat i bëjnë dobi dhe e ngrisin tek Zoti i tij.
Gafleti është prej sëmundjeve më të rrëzikshme të zemrës, e cila i godet pothuajse të gjithë njerëzit, përveç atij që Allahu e mëshiron, dikë në dozë më të madhe e dikë në dozë më të vogël.
Thotë Allahu i Lartesuar në Kur’an:
"Njerëzve u është afruar koha e llogarisë së tyre, e ata të hutuar në pakujdesi, nuk përgatiten fare për të." (el Enbija, 1)
Meqë gafleti është cilësi e mangët, Allahu e ka pastruar Veten nga kjo cilësi në disa ajete në Kur’an, ku në njërin prej tyre thotë:
"All-llahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju". (el Bekare, 74)
Allahu na ka urdhëruar që mos të bëhemi nga të shkujdesurit, neglizhentët duke thënë:
"Ti përmende Zotin tënd në vete (heshtas), me respekt e me dro, jo me shprehje të larta, (përmende) në mëngjes e në mbrëmje dhe mos u bë prej atyre që janë neglizhentë." (el A’raf, 205)
Përveç kësaj, Ai gjithashtu na ka ndaluar që mos t’i shoqërojmë të shkujdesurit, sepse ata tërheqin në shkujdesjen e tyre. Thotë Allahu i Lartësuar:
"... dhe mos iu bind atij që ia bëmë zemrën e tij neglizhente ndaj përkujtimit ndaj Nesh"(el Kehf, 28)
Çdoherë që është përmendur gafleti në Kur’an, është përmendur si diçka e nënçmuar dhe janë nënçmuar bartësit e kësaj sëmundje përveçse në një rasti, aty ka ardhur kjo fjalë si diçka e lavdëruar. Thotë Allahu i Lartësuar:
"Vërtet, ata që akuzojnë gratë e ndershme, të pafajshme (el gafilaat), besimtare janë të mallkuar në këtë botë dhe në botën tjetër dhe ata i pret një dënim shumë i madh.” (en Nur, 23)
Këtu qëllimi me shprehjen “el-gafilaat” është shkujdesja apo mosinteresimi ndaj amoralitetit, gjë me të cilën janë cilësuar gratë e devotshme.
Si rrjedhojë, dijetarët gafletin e kanë ndarë në dy lloje; në gaflet të lavdëruar dhe të nënçmuar.
Gafleti i lavdëruar është ai ndaj mëkateve, gjërave të urrejtura dhe ndaj çdo gjëje të cilën Allahu nuk e don dhe nuk është i kënaqur me të.
Gafleti i nënçmuar është gafleti ndaj Allahut, bindjes ndaj Tij, përmendjes së Tij, pastaj gafleti ndaj Ahiretit, llogarisë dhe shpërblimit, gjë e cila padyshim është shkatërruese për zemrën.
Llojet e gafletit të nënçmuar
- Gafleti i cili shfaqet rrallë – Ky lloj gafleti është i lehtë dhe i shkurt. Në të mund të bien njerëzit e mire dhe të devotshëm, ata shpejt pendohen dhe i kthehen gjendjes së tyre stabile (joneglizhente)
- Gafleti i shpeshtë (i përsëritur) – Në këtë lloj të gafletit jetojnë muslimanet të cilët janë mëkatarët dhe të shthurur. Ata herë qëndrojnë gjatë në këtë gaflet e herë dalin prej kësaj gjendje. Këtë grup të muslimanëve duhet këshilluar që të hynë në fe tërsishtë dhe t’i kapen rrugës së drejtë.
- Gafleti i plotë – Në këtë lloj të gafletit jetojnë jobesimtarët. Ata janë në gaflet të plotë ndaj Allahut dhe Ahiretit, dhe mund të nxirren duke i thirrur në Islam.
Shkaqet të cilat shpien në gaflet
- Dhënia pas kënaqësive të dunjasë
- Mosndjesia e mëkateve (mosndjenja e keqardhjes gjatë bërjes së mëkateve )
- Të nxituarit në përmbushjen e rehatisë trupore
- Pasimi i epshit dhe egos
- Të angazhuarit vetëm me punë dhe kërkim të rrizkut
- Përzierja me njerëz të cilët janë në gaflet
- Argëtimet dhe rekracionet e shpeshta
- Renia e shpeshtë në mubahate (vepra te lejuara për te cilat nuk ka as dënim e as shpërblim)
Ilaçet për shërimin e gafletit
- Përmendja e Allahut
- Duaja për largimin e kësaj sëmundje
- Namazi i natës
- Vizita e varrezave
Ndëshkimet si pasojë e gafletit
- Privimi nga të medituarit, kuptuarit dhe të pêrfituarit nga ajetet e Kuranit
- Privimi nga mëshira e Allahut
- Mospranimi i lutjeve (duave)
- Mbizotërimi i shejtanit tek gafili
- Pasimi i gafleteve njeri pas tjetrit
- Përfundimi i keq
- Humbja në Ahiret
- Hyrja në Zjarr .
Përktheu: E.Kosumi