I. Përkufizimi i Tefsir-it
Gjuhtarisht: Fjala et-Tefsir (التفسير) rrjedh nga fjala el-fesru (الفسر) që do të thotë: shpjegim, qartësim, shpalosje. Nëse themi: E ka bërë Tefsir, kemi për qëllim qartësimin apo shpjegimin e diçkaje.
Në terminologjinë fetare: Dijetarët e kësaj lëmie kanë përmendur shumë përkufizime të kësaj shkence, andaj përkufizimi të cilin do ta përmendim mendojmë se është më përmbledhës dhe më i përshtatshëm.
Tefsiri është lëmi e cila hulumton qartësimin dhe komentimin e kuptimeve Kur’anore, sipas asaj që Allahu e ka patur për qëllim, krejt kjo varësisht prej mundësive të njeriut.[1]
Problematikë: Është e dukshme dhe e qartë se nëpër librat e Tefsirit ka tematika dhe gjëra të cilat nuk janë përmendur në përkufizim, a don të thotë se këto gjëra janë jashtë tematikës kryesore të Tefsirit?!
Po, nëpër librat e Tefsirit ndodh që të gjejmë gjëra të cilat nuk kanë shumë lidhje më tematikën kryesore të Tefsir-it, andaj disa prej dijetarëve të Tefsirit kanë thënë për Tefsirin e er-Razi-it: “Në të ka gjithçka përveç Tefsirit”.
II. Nevoja për lëminë e Tefsir-it
1- Prej qëllimeve të zbritjes së Kur’anit është që ky Libër të jetë argument për vërtetsinë e pejgamberisë së Muhamedit (sala Allahu alejhi ue selem), d.m.th. ky Libër është zbritur që të jetë mrekullia më e madhe, ndërsa njohja e kësaj nuk bëhet vetëmse nëpërmes lëmisë së Tefsir-it.
2- Prej qëllimeve të zbritjes së Kur’nit është që ky Libër të jetë referencë e njerëzve në të gjitha çështjet e tyre, materiale qofshin, apo fetare, të jetë shpirt i jetës së tyre në këtë botë, të jetë dritë dhe udhëzues për ata dhe se nëse njerëzit e pasojnë këtë Libër, nuk do të mund të arrijnë lumturinë e kësa bote dhe kënaqësinë e Ahiretit. E gjithë kjo nuk mund të arrihet vetëmse me kuptimin e Kur’anit ashtu siç duhet, kuptim ky i cili merret dhe nxirret prej librave të kësaj lëmie.
3- Të gjitha lëmitë dhe shkencat tjera fetare janë të nevojshme për Tefsirin, ngase kjo shkencë është sikurse zemra për pjesët tjera të trupit.
III. Historiku i kësaj lëmie
Allahu e ka bërë që në çdo kohë të ketë njerëz të cilët do t’i komentojnë dhe qartësojnë fjalët e Allahut. Kjo situatë ka ekzistuar që në kohën e Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue selem), sepse edhe Sahabët, ashtusi edhe krejt njerëzit tjerë, kishin nevojë që dikush t’ua tregonte kuptimin e vërtetë të ajeteve Kur’anore, mirëpo për dallim nga periudhat tjera të historisë së kësaj lëmie, në atë kohë komentuesi dhe qartësuesi i ajeteve ishte vet Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue selem).
Ulej Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue selem) në mes të shokëve të tij dhe ua qartësonte atyre gjërat të cilat nuk i kuptonin mirë dhe ua qartësonte çdo send ashtusiç duhet.
Poashtu vërehej entuziazmi dhe dëshira e Sahabëve qe të mësojnë komentimin e Librit të Allahut nga Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue selem), derisa ata që nuk kishin mundësi të prezentojnë në mexhlisin e Profetit (sala Allahu alejhi ue selem) çdo ditë, ndëroheshin me ndonjë Sahabi tjetër, kështu që njëri prezentonte një ditë, kurse tjetri ditën tjetër.
Pas vdekjes së Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue selem), ishin shokët e tij ata që e morën këtë përgjegjësi mbi supet e tyre, me qëllim që gjeneratat e reja ta dijnë qëllimin dhe kuptimin e Librit të Allahut.
Në kohën e Tabi’inve kishte prej tyre burra që diturinë e tyre e kishin mësuar prej shokëve të Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue selem), bile kishte prej tyre që jepnin Fetva dhe përgjigjeshin me urdhërin e mësuesit të tij. Kjo atmosferë e mirë për mësim dhe dituria e përhapur e bëri që disa prej Tabi’inve të bëhen referencë në këtë lëmi.
Thëniet dhe komentimet e Sahabeve dhe nxënësve të tyre transmetoheshin gojarisht, deri në periudhën e përmbledhjes dhe shkrimit të këtyre thënieve, kështuqë kjo lëmi filloi të përparoj në këtë aspekt, mirëpo filloi të ndryshoj në aspekte tjera, si p.sh. në aspekt të tematikës rreth së cilës shkruhej një libër i Tefsirit.[2]
Përktheu: Ali Ashani
[1] D.m.th që Kur’ani nuk komentohet me kuptime që janë përtej fuqisë dhe aftësive intelektuale dhe mendore të njeriut, siç janë disa komentime të Sufijve ose Batinijve. Sh.P.
[2] Nga: “Enciklopedia e Kur’anit”