بسم الله الرحمن الرحيم
A keni kërkuar ndonjëherë një program prej së cilit do të përfitoni dhe i cili do t’i plotësojë nevojat tuaja intelektuale dhe shpirtërore?
A nuk do të kishi dëshirë që të jeni të angazhuar në mësimin e Fesë së Allahut duke ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë me Të? Madje të gjithë këtë ta bëni nga shtëpia juaj, qoftë nga telefoni, kompjuteri apo tableti juaj.
E pra, për të arritur këtë dhe për të përparuar në aspekte dhe sfera tjera në të cilat kemi mundësi të zhvillohemi dhe përparojmë, kërkon një flijim dhe përkushtim të veçantë.
Mirë se vini në Institutin Islam Ikra. Një program i cili zgjat 2 vjet në mënyrë paralele me vitin normal akademik. Duke e patur si qëllim të përmbush nevojat e muslimanëve në fushat kyçe, në mënyrë që të zhvillojë karakter dhe sjellje të mira, themelet e së cilave janë rrënjosur thellë në parimet Islame dhe të cilët janë të shtyrë për të zbatuar këto parime në çdo aspekt të jetës së tyre.
Në thelb të programit janë ligjëratat javore, gjatë së cilave shpjegohet materiali i planifikuar në lëmi të ndryshme siç janë: Akide-ja, Lëmitë e Kur’anit dhe Sunnetit, Fikhu, Usuli Fikhu, Morali, etj.
Tetë ligjerata në javë, të ndara në katër lëndë nga dy ligjerata, ku secila ligjeratë zgjat 40 minuta.
Ligjerata ku nxënësi ka mundësinë që të krijoj një lidhje më të fortë me mësimdhënësit, gjë e cila e stimulon dhe e ndihmon individin që të jetë më transparent gjatë pyetjeve rreth problematikave dhe gjërave të cilat nuk i kupton mirë. Njohja e mësimdhënësve si dhe nxënesve tjerë të cilët janë pjesë e këtij programi poashtu ndihmojnë në krijimin e një lidhjeje më të fortë, lidhje vëllazërore e bazuar në parimet e Fesë së Zotit.
Planprogrami është dinamik, interesant dhe ka për qëllim të jetë referenca dhe burimi kryesor i një muslimani sa i përket përmbushjes së nevojave shpirtërore dhe kultivimit të vlerave të mirëfillta. Musliman ky i cili do të jetë shembëlltyrë për të tjerët dhe do të reflekton njohjen e objektivave dhe synimeve që i ka në jetën e tij, qoftë në jetën private, apo shoqërore.
Pra, pse ju duhet ky Institut në jetën tuaj?
Sa më shumë e më shumë njerëz po kthehen kah Allahu dhe Feja e Tij, me këtë dëshira dhe etja për dije Islame vazhdon të rritet. Megjithatë shumë vëllezër dhe motra në raste të shumta shpenzojnë shumë prej kohës së tyre duke studiuar një numër të madh të lëmive Islame, mirëpo pa kuptuar qëllimet dhe parimet që qëndrojnë prapa këtyre lëndëve dhe lëmive.
Kjo i bën ata të ndjeshëm dhe të rrezikuar ndaj ideve të “huaja“ dhe koncepteve që në në një mënyrë i largon ata nga mësimet e Islamit. Ata nuk avancojnë derisa t’i njohin këto lëmi në mënyrë që i bën ata zbatues dhe praktikues të asaj që e kanë njohur, pa marë parasysh situatat dhe rrethanat me të cilat ballafaqohen.
Në Institutin Islam Ikra, ne besojmë dhe jemi fortë të bindur se Profeti (s.a.s) nuk ka lënë prapa pasuri materiale, as dinar dhe as dirhem, mirëpo na ka lënë një thesar shumë më të vlefshëm, na ka lënë dituri, e cila është shpallje prej Zotit të tij, Allahut.
Dituri, parimet e së cilës janë mishëruar në praktikimin dhe jetën e tij të përditshme. Ai i mësoi shokët e tij, që ta reflektojnë në praktikë çdo gjë të cilën e kishin mësuar nga ky Profet (s.a.s), gjë e cila i bëri ata të shkëlqejnë si individë dhe shoqëri, gjë e cila i bëri ata krenar, pasi që ishin të nënçmuar. Këta burra dhe gra ishin udhëheqësit e njerëzimit që e morën mesazhin e Islamit si barrë mbi supet e tyre, pastaj e shpërndanë nëpër gjithë botën.
Aspiratat tona janë të prodhojmë liderë me themele të patundshme fetare, të cilët i kuptojnë nevojat specifike të shoqërive bashkëkohore, ne besojmë se Instituti Ikra do të ketë një rol dhe kontribut të rëndësishëm në reflektimin e parimeve Islame, në mënyrë që të japin një platformë që Islami të jetë shërim për të gjitha sëmundjet dhe devijimet njerëzore.
Me lejen e Allahut, Instituti Islam Ikra gjithashtu do t’i përgatisë nxënësit me qëllim që të jenë individë shembullorë, që kanë një lidhje të fortë me Krijuesin e tyre dhe të cilët i njohin metodat për ta kuptuar Islamin si një sistem funksional jete. Nëso dëshiron Allahu, këto individë do të na përfaqësojnë me dinjitet, urtësi dhe nder neve si musliman, por ç’është më e rëndësishme do ta përfaqësojnë Fenë e Allahut, Islamin.
institutiikra@gmail.com
Adresa: Tetovë, Rr. e Ilindenit nr.215
Për përshkrim më të hollësishëm të planprogramit klikoni KËTU.