A janë mëkatet prej shkaqeve të fatkeqësive të ndryshme?

by Uniteti-Admin

Pyetja: Disa prej njerëzve shpejtojnë në nxjerrjen e konkluzave për shkaqet e ndodhjes së disa fatkeqësive, andaj p.sh. thonë: Allahu dëshiron nga këto sprova këtë dhe këtë, apo thonë: Nuk bjen shi për shkak të mëkateve të shumta, apo thonë: Ky tërmet ndodh ngase Allahu dëshiron që t’i sprovon këta njerëz…

A nuk është kjo thënie prej gjërave të cilat thuhen për Allahun pa dituri, ngase ne nuk e dijmë realitetin e qëllimit të Allahut nga këto ndodhi?

Përgjigja: Nuk ka dert nëse njeriu si shkak të ndonjë fatkeqësie që i kaplon njerëzit, qoftë kjo tërmet apo sprovë apo varfëri, përmend ndonjë shkak të vërtetë. P.sh. mëkatet, Allahu na ka treguar në librin e Tij se ato janë shkak i të keqes dhe çregullimit, thotë Allahu:

((ظَهَرَ‌ الْفَسَادُ فِي الْبَرِّ‌ وَالْبَحْرِ‌ بِمَا كَسَبَتْ أَيْدِي النَّاسِ))

U shfaq ngatërresa (çregullimi) në tokë dhe në det për atë që punuan duart e njerëzve…[1]

Poashtu thotë Allahu: ((وَمَا أَصَابَكُم مِّن مُّصِيبَةٍ فَبِمَا كَسَبَتْ أَيْدِيكُمْ وَيَعْفُو عَن كَثِيرٍ‌))

Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja, e për shumë të tjera Ai u falë.[2]

Dhe thotë: ((أَوَلَمَّا أَصَابَتْكُم مُّصِيبَةٌ قَدْ أَصَبْتُم مِّثْلَيْهَا قُلْتُمْ أَنَّىٰ هَـٰذَا ۖ قُلْ هُوَ مِنْ عِندِ أَنفُسِكُمْ))

Kur ju goditi juve fatkeqësia (në Uhud), e ju më parë i patët goditur armiqët tuaj dyfish (në Bedër), thatë ju: “Prej nga na erdhi neve kjo?!” Thuaj (o Muhammed!): Kjo është prej vetë juve.[3]

Tekstet fetare në këtë çështje janë të shumta dhe të njohura, andaj s’ka dert nëse njeriu e përmend diçka si shkak të ndonjë sprove, nëse ajo realisht ka mundësi të jetë shkak, edhe pse ka mundësi që të ketë akoma më shumë shkaqe të cilat ne nuk i dijmë.

Nëse ne e llogaritim si shkak diçka që Allahu e ka llogaritur si të tillë, atëherë kjo nuk është prej gjërave të cilat thuhen për Allahu pa dituri, madje jemi duke thënë për Allahun diçka që ai na e ka mësuar për Veten e Tij, në këtë rast, thënia se shkaku i ndodhjes së fatkeqësive janë mëkatet dhe veprimet e duarve tona.

 

Muhamed bin Salih el-Uthejmin

Përktheu: Ali Ashani

[1] Er-Rum, 41

[2] Esh-Shura, 30

[3] Aal-I’mran. 165

Të tjera