Jeta modeste e Davud Et-Taij

by Uniteti-Admin

1-    Prejardhja familjare e tij:

Ai është dijetari asket Davud ibn Nasir et-Taij, ebu Sulejman el-Kufi, ka lindur rreth vitit 100 sipas Hixhretit.

Sipas dijetarëve ai është një prej personaliteteve të  gjeneratës së mesme të etba’a tabi’inëve[1].  Nga ky dijetar ka transmetuar Imam Nesaiu. Për këtë dijetar Imam ibn Haxheri thotë: “I besueshëm, asket dhe person që Allahu i ka dhënë kuptim të fesë”.

2-    Dijetarët nga të cilët ka transmetuar hadithe:

Ka transmetuar hadithe nga Ismail ibn ebi Halid, Habib ibn ebi Hamra, Humeid et-Tavil, Sad ibn Said el-Ensari, Sulejman el-Ea’mesh,  Abdul Melik ibn Umejr, Muhamed ibn Abdurahman ibn ebi Lejla, Hisham ibn Urve.

3-    Ndikimi i të tjerëve në personalitetin e tij:

Davud et-Taij kishte mjaft dituri dhe kuptim të fesë dhe ishte nga ata që mernin dituri tek ebu Hanifja, mirëpo nga dituria që e kishte, bënte ndërhyrje të shpeshta, poashtu një ditë e goditi  me një guralec një student tjetër, atëherë i tha ebu Hanifja: “U zgjat shumë gjuha dhe dora yte!”  Dhe prej këtij momenti kaluan një vit, kurse Davudi as nuk bënte pyetje dhe as nuk jepte përgjigje.

4-    Disa nga cilësitë e dalluara të tij:

–         Adhurimi i tij.

Për adhurimin e tij tregon robëresha e tij Umu  Said dhe thotë:  “Mes neve dhe Davud et-Taij kishte nje mur të vogël dhe shpesh herë dëgjoja zërin e tij duke u dridhur nga të qajturit në namaz dhe shpesh herë e lexonte Kur’anin deri në agim”.

–         Asketizmi i tij .

Për asketizmin e tij tregon Hafs el-Xhufi duke thënë: “Ka trashëguar Davudi nga e ëma e tij katërqind dirhem me të cilat është ushqyer tridhjetë vite me rradhë dhe kur i harxhoi ato para, e nxorri në shitje kulmin e shtëpisë pjesë pjesë”.

Thotë A’ta ibn Muslim për të: “Ka jetuar njëzet vite me treqind dirhem”.

Transmetohet nga Kubejsa se ka thënë: “Më ka treguar një shok se njëra nga gratë e familjes së Davudit ka gatuar bukë elbi me djalpë dhe nëpërmjet një shërbetore që kishte, ia dërgoi atë Davudit dhe mes tyre kishte lidhje nga qumështi (afërsi familjare),  tregon shërbetorja: ”Ia lash enën mes duarve të tij dhe ai filloi të hante dhe përnjëher erdhi një lypës dhe u ul të hante me të, e pasi përfunduan hyri brenda e lau enën dhe e mbushi plotë me hurmat të cilat i kishin mbetur dhe ma ktheu enën plotë”.  Tha në vete shërbetorja: ”Mendova se e ka ruajtur për darkë, mirëpo ai e mbushi enën me hurma dhe ma dha duke më porositur që ti bëj selam dhe t’i shpreh shumë falënderime”, tha në vete robëresha: ”Atë që ia sollëm ne, ia dha lypësit ndërsa atë që e kishte lënë për mëngjes na e dhuroi neve dhe nuk mbeti vetëmse me duart bosh”.

Tregon Muhamed ibn Beshr duke thënë: ”Hyra në Xhaminë  e Davud et-Taiit dhe e fala me të namazin e akshamit dhe  pastaj më mori përdore dhe hyrëm në shtëpinë e tij dhe e mori një bukë shumë të thatë dhe e futi në ujë për ta zbutur dhe më tha: ”Ha!” Unë ia ktheva: ”Allahu të dhashtë bereqet o ebu Sulejman, sikur të kishe përdorur pak kripë”,ai u ndal pak dhe tha: ”Me të vërtetë trupi im e do kripën, mirëpo Davudi ende nuk e ka shijuar kripën përderisa është në këtë dunja”, dhe me të vërtetë nuk e shijoi kripën derisa vdiq.

Transmetohet nga Hamad ibn ebu Hanife se ka thënë: ”Erdha tek Davud et-Taii dhe e kishte derën e hapur dhe e ndëgjova duke i thënë këto fjalë: ”Dëshirove të hashë një karrotë dhe e shijove atë, pastaj dëshirove të hashë një karrotë bashkë me një hurmë, më mirë të mos kishe ngrënë asnjëherë”, kërkova leje dhe hyra brenda dhe e pashë se ai ishte duke e këshilluar veten e tij.

–         Ndikimi i tij tek të tjerët

Nuk ka mundësi që njeriu që posedon këtë shkallë të modestisë dhe asketizmit t’a mban atë vetëm për vete, mirëpo këto cilësi e nxisin që t’i këshillon edhe të tjerët. Një herë një person i tha: “ Më këshillo”. Ai ia ktheu: ”Agjëro tërë jetën dhe bën si iftar tëndin  vdekjen”, e pastaj i thashë: “Më shto”. Ai tha: “Bëhu që mos të të sheh Allahu në gjërat që t’i ka ndaluar, dhe të mos mungosh në gjërat që t’i ka obliguar”,  pastaj i tha: Më shto!”  Ia ktheu : ”Pajtohu me pak nëse të mbrohet feja yte, ashtu siç u pajtuan popujt me shumë, edhepse pasojë e saj ishte shkatërimi i fesë së tyre”.

Transmeton Dhafer ibn Abdurrahman nga Jahja el-Hamani i cili tregon se i ka thënë Davudit: ”O ebu Sulejman, çka thua për hedhjen me shigjeta, sepse me të vërtetë kam dëshirë që t’a mësojë atë?” Ai ma ktheu: ” Me të vërtetë hedhja me shigjeta është e mirë, mirëpo koha që kalon është e ytja, pra shiko mirë se me çka e kalon atë”.

Transmetohet nga Rabi’ el-A’raxh se ka ardhur tek Davud et-Taii i cili nuk dilte nga shtëpia derisa të thërriste muezini “sapo fillon namazi” dhe pas saj dilte dhe e falte namazin, pas namazit ai i veshte nallet e tija dhe hynte përsëri në shtëpinë e vet, dhe kështu vazhdonte çdo ditë derisa e humba durimin dhe e ndala një ditë dhe i thashë: ”O ebu Sulejman, ndalu pak se ka kohë që dua  të të takoj” , pasi u ndal i thashë: ”O ebu Sulejman më këshillo! ”Ai më tha: ”Ke frikë Allahun, dhe nëse i ke prindërit gjallë  atëherë respektoji dhe sillu mirë me ata”. Këtë e përsëriti tri herë dhe në të katërtën tha: “Agjëro tërë qëndrimin tënd në këtë botë dhe iftar bën kur të vdesish…”

Davudi duke e këshilluar Sufjanin iu drejtua me këto fjalë dhe i tha: ”Nëqoftëse je që e pijnë ujin e ftohtë dhe që e hanë atë që është e këndshme dhe e mirë, dhe ec nëpër hijet e freskëta, atëherë kur do t’a dëshirosh vdekjen dhe shkuarjen tek Allahu i Madhërishëm?”, Sufjani përnjëher ia filloi të qajturit.

Transmetohet nga ibn es-Semake i cili tregon se e ka këshilluar Davudi me fjalët: ”Kujdesu që Allahu mos të të sheh në vendet që t’i ka ndaluar dhe të mos mungosh në vendet që të ka urdhëruar që të jesh prezent dhe turpërohu nga afërsia e Tij me teje dhe nga fuqija e Tij mbi ty”.

5-    Nga thëniet më të njohura të tij.

Ka thënë: ”Nga bindja mjafton të jesh asket dhe nga dituria mjafton të jeshë adhurues dhe nga adhurimi mjafton që të veprosh”.

Gjithashtu ka thënë:  ”Asketi në këtë botë nuk don që të jetojë në të dhe nga veprat më të mira është të jeshë i kënaqur me Allahun dhe nuk i takon muslimanit që të mërzitet kur e godet ndonjë fatkeqësi, sepse ai e din se për çdo durim ka shpërblim dhe e din se Allahu ia qëllon ma së miri”.

6-    Vdekja e tij

Tregon Hafs ibn Umer el-Xhu’fi dhe thotë: ”Është ankuar Davud et-Taii nga sëmundja e tij disa ditë dhe kjo përshkak se gjatë namazit të natës ka lexuar disa ajete në të cilat përmendet Zjarri i Xhehenemit, duke i përsëriur këto ajete disa herë. Kur u zgjua në mëngjes u zgjua i sëmurë dhe kështu e gjetën të vdekur duke e pasur kokën e tij të vendosur mbi një tullë nga balta, pastaj e morën e përgatitën xhenazen e tij dhe në varrimin e tij morën pjesë shumë njerëz dhe kur i pa ibn es-Semake ato njerëz në veten e tij tha: ”O Davud e burgose veten para se të të burgosin dhe e llogarite veten para se të llogaritesh, sot e sheh shpërblimin të cilin e shpresove, për të cilin ishe dhe punove.

Vdiq në vitin 162H. apo në vitin 165H. Dhe pas  tij nuk pati njeri sikur ai më në Kufe.

 

Përktheu: Sejfullah Sejfuli

 

 



[1] Etba’a tabi’in quhen gjenerata e cila vijon pas tabi’inëve, të cilët janë gjenerata e parë pas sahabeve (shokëve të Pejgamberit). Sh.P.

Të tjera