Koha dhe vlera e saj tek dijetarët

by Uniteti-Admin
koha dhe vlera e saj
“Pasha kohën! Nuk ka dyshim njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” (El-Asr 1-3)

Këto fjalë të shkurta i zgjuan ambiciet e të parëve tonë. Këto ajete madhështore, mahnitëse, por edhe frikësuese në të njëjtën kohë, e ngritën Omerin, i dhanë peshë ibn Mesu’dit, e ritën Ibn Abbasin duke qenë fëmijë, e kthjelluan Ebu Hanifen, e forcuan Ahmedin, e zbukuran Malikun, e udhëzuan Ummetin pasiqë ishim të devijuar dhe të dobët.

“Dhe kujtoni dhuntinë e Allahut për ju; kur ishit në armiqësi, e i bashkoi zemrat tuaja e në saje të dhuntisë së Tij u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi juve nga ajo. Po kështu Allahu ua sqaron juve argumentet e veta që ju të udhëzoheni.” (Aal Imran 103)

E kuptuan vlerën e kohës, kuptuan vlerën e vet njeriut dhe urtësinë e ekzistencës së tij në dynja, andaj, me dituri u ngritën dhe u bashkuan, me atë përparuan dhe u forcuan, me atë shtuan dashurinë dhe respektin mes vete.

Kur dëgjojmë për Shafiun, Ibn Hazmin, Buhariun, Muslimin, Darekutnin, Ibn Xhevzin, Neveviun, Ibn Haxher, Ibn Tejmije, Subkin dhe shumë e shumë tjerë si këta imam, duhet të dimë një gjë, së jo të gjithë prej tyre kanë jetuar gjatë, madje disa prej tyre, jetët e tyre ishin relativisht të shkurta, por e kuptuan dhuntinë e madhë që Allahu na ka dhënë, kohën, për të cilën Allahu betohet në suren e emërtuar me këtë emër. 

Shafiu dhe Neveviu janë shembulli më i mirë për këtë, por mos të harrojmë, nuk janë të vetmit, madje mos të shkojmë shumë mbas në kohë, të marrim shembuj në këto 100-150 vitet e fundit.

AbdulHaj el-Leknevi el-Hindi, autor i më shumë se 110 librave, të gjitha punimet e tija ishin të karakterit akademik, punime të thella dhe precize, a e dini sa ka jetuar? Jetoi vetëm 39 vjet, Allahu e mëshiroftë. Ndërroi jetë në vitin  1305 h.

Xhemaluddin el-Kasimi, autor i më shumë se 100 librave, thotë, Allahu e mëshiroftë, për veten e tij: “Zoti im me mirësinë e Tij, largoi nga robi i tij i dobët (flet për veten e tij) humbjen e kohës dhe ndejën pa qëllim, andaj kam lexuar libra të historisë dhe letërsisë aq sa nuk i numëroj.”  Po ashtu thotë: “Allahu ma mundësoi me mirësinë e Tij, leximin e Sahihut të Muslimit në dyzet ditë, Sunenin e ibn Maxhes në 21 ditë, Muvetanë në 19 ditë, Takrib et-Tehdhib me disa përmirësime dhe shënime për 10 ditë, andaj o ti që je fajtorë lëri ditët e përtacisë dhe kujdesu për ditët tua të çmuara me marrje të diturisë dhe përmirësimin e veprës.” Ky dijetarë jetoi vetëm 49 vjet.

Këto ishin të parët tonë, si do të jemi ne?!

Përgatiti: Ali Ashani

Lexo për gafletin këtu.

Të tjera