Sahabët e kanë ruajtur Sunetin e Pejgamberit tonë të nderuar me një kujdes të veçantë të cilin nuk e ka dëshmuar historia e njerëzimit më parë. Ata kanë transmetuar deri tek ne çdo urdhër i cili ka buruar prej Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe na kanë transmetuar edhe detajet dhe gjërat intime dhe nuk kanë lënë gjë prej veprave, fjalëve apo pëlqimeve ose cilësive të tij, vetëmse i kanë përcjellur deri tek ne, përderisa lexuesi në biografinë e Pejgamberit e parafytyron atë sikurse me e patur atë përpara tij, ashtusiç ka qenë në kohën e tij kur ka qenë gjallë.
Prej precizitetit të tyre të madh në transmetim të gjithçkaje prej Pejgamberit dhe prej mosneglizhencës së sahabëve në transmetim, neve na ka arritur një numër i madh i haditheve nëpërmjet të cilëve ne e praktikojmë fenë tonë në mënyrën e duhur.
Prej shembujve të precizitetit në transmetim është Hutbeja Lamtumirëse e Haxhit të Fundit të Pejgamberit në të cilën na janë transmetuar fjalë dhe urdhëra të Pejgamberit që janë të atij stilit që nuk i ka thënë asnjë personalitet, asnjë kryetar prej kryetarëve dhe asnjë komandant prej komandantëve. Ky ishte pra personaliteti i Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), personalitet i cili i bëri sahabët që të shikojnë në atë dhe të transmetojnë çdogjë që e shohin dhe që e ndëgjojnë prej tij dhe se atë që e transmetojnë është fe e cila është obligim që të pasohet dhe të punohet sipas saj.
Ky precizitet i paparë në transmetim arriti deri në atë shkallë saqë na kanë transmetuar edhe sa qime të bardha ka pasur Pejgamberi në mjekrrën dhe në flokët e tij, na kanë përcjellur edhe mënyrën e sjelljes së tij, mënyrën e gjumit, mënyrën e sjelljes së tij në shtëpi dhe ndaj krijesave në përgjithësi, mënyrën e foljes dhe shqiptimit, mënyrën e sjelljes me fëmijët dhe me gratë etj.
Për këtë shkak nuk ekziston në historinë e njerëzimit biografi të ndonjë personaliteti, ndonjë mbreti, apo ndonjë pejgamberi, ndonjë biografi dhe udhëpërshkrim siç është udhëpërshkrimi, tradita dhe biografia e Pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).
Na ka lajmëruar Pejgamberi se do të vijë një kohë kur njerëzit do të refuzojnë diçka apo gjithçka që na është transmetuar nga Pejgamberi, për këtë shkak Pejgamberi i ka nxitur sahabët që t’a mësojnë dhe t’a përvetësojnë Sunetin përmendësh dhe t’ua transmetojnë atë atyre që vijnë pas.
Transmetohet prej ebi Rafi’ (radijAllahu anhu) se Pejgamberi ka thënë: “Mos të shtrihet dikush në ulësen (karriken) e tij dhe kur atij t’i vijë një urdhër prej urdhërave të mia, ose t’i vijë diçka me të cilën unë jam urdhëruar ose diçka prej të cilës jam ndaluar, të thotë: “Nuk e dijë…atë që e gjejmë në Librin e Allahut e pasojmë”. (Transmeton Shafi, Ahmed, ebu Davud, ibn Maxhe, Tirmidhi)
Transmetohet prej ibn Ma’dij Kerib el Kindi (radijAllahu anhu) se ka thënë: “Pejgamberi i Allahut na ndaloi Ditën e Hajberit disa gjëra, prej tyre na ndaloi gomarin shtëpiak dhe gjëra tjera” dhe tha Pejgamberi: “Kam frikë se do të shtrihet dikush prej jush në ulësen e tij dhe kur do t’i thuhen atij fjalët e mia do të thotë: “Mes mua dhe mes jush është Libri i Allahut, çka gjejmë hallall në të, e bëjmë hallall dhe çka gjejmë haram në të, e bëjmë haram”. Me të vërtetë atë që e bën haram Pejgamberi i Allahut është haram sikurse atë që e ka bërë Allahu”. (Transmeton ed Darimij, ebu Davudi, el Hakim, et Tirmidhi)
Në këta dy hadithet e fundit që i përmendëm shihet qartë se do të vijnë njerëz dhe popuj të cilët do të thonë se janë musliman dhe se i takojnë këtij Umeti mirëpo nuk marrin prej Sunetit, por marrin vetëm prej Kur’anit.
Sahabët e nderuar iu përgjigjën urdhërit të Allahut (subhanehu ue teala) në bindje ndaj Tij dhe ndaj të Dërguarit dhe e pasuan Sunetin e tij në atë që Pejgamberi i ka urdhëruar dhe në atë që ua ka ndaluar. Pas vdekjes së Pejgamberit ata ngelën në atë metodologji në të cilin ishin kur Pejgamberi ishte gjallë, bile më se tepërmi iu shtua përmbajtja ndaj asaj që ishte prej Sunetit dhe u kapën për Sunetin me dhëmballë ashtusiç i kishte urdhëruar mësuesi i njerëzimit dhe i njerëzisë, Muhamedi (Paqja dhe mëshira qoftë mbi të).
Përveç kësaj ata edhe e ruajtën këtë Sunet me ruajtje të çuditshme dhe ia dhanë hakun derisa e shpërndanë Fjalën e Allahut dhe Fjalën e Pejgamberit në çdo vend.
Në ruajtjen e Sunetit të Pejgamberit sahabët luajtën rol kryesor, rol i cili është evident edhe sot e kësaj dite. Që në kohën e sahabëve filloi të zhvillohet Shkenca e Hadithit dhe vërtetimi i haditheve si dhe zhvillimi i i Shkencës së Zinxhirit të Hadithit e cila është gjëja me të cilën mburremi dhe është gjë të cilën nuk e ka njohur njerëzimi dhe me të cilën karakterizohet vetëm Feja Islame dhe asnjë fe tjetër.
Prof. Dr. Khalil bin Ibrahim
Përktheu: Enis Arifi