Bismilah dhe elhamdulilah…
Ku janë gjurmët e Imanit? Ankesat tona të shpeshta më duken se nuk kanë fund, ankohemi për gjërat e vogla dhe të pavlefshme para se të ankohemi për gjërat e mëdha që kanë vlerë, por padyshim një prej ankesave e cila duhet që me të vërtetët ta ndez alarmin e vëmendjes tonë është ankesa e dikujt prej nesh rreth gjendjes së Imanit të tij, andaj shpesh dëgjojmë xhemat dhe hoxhollarë duke thënë: “Ku janë gjurmët e Imanit tonë në Allahun?!”
Kjo është për t’u brengosur, për t’u pikëlluar, pyetje e cila duhet të na bën që të ulemi dhe t’a bëjmë një muhabet serioz me veten tonë, është me të vërtetë pyetje alarmante, ngase lidhet me mirëqenien tonë shpirtërore dhe me mirëqenien e raportit tonë me Allahun dhe kjo është pasuria më e madhe njeriut në këtë jetë.
Sot duke shfletuar diçka nëpër thënie të disa studiuesve dhe dijetarëve gjeta një thënie të një kolosi të Umetit tonë, i cili jo rrallë herë me fjalët e tija na kujton sesa ka nevojë Umeti për dijetarë të tillë, thënie e cila kishte lidhje të ngushtë me brengën e gjurmëve të Imanit në jetën e secilit prej nesh.
Lexo me vëmendje fjalët e tija dhe do të shohish kuptimin e thellë të konceptit të ibadetit, imanit dhe nijetit që kishin të parët tonë, kuptim ky i cili trashëgonte në zemrat dhe gjymtyrët e tyre përkulje dhe bindje të plotë ndaj Allahut subhaneh në të gjitha aspektet e jetës së tyre, andaj pyetja jonë që e parashtruam nuk ishte aq e përsëritur dhe prezente nëpër ndejet dhe takimet e tyre.
O Allah, na bën që ta kuptojmë Dinin Tënd.
Thotë Ebul Abbas ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë: “Shpenzimi i njeriut për veten dhe familjen e tij është më i mirë sesa shpenzimi për ata që nuk e ka obligim përkujdesin ndaj tyre, sepse ky shpenzim (për veten dhe familjen) është i obligueshëm dhe nuk i afrohen njerëzit Allahut me diçka më mirë sesa me gjërat që ua ka obliguar.
Mirëpo, shumica e njerëzve këtë (shpenzimi për veten dhe familjen) e bëjnë si vepër të rëndomtë dhe zakon, nuk synojnë me këtë Allahun… Ndërsa ai që synon me këtë vepër Fytyrën (kënaqësinë) e Allahut ka shpërblim më të madh sesa dhënia e lëmoshës vullnetare.
Por, dikush i jep një nevojtari apo udhëtari një lëmoshë të vogël duke synuar Allahun dhe ndjen me këtë ëmbëlsinë e imanit dhe ibadetit për Allahun, ndërsa shpenzon për veten dhe familjen me mijëra dhe nuk e shijon ëmbëlsinë e imanit dhe ibadetit, kjo ngase nuk i ka shpenzuar për hir të Allahut.” (Xhevab el-i’tiradat elmisrije)
Subhanallah, a e sheh, a e kuptove ku është problemi?
Mendoj që, njejtë sikur unë edhe ti, e ke këtë ndjenjë të shikimit me madhërim dhe mahnitje për këto dijetarë besimtarë që me perlat e shumta të thesarit të tyre na ndriçojnë rrugëtimin tonë nëpër erësirën e dynjasë.
Në çdo vepër të tyre ata shihnin rast të mirë të përmirësimitë të gjendjes së tyre të imanit, rast për ta shijuar ëmbëlsinë e Ibadetit ndaj Allahut, rast për ta kryer një vepër duke synuar Fytyrën e Allahut, madje edhe nëso kjo vepër në sytë e shumicës prej nesh nuk është vetëmse punë prej punëve të rëndomta të përditshmërise tonë të lodhshme.
Andaj, nëse ne, njejtë sikur ata, me ngrënien tonë, punët tona, gjumin dhe buzëqeshjet tona, nëse me këto gjëra që na duken thjeshtë si nevoja fizike, synonim kënaqësinë e Allahut dhe përmirësimin e raportit tonë me Të, dije se do ta shijonim imanin dhe ibadetin në formën më të ëmbël të tyre dhe nuk do të ankoheshim aq shumë për mungesën e gjurmëve të Imanit në jetën tonë.
Allahu e din më së miri.