Kujdesi i sahabeve për Sunnetin

by Uniteti-Admin

Sahabet (riduanullahi alejhim), në kohën e Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) i nxirrnin dispozitat fetare nga Libri i Allahut, të cilin e mësonin nga Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem). Shumë prej ajeteve të cilat zbritnin (u shpallnin) ishin të paqartësuara (muxhmel), jo të detajizuara, të përgjithsuara, jo specifike, siç është urdhëri për namaz, ky urdhër është përmendur në Kur’an në formë të përgjithshme, jo në formë të detajizuar, nuk tregohet numri i rekateve, forma e namazit, e as koha e namazeve, poashtu edhe urdhëri për zekat, ka ardhur në formë të përgjithshme, nuk është përcaktuar minimumi i pasurisë për të cilën duhet të jepet zekat dhe as që janë përcaktuar sasija dhe kushtet e këtij adhurimi.

Kështuqë, sahabet medoemos duhej të referohen tek i Dërguari i Allahut (sala Allahu alejhi ue sel-lem) për t’i njohur dispozitat në detaje, ndërsa Pejgamberi i Allahut, ishte kumtues i mesazhit të Allahut dhe njeriu i cili më së miri i dinte qëllimet e fesë së Allahut.

Allahu na ka treguar për misionin e profetit të Tij, se ai e shpjegon Kur’anin, e qartëson atë dhe qëllimet e dispozitave dhe ajeteve të përmendura në Kur’an, thotë Allahu:

((و انزلنا إليك الذكر لتبين للناس ما نزل إليهم و لعلهم يتفكرون))

“Ty ta zbritëm Dhikr-in që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do të meditojnë.[1]

Sahabet (riduanullahi alejhim) i respektonin kufijtë e urdhërave dhe ndalesave të Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem), e merrnin atë si shembull në të gjitha veprat e tyre, në ibadetet dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore, përpos në gjërat të cilat e dinin se janë veçori e tij, kështuqë i mësonin dispozitat rreth namazit, formën e namazit, shtyllat e namazit, duke ndjekur urdhërin e Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) i cili thotë: “Faluni ashtu siç më keni parë duke u falur.”[2]

Prej tij e mësonin haxhin, duke iu përgjigjur urdhërit të tij (sala Allahu alejhi ue sel-lem) i cili thotë: “Merrni prej meje haxhin tuaj (formën e haxhit).”

Bënin çdo gjë të cilën e bënte Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) dhe e lënin çdo gjë të cilën e lente i Dërguari i Allahut, duke mos e ditur shkakun se pse e bëjnë këtë, e as që e pyetnin për shkakun ose urtësinë e veprimit apo lënies së ndonjë vepre.

Ka nxjerrur Buhariu nga ibn Umeri (radijAllahu anhu) thotë: “Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) vuri një unazë të arit dhe njerëzit vurën unaza të arit, pastaj e hodhi (largoi) dhe tha: “Unë më asnjëherë nuk do ta vë.” Dhe njerëzit i hodhën unazat e tyre.”

Ka nxjerrur ebu Davudi nga ebu Sei’d el-Hudrij (radijAllahu anhu) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut duke u falur si imam me sahabet, i zbathi nallet e tija dhe i la nga ana e majtë e tij. Kur njerëzit (sahabet) e panë këtë, i zbathën nallet e tyre dhe kur Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) e mbaroi namazin e tij tha: Çfarë ju bëri që t‘i zbathni nallet tuaja?” Thanë: E pamë që i hodhe (zbathe) nallet tua dhe ne i hodhëm. Atëherë tha Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem): “Me të vërtetë, më erdhi Xhibrili (alejhi es-selam) dhe më lajmëroi se në to ka papastërti.”

Kështu ishte kujdesi i “gjeneratës së artë” për Sunnetin e Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) gjatë jetës së tij, pasim i plotë i tij dhe mos tejkalim i kufijve të tij, qoftë ajo ndalesë apo urdhër, dorëzim i plotë ndaj dispozitave të tija dhe përmbajtje në detaje për rrugën e tij.

Ndërsa pas vdekjes së Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) e shohim se sahabet kujdeseshin për Sunnetin nëpërmes pasimit të metodave të ndryshme, prej këtyre:

1- Mësimi përmendësh dhe vërtetimi i gjërave të mësuara përmendësh, derisa ndonjëri prej tyre udhëtonte një muaj të plotë për tu vërtetuar për autencititetin e një hadithi.

2- Shkruajtja e Sunnetit nëpër fleta, pastaj shpërndarja e këtyre shkrimeve mes njerëzve.

E gjithë kjo sipas një metodologjie shkencore dhe praktike, karakteristikë më e rëndësishme e së cilës mundet të jetë; ndjenja e përgjegjësisë për misionin e marrë mbi supe.

Sahabet ndjenjin përgjegjësinë e ruajtjes dhe praktikimit të Sheriatit mbi supet e tyre, pastaj kumtimin e saj tek Ummeti, duke e çuar në vend emanetin për të cilin ishin zgjedhur, edhe atë ashtu siç ua kumtoi i Dërguari i Allahut (sala Allahu alejhi ue sel-lem) atyre.

Sahabet ishin gjenerata më e mirë e cila e barti këtë dituri dhe më e mira e cila e kumtoi dhe kjo padyshim se ishte si rezultat i ndjenjës së përgjgjësisë që e kishin ata për këtë mision.

 

Muhamed Matar ez-Zehrani

Përktheu: Ali Ashani

[1] En-Nahl, 44

[2] Buhariu (631)

Të tjera