Kur’ani si gjykues në konfliktet mes besimtarëve

by Uniteti-Admin

Prej butësisë dhe mëshirës së Allahut është që ne jemi në fenë e Muhamedit (sal lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe është prej mëshirës së Allahut që ne jemi pasues të Fesë Islame e cila e ka nxjerrur njerëzimin prej territ në dritën e besimit dhe Muhamedi (sal lAllahu alejhi ue sel-lem) ishte ai cili i theu barierat ndërnjerëzore të bazuara në komb, racë apo gjuhë.

Muhamedi ishte Pejgamberi i cili u dërgua për të gjithë njerëzit në botë që të jetë mëshirues, përgëzues dhe qortues dhe që të jetë ai i cili e ndan të vërtetën prej të pavërtetës dhe që të jetë Kur’ani ndarësi mes të vërtetës dhe të kotës. Allahu e ka quajtur Kur’anin si “el Furkan” e që don të thotë ndarësi mes të vërtetës dhe të kotës.

Allahu e ka bërë Kur’anin si referencë për çdo mospajtim, thotë Allahu: “Nëse keni mospajtim për ndonjë çështje, kthehuni (për atë çështje ) tek Allahu dhe tek Pejgamberi nëse e besoni Allahun dhe Ditën e Fundit…” (en Nisaa)

Poashtu ka thënë Allahu: “Për Zotin tënd (O Muhamed) ata nuk kanë besuar përderisa nuk të marrin ty si gjykues në konfliktet mes tyre dhe më pastaj në brendinë e tyre nuk gjejnë mospajtim për atë që ke gjykuar dhe nuk dorëzohen me dorëzim të plotë (për atë që ti ke gjykuar)”. (en Nisaa)

Kjo fe e cila iu zbrit Muhamedit e ka emrin Islam dhe është feja e cila ka arritur që t’i bashkoj njerëzit e kombeve dhe racave të ndryshme në një besim në një Pejgamber dhe në një Libër.

Shumë armiq të Islamit mundohen që me fjalët dhe veprat e tyre t’a prishin imazhin e Islamit dhe t’a mbjellin mendimin tek njerëzit se kinse Islami është shkaku i përçarjeve në botë, mirëpo secili njeri i cili ka njohuri themelore në histori e din se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Për këtë nuk ka nevojë të bëjmë retrospektivë të ngjarjeve historike dhe të kthehemi në mesjetë apo në kohën e kryqëzatave, por vetëm mjafton që të lexojmë dhe të shohim ndodhitë historike të këtij shekulli dhe do t’a gjejmë se Luftën e Parë Botërore në të cilën janë vrarë miliona njerëz të fajshëm dhe të pafajshëm, të gjitha këta vrasje janë rezultat i përçarjeve nacionaliste, poashtu edhe Lufta e Dytë Botërore në të cilën janë vrarë dhjetëra milionë njerëz, nuk ka qenë Islami shkaktar i këtyre vrasjeve, por shkaktari i këtyre vrasjeve ka qenë urrejtja në bazë kombëtare dhe racore. Pra që të dyja luftërat botërore i kanë shkaktuar jomuslimanët.

Islami është fe e cila e dënon nacionalizmin dhe racizmin. Thotë Allahu: “Me të vërtetë më bujari prej juve është ai cili i ka më shumë frikë Allahut” (el Huxhuratë). Thotë Pejgamberi (sal lAllahu alejhi ue sel-lem): “Nuk ka përparsi arabi ndaj të huajit përveçse në devotshmëri”.

Është obligim që muslimanët t’a kenë frikë Allahun dhe për çdo mospajtim mes tyre t’a marrin si referencë Kur’anin dhe Sunetin, sepse çdo tentativë për të gjetur zgjidhje në diçka tjetër jashtë këtyre që i përmendëm është dështim dhe arbitrim në diçka që Allahu na ka ndaluar.

Thotë Pejgamberi (sal lAllahu alejhi ue sel-lem): “J’ua kam lënë dy gjëra nëse ju kapeni për ato, kurrë nuk do të devijoni, ato janë Libri i Allahut dhe Suneti i Pejgemberit të Tij”. (Transmeton Muslimi)

 

Enis Arifi

Të tjera