Kush ishte më i ditur?

by Uniteti-Admin
Kush ishte më i dituri?

Bismilah dhe elhamdulilah…

Shpesh kur flitet për diturinë, si kriter i diturisë së dikujt ceken librat dhe punimet që i ka përpiluar ky person dhe kjo padyshim që dëshmon për diturinë dhe aftësitë e jashtëzakonshme të këtij dijetari. Dhjetra, madje qindra libra nuk mund të jenë produkt i injorancës së dikujt, por këto punime dëshomojnë se ky person bartë me vetë një thesar të madh të diturisë dhe këtë gjë nuk e ka arritur me rehatinë e trupit dhe mendjes së tij.

Por, a nuk është poashtu e vërtetë se dijetarët e mëvonshëm kanë më shumë libra se dijetarët e hershëm?! Po, kjo është e vërtetë, pa asnjë dyshim…

Atëherë, pyetja e cila parashtrohet tek shumë njerëz që nuk e njohin realitetin e diturisë dhe historinë e saj në këtë Ummet është: Kush ishte më i ditur, dijetarët e selefit (të parët) apo ata që erdhën më vonë (halefi)? Kjo pyetje nuk parashtrohet kot, ngase te disa njerëz është pyetje tendencioze përmes së cilës dëshirohet nxjerrje e një konkluze dhe qëndrimi të caktuar, e ajo është: Nëse dijetarët e selefit kanë më pak dituri, atëherë pse ne jemi të obliguar ti pasojmë ata, përkundrazi duhet pasuar ata që na kanë lënë kaq trashigimi të madhe të diturisë dhe të librave.

Atëherë t’i përgjigjemi pyetjes tonë që u parashtrua: Kush ishte më i ditur?

Fillimisht duhet të këmi parasysh se përgjigja e dhënë nuk është për t’ia ulur vlerën dikuj, assesi, përkundrazi ne këtu flasim për imamët tonë, shembëlltyrat tona, qofshin prej selefit apo halefit dhe kjo gjë duhet të jetë tepër e qartë, sepse prej mënyrave të afrimit tonë kah Allahu është dashuria për miqtë e Tij, sidomos dashuria për dijetarët.

Kthehemi tek përgjigja edhe njëhërë…

Numri i madh i librave nuk është argument se dikush është më i ditur se një që nuk ka aq shumë libra. A nuk e sheh ti se të parët tonë, si Ebu Bekri, Umeri, Uthmani, Aliu, Zejd ibn Thabit, Muadhi, ibn Mesudi dhe të tjerët prej sahabeve të “mëdhenj” nuk kanë aq transmetime dhe mendime të dhëna sikurse ka ibn Abbasi, por secili prej tyre ishte shumë herë më i ditur se ibn Abbasi. Sahabet ishin me të ditur se tabiinët, këto të fundit ishin më të ditur se etba tabiinët dhe kështu me rradhë, e njejta vlen për çdo gjeneratë.

Thotë ibn Rexheb el-Hanbelij: “Shumë prej të vonshmive (dijetarëve) janë sprovuar me këtë (me sqarime të hollësishme), andaj menduan se ai që flet shumë (jep sqarime shumë), polemizon dhe debaton shumë në çështjet e fesë, është më i ditur se një që nuk është sikur ai. Kjo është injorancë e kulluar.” (Fadlu ilm esselef ala elhalef fq.62)

Nuk është kriter i vetëm i diturisë numri i madh i librave, ligjeratave, polemizimi dhe debatimi i bukur dhe gjëra tjera, të cilat fatkeqësisht më shumë sot se në kohën e ibn Rexhebit llogariten kantar për diturinë e dikujt.

Degjo ç’farë thonë imamat e tabiinve dhe atyre që erdhën pas tyre për diturinë e mësuesve të tyre, konkretisht për diturinë e sahabeve dhe tabiinve.

1- Thotë Muxhahid ibn Xhebr elMekkij, një prej imamëve të tabiinëve, shejhu i lexuesve të Kur’anit dhe mufessirinëve, imami muhaddith, fekihu asket, i cili ndërroi jetë në vitin 104 h. Thotë ky dijetarë: “Shkuan dijetarët, nuk kanë mbetur vetëmse pseudo dijetarët, ndërsa i zellshmi në mesin tuaj sot, nuk është vetëmse si ai që humbiste kohën tek ata që ishin para jush.” (Ettarikh elkebir i ibn ebi Hajtheme)

Ai me këtë retorikë të ashpër u drejtohet gjeneratës së tabiinëve dhe atyre që erdhën pas tyre, etba tabiinëve siç i quajmë, po të na shihte neve, ç’farë do të thoshte?!

2- Thotë Hammad ibn Zejd: E pyetën imamin e madh, zotëriun e fukahave dhe muhadithëve, Ejub esSekhtijani (131 h.): Dituria sot është më shumë apo më pak? Tha Ejubi: “Sot fjalët janë më shumë, ndërsa dituri dje (në të kaluarën) kishte më shumë.” (ElMearifeh ve ettarikh, elFesevi)

Subhanallah, sa shpesh e dëgjojmë këtë pyetje, madje shpesh nuk parashtrohet si pyetje, por si qëndrim i prerë, kinse i bazuar në argumente, andaj shpesh dëgjojmë të thuhet: Ja sot ka dituri, ja kur?! Dhe ai që i thotë këto fjalë vetëm përsërit dhe përcjell këto fjalë duke mos e ditur realitetin që bartin ato fjalë me veti. Sepse ne nuk flasim për akcesin që e kanë masa e gjërë në literaturë, por flasim për nivelin e bartësve të diturise dhe qëndrueshmërinë e saj tek njerëzit.

3- Ebu A’mr ibn A’la elBasri, tabiini i njohur, një prej shtatë imamave të kiraetit, më i dituri i kohës së tij rreth Kur’anit, tefsirit, kiraeteve, gjuhës arabe, morfologjisë, sintaksës, prozës dhe poezisë, kishte shkruar aq shumë libra, saqë librat e tij e kishin mbushur shtëpinë e tij deri në tavan, ndërroi jetë ky imam në vitin 154 h. Thotë ky dijetarë i madh: “Ne në krahasim me ata që jetuan, jemi sikur ajo bima që ritet rreth trungut të gjatë të palmës së hurmës.” (Teudih elEuham, Hatib elBaghdadi)

Ku e mësoi ky imam këtë modesti, apo ajo që e thotë nuk është modesti, por realitet?! Përpara se ta mëson modestinë prej mësuesve dijetarë, kuptoi realitetin dhe madhështine e atyre prej së cilëve merrte dituri, rrjedhimisht kuptoi realitetin e tij dhe realitetin e kolegëve dhe shokëve të tij. Allahu e mëshiroftë atë njeri që e njeh realitetin e vetes së tij.

4- Malik ibn Enes (179 h.), mendoj që shumica prej nesh e ka dëgjuar emrin e tij apo emrin e drejtimit juridik që e bartë emrin tij, “medhhebi malikij”. Thotë Maliku, Imami i Medines: “Ai i cili nuk i përputhet fjala me veprën, ka shumë fjalë, andaj ata (të parët) nuk flitnin shpejt dhe kot, pa rëndësi. Fjalët që thuhen për një muaj dikush (sot) i thotë për një orë, kurse Rebia ibn Huthejm ishte prej njerëzve me më pak fjalë.” (ElXhami’, ibn Ebi Zejd elKajravani)

Kështu imam Maliku e shihte realitetin e njerëzve në kohën e tij, shumë fjalë, për shumë pak kohë dhe pak vepra, sepse këto dyja janë të lidhura njëra me tjetrën, andaj kur tregonte për mësuesin e tij, Rebia ibn Huthejm, na tregoi se ai ishte i preokupuar me vepra, jo me fjalë, nuk kishte kohë për fjalë.

Pas këtyre dëshmive të këtyre katër imamëve, të cilët jetuan në vende të ndryshme dhe në periudha të ndryshme, edhe pse vdekja e secilit prej tyre ishte në shekulllin e dytë të hixhretit, pas gjith kësaj a mbetet hapsirë ta parashtrojmë pyetjen: “…”

Nuk e shkruaj sepse më vjen turp nga fjalët e këtyre dijetarëve, të cilët nuk krahasonin dijetarët e shekullit të katërt dhe të pestë apo edhe më vonë me sahabet dhe tabiinët, por krahasonin periudhën dhe gjendjen e kohës dhe njerëzve kur ata jetonin me dijetarët dhe imamat e sahabeve dhe tabiinëve.

Allahu qoftë i kënaqur me dijetarët tonë! Allahu qoftë i kënaqur me sahabet, tabiinët dhe të gjitha ata që i pasojnë deri në Ditën e Gjykimit.

O Allah mëshiroje gjendjen tonë.

Elhamdulilah.

Pjesë të këtij shkrimi janë marrë nga një libër i AbdulFettah ebu Guddeh, Allahu e mëshiroftë.

Ali Ashani

Të tjera