E kundërta e Teuhidit apo Njëshmërisë është Shirku.
Shirku është tre lloje:
1- Shirku i madh
2- Shirku i vogël
3- Shirku i fshehtë
Shirkun e madh All-llahu (subhanehu ue teala) nuk e fal dhe nëse veprat e mira janë të përziera me Shirk të madh, nuk pranohen. Ka thënë All-llahu i Lartësuar: ”Me të vërtetë All-llahu nuk e fal që t’i bëhet Shirk Atij dhe ia fal kujt të dojë çdo gjunah që është nën të (më i vogël se Shirku)”. (en Nisa 48) Dhe ka thënë: ”Kanë bërë kufër ata që thanë: ”All-llahu është ai, Mesihu, biri i Merjemes”, E vetë Mesihu tha: ”O beni Israil, adhurone All-llahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, sepse ai që i bën Shirk All-llahut, All-llahu atij ia bën haram hyrjen në Xhennet dhe vendi i tij është Zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës”. (el Maide,). Dhe ka thënë: “E Ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata dhe bëjmë atë hi e pluhur”. (el Furkanë, 23)
Poashtu ka thënë All-llahu i Lartësuar: “Nëse ti (o Muhamed) do të bëje Shirk, do të shkatërroheshin veprat e tua dhe do të ishe prej të dëshpruarve”. (ez Zumer 65)
Dhe ka thënë: “Nëse ata do të kishin bërë Shirk, do të ishte shkatërruar ajo që e kanë vepruar”. (el En’aamë 88)
Shirku i madh është katër lloje
Lloji i parë (Shirku në dua): Dhe argument për këtë është fjala e All-llahut ‘’Kur hipin ata (idhujtarët) në anije i luten sinqerisht All-llahut, e kur i shpëton ata (dhe dalin) në tokë ata përsëri bëjnë Shirk’’ (el Ankebut, 65).
Lloji i dytë (Shirku në nijet, Shirku i dëshirës dhe qëllimit). Argument për këtë është fjala e All-llahut: “Kush ka për qëllim jetën e kësaj bote dhe të mirat e saj, Ne do t’ua plotësojmë atyre shpërblimin e veprave të tyre në të dhe atyre nuk do t’u mungojë gjë. Të këtillëve në botën tjetër u përket vetëm Xhehenemi. Ajo që punuan dhe vepruan ata ka dështuar dhe është asgjësuar”. (Hudë, 15-16)
Lloji i tretë (Shirku në bindje): Dhe argument për këtë është fjala e All-llahut: ‘’Ata i morën Ahbarët (priftërijtë jehudij) dhe Ruhbanët (prifërijtë krishterë) e tyre dhe Mesihun birin e Merjemes për zotëra pos All-llahut, ndërsa ata nuk janë të urdhëruar përveç se të adhurojnë All-llahun Një, e që nuk ka të adhuruar pos Tij. I lartë është Ai nga ajo që i bëjnë Shirk’’. (et Teube 31). Dhe komenti në të cilin nuk ka kurrfarë problemi është se nuk ka bindje ndaj dijetarëve dhe adhuruesve të devotshëm kur bëhet fjalë për mosbindje ndaj All-llahut, ashtusiç ia ka sqaruar dhe ia ka bërë koment Pejgamberi (Paqja qoftë mbi të) Ajetin në fjalë kur e ka pyetur Pejgamberin Adij ibn Haatim dhe i ka thënë: “Ne nuk i kemi adhuruar ata” , në këtë ia përgjigjur Pejgamberi dhe i ka thënë:”Adhurimi i juaj ndaj atyre ka qenë kur ju u jeni bindur atyre kur ata ju kanë urdhëruar në mosbindje (ndaj All-llahut)”.
Lloji i katërt (Shirku në dashuri): Argument për këtë është fjala e All-llahut: “Ka prej njerëzve që në vend të All-llahut i marrin idhujt dhe i duan sikur (besimtarët që e duan All-llahun) All-llahun, por dashuria e atyre që besuan All-llahun është më e forte”. (el Bekare 165)
Shirku i vogël: Ky lloj nuk e nxjerr personin nga Feja, por është gjunah prej të cilit duhet të kemi kujdes. Shirku i vogël është Rijaa-ja që domethënë bërja e veprave për syefaqësi. Ka thënë All-llahu (subhanehu ue teala):”Dhe kush shpreson takimin me Zotin e vet le t’i bëj veprat me sinqeritet dhe mos t’i bëj Shirk Zotit të vet aspak”. (el Kehf 110)
Shirku i fshehtë: Argument për këtë është fjala e Pejgamberit: “Shirku në këtë Ummet është sikurse ecja e milingonës së zezë mbi gurrin e zi në erësirën e natës’’ Duaja të cilën e ka bërë Pejgamberi është: ”O Zoti im kërkoj që të më mbrosh që të mos bëj Shirk duke ditur dhe kërkoj falje për gjunahet që nuk i di”.
Nga: Muhamed ibn AbdulUehhab et Temimi
Përktheu: Enis Arifi