Loti i çmueshëm i dijetarit

by Uniteti-Admin
loti i çmueshëm

Bismilah dhe elhamdulilah…

Imam Neveviu në librin e tij Bustan el-A’rifin, në fund të librit ka cekur të dhëna dhe histori rreth disa prej dijetarëve prej së cilëve ai kishte mësuar, apo edhe prej atyre që kishin jetuar edhe para tij.

Por, një rast interesant, madje tepër interesant është rasti që ai e transmeton nga shejhu dhe mësuesi i tij Dajauddin el-Muradij, i cili i ka rrëfyer Neveviut për hoxhën e tij dhe dijetarin e madh AbdulAdhim el-Mundhiri, emër të cilin shumica prej neve e ka lexuar ose e ka dëgjuar. El-Mundhiri lindi në Kajro në vitin 581 h. dhe vdiq në të në vitin 656 h.

Ky imam, tregon se ka shkruar më shumë se 90 vepra dhe ka punuar në më shumë se 700 prej librave dhe dorëshkrimeve të hadithit. E gjithë kjo nuk është rezultat i jetës së një njeriu i cili kohën e tij nuk e çmonte dhe nuk e shfrytëzonte, përkundrazi, thotë el-Muradij, mësuesi i Neveviut: “Nuk dilte nga medreseja, as për ngushëllim, as për urim dhe as për relaksim, për asgjë. Përpos për namaz të Xhumasë, të gjithë kohën e tij e kalonte në dituri, Allahu qoftë i kënaqur me të, me prindërit tonë dhe me të gjithë muslimanët.”

Po, kjo ishte gjendja e disa prej dijetarëve tonë, andaj gati se nuk ka libër në të cilin ka hadithe dhe mos të përmendet në të emri i el-Mundhiri, Allahu e mëshiroftë. Por, ka edhe diç më interesante lidhur me të…

Taxhuddin es-Subkij shënon në librin e tij “Tabekat esh-Shafiije” biografinë e imam el-Mundhiri, ndër tjerash thotë: “Në fund të jetës së tij jepte mësim në (medresenë) Dar el-hadith el-kamilije dhe dilte prej saj vetëm për namaz të Xhumasë. Ai kishte një djalë të zgjuar, muhadith i respektuar, Reshiduddin Ebu Bekr Muhammed, i cili vdiq në vitin 643 h., ishte një prej gjenive të urtë, vdiq gjatë jetës së të atit, që t’ia shumfishon shpërblimet. Shejhu (el-Mundhiri) ia fali xhenazen brenda medresesë dhe e përcolli deri tek dera e saj, pastaj i lotuan sytë dhe tha: Të lë Allahut emanet, o biri im! Pastaj u nda prej tij.”

Pas birit të tij jetuan njerëz të cilët kishin nëvojë për librat e tij, kishin nevojë që ai dhe të tjerët si ai, çdo moment të jetës së tyre ta shkrijnë në shërbim të Librit të Allahut dhe Sunetit të Pejgamberit, sala Allahu alejhi ue selem. Ata që erdhën pas tij dhe prej tyre jemi edhe ne, vlerësuan këtë qëndrim dhe durim të tij, u erdhi keq për lotët e tij, për zemrën e thyer të një babe për birin e tij të zgjuar, por e kuptuan atë, qëndrimin dhe sakrificën e tij, ngase ai ishte prej atyre që ia kishin dhënë besën Allahut se do ta çojnë në vend emanetin e marrur.

Loti i tij nuk shkon kot, ngase ne sot bëjmë dua dhe themi: O Allah për çdo lot të derdhur të tij, kompensoja këtij imami ashtu siç din Ti.

Allahu e bashkoftë atë me të birin e tij dhe na bashkoftë neve me të dyt dhe me të gjithë të dashurit tonë, në Firdeusin e Allahut, me Imamin e dijetarëve dhe shëmbëlltyrën e adhuruesve, Muhamedin salaAllahu alejhi ue selem.

Ali Ashani

Të tjera