Mbledhja dhe shkrimi i Sunetit

by Uniteti-Admin

Është përdorur shkrimi në kohën e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) gjatë shkrimit të asaj që i ka zbritur prej Kur’anit dhe për këtë shkak Pejgamberi ka marë disa sahabë si shkruajtës, kështuqë i tërë Kur’ani është shkruajtur përpara Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në materiale të ndryshme siç janë: gurët, në copa druri, në lëkura të thata dhe në copa të posaçme të drurit të pallmave. Kur i ka zbritur Pejgamberit shpallja, ka urdhëruar Pejgamberi që të shkruhet ajeti dhe ai ajet cilës sure i përket. Vazhdoi kështu të shkruhet Kur’ani derisa vdiq Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Nuk vdiq Pejgamberi përderisa Kur’ani veçmë ishte i mbledhur dhe i shkruajtur komplet dhe i ruajtur nga ana e Allahut (subhanehu ue teala).

Ndërsa Suneti nuk është mbledhur në një vend ashtusiç është mbledhur Kur’ani dhe as që ka urdhëruar Pejgamberi që të mblidhet oficialisht në kohën e Pejgamberit ashtu siç është mbledhur Kur’ani.

Dijetarët i kanë përmendur disa shkaqe se pse nuk është mbledhur Suneti (hadithet) në kohën e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe prej atyre shkaqeve veçojmë:

  • Dihet se pas fillimit të shpalljes së Kur’anit Pejgamberi ka jetuar në mesin e sahabëve njëzet e tri vite dhe mbledhja dhe shkrimi i të gjitha fjalëve dhe veprave të tija do të ishte rëndë për sahabët, ndërsa dihet se një shumicë e sahabëve nuk kanë ditur që të shkruajnë, ata që kanë ditur shkrimin kanë qenë një pakicë. Përkushtimi më i madh këtyre sahabëve që kanë ditur shkrimin ka qenë shkrimi i Kur’anit dhe jo i Sunetit derisa ta shkruajnë komplet Kur’anin duke mos i mangësuar asnjë shkronjë.
  • Prej shkaqeve që nuk është shkruajtur dhe as nuk është mbledhur Suneti në kohën e Pejgamberit është frika që mos t’ju përzihet njerëzve Kur’ani me hadithet dhe frika që muslimanët e asaj kohe mos të bëjnë dallim mes ajeteve Kur’anore dhe haditheve të Sunetit, veçanarisht në atë kohë kur Kur’ani ishte ende duke zbritur. Ia shtojmë kësaj edhe faktin se arabët e asaj kohe ishin shumica analfabet dhe ata arabë që e pranonin Islamin shumica e tyre u mbështetnin në fuqinë e të mbajturit mend, pra në atë çka ata e mësonin përmendësh prej Kur’anit. Kur’ani zbriste pjesë-pjesë dhe i ndarë në ajete dhe në kaptina, gjë që shumë e lehtëson mësimin përmendësh të Kur’anit, ndërsa Suneti është shumë më i gjerë në krahasim me Kur’anin, sepse Suneti përfshin jetën e Pejgamberit në të gjitha aspektet e jetës nga fillimi i shpalljes së Kur’anit dhe deri në vdekjen e tij.

Pra sikur të ishte mbledhur Suneti ashtusiç është mbledhur Kur’ani do të duhej që sahabët ta mësojnë Sunetin përmendësh ashtusiç e mësuan Kur’anin. Mirëpo çfarë të themi rreth fjalës së Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Mos shkruani prej mua diçka përveç Kur’anit dhe nëse dikush shkruan, le ta fshin”. (Muslimi) Ky hadith, d.m.th hadithi i Ebu Sei’d el-Hudrij është ndoshta hadithi i vetëm i vërtetë në të cilin i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ndalon nga shkrimi i fjalëve dhe veprimeve të tija. Në të kundërtën e kësaj janë transmetimet në të cilat përmendet shkrimi i haditheve, prej transmetimeve të sakta në këtë kuptim janë disa rivajete:

–       Nga Ebu Hurejre: “Nuk ka ndonjë prej sahabeve që din më tepër hadithe se unë, përpos Abdullah ibn A’mr, sepse ai shkruante , kurse unë jo…” (Buhariu).

–       Nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut ka thënë pas çlirimit të Mekkes: “Shkruani (fjalët e mija) Ebu Shahit” (Buhariu).

–       Nga Abdullah ibn A’mr: Shkruaja çdo gjë që e ndëgjoja prej Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)… tha i Dërguari i Allahut: “Shkruaj, se pasha Atë në Dorën e të cilit është shpirti im, nuk del prej gojës time përpos se e vërteta” (Ebu Davudi, Ahmedi, Darimiu). Në këtë kuptim janë transmetuar edhe hadithe tjera, përpos këtyre që i përmendëm, mirëpo shumica e tyre janë të dobët.

Dijetarët kanë përmendur disa mënyra të bashkimit mes këtyre transmetimeve të kundërta apo që duken në sy të parë si të kundërta:

  1. Ndalesa ka qenë në fillim dhe shkakun për të e kemi përmendur më lartë, d.m.th që njerëzit mos e përziejnë Kur’anin me hadithet e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), mirëpo kjo ndalesë pastaj është deroguar me hadithet tjera, d.m.th kjo quhet derogim i Sunetit me Sunet, ky është mendimi i Ibn Kutejbes, Er-Ramehurmuzi, El-Hatabi etj.
  2. Ndalesa ka qenë që mos të shkruhet hadithi në të njejtin vend (fletë) me Kur’anin, ky është mendimi i El-Hatabit, Hatib El-Bagdadi etj.
  3. Ndalesë vlen për atë që mbështetet vetëm në shkrimin e haditheve duke mos i memorizuar ata, e ka përmendur këtë mendim Hatibi në “Takjiid el-Ilm”. Ekzistojnë edhe mendime tjeta të dijetarëve rreth kësaj çështje, mirëpo këta janë mendimet më të njohura dhe njëkohsisht më të pranueshme.

Ndërsa në kohën e katër halifeve të drejtë nuk është shkruajtur diçka prej hadithit nga frika që njerëzit mos t’i marin hadithet se janë pjesë e Kur’anit. I pari i cili e nxiti këtë çështje ishte Umeri (radijAllahu anhu) i cili e dha si propozim që të shkruhet diçka prej Sunetit, me këtë rast ai u konsultua ma sahabët dhe e mori mendimin e tyre dhe ata propozuan që Suneti të shkruhet, mirëpo Umeri në fillim vendosi që Suneti të mblidhet dhe të shkruhet, mirëpo e ndëroi mendimin nga frika se njerëzit do ta humbin Librin e Allahut dhe do ta përziejnë Atë me Sunetin.

Por në të njëjtën kohë sahabët ishin ata që e kishin mësuar Sunetin prej mësuesit më të mirë të njerëzimit, prej Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe sahabët ishin ata që e njihnin Sunetin plotësisht dhe e praktikonin atë dhe nuk ishte problematik transmetimi i haditheve në mënyrë të shëndoshë, të saktë dhe autentike. Nga ana tjetër dihej se një pjesë e madhe e tokave të çliruara që e kishin pranuar Islamin ishin ende “të rinjë” në Islam dhe nëse në atë kohë u shpërndahej Suneti në formë të shkruar së bashku me Kur’anin ndoshta do të kishte ndodhur që njerëzit të bien në huti se cila është hadith dhe se cila është Kur’an. Në këtë vazhduan edhe halifet tjerë pas tij derisa erdhi si halife Umer ibn AbdulAzizi i cili urdhëroi që Suneti të mblidhet dhe të shkruhet dhe në këtë mënyrë përfundoi koha e sahabëve të cilët nuk mblodhën prej Sunetit përveçse pak prej haditheve dhe ky njëherit është një prej shkaqeve që Suneti nuk është përzier me Kur’anin.

Përgatiti: Enis Arifi

 

Të tjera