Të jetosh në perëndim, Hixhabi është bërë një tregues i fuqishëm identifikues te shumë jomusliman duke e parë atë si një deklaratë politike. Megjithatë, është e udhës të theksohet se Hixhabi parasëgjithash është një akt adhurimi dhe veprim i ndërmarrë nga gratë për të arritur kënaqësinë e All-llahut.
Definicioni i Hixhabit është ashpër i kontestueshëm nga shumë musliman dhe shumica e atyre që përfshihen në këtë temë janë të pavetëdijëshëm se ajo është shumë mirë e definuar dhe përcaktuar nga Legjislacioni Islam, nga Sheriati dhe nuk është vetëm zakon kulturor ose ide e ndokujt se ç’është modestia, ose si duhet të jetë ajo.
Në diskutim për Hixhabin, juristët Islam kanë përcaktuar një numër të caktuar të kushteve që ajo të jetë apo të quhet Hixhab në kuptimin Islam. Shkurtimisht, këto kushte janë që veshja e tyre patjetër duhet të mbulojë tërë trupin në mënyrë që mos të dallohet forma e trupit dhe materiali nuk duhet të jetë aq i hollë që të jetë i tejdukshëm dhe të shihet nëpërmjet materialit. Veshja nuk duhet t’i përngjan veshjes së meshkujve, e as veshjes se jobesimtarëve. Ajo nuk duhet të jetë tërheqëse për meshkujt dhe gratë nuk duhet të parfumosen në publik. Qëllimi themelor i Hixhabit është të ndalojë Fitnen. Femrat të cilat janë atraktive për nga natyra tërheqin shikimet e meshkujve e cila gjë shpije në një mëkat tjetër edhe më të madh, si kurvëria dhe tradhëtia bashkëshortore. All-llahu urdhëron gratë të mos shfaqin zbukurimet dhe as mos të shfaqin ndonjë formë sjelljeje e cila mund të tërheq vëmendjen e meshkujve All-llahu thotë :
“Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, baballarëve të vet ose baballarëve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmendën) dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbetorëve nga meshkujt të cilët nuk ndiejnë nevojë për femrat ose fëmijët që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra. Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për ta zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre. Pendohuni të gjithë te All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim”.[1]
Sheriati gjithashtu ndalon të folurit e grave me butësi apo zbukurim të zërit, esencialisht për të njëjtën arsye – të parandalohet fitneja. All-llahu thotë:
“O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse kini kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thuani fjalë të matura.
Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme, faleni namazin, jepeni zeqatin dhe respektojeni All-llahun dhe të dërguarin e Tij. All-llahu ka për qëllim që nga ju, o familje e shtëpisë (së Pejgamberit) të largojë ndytësinë e mëkateve dhe t’ju pastrojë me pastrim.”[2]
Ashtusiç edhe tregojnë ajetet, All-llahu ndalon gratë e Pejgamberit të nxisin epshin e burrave të dobët dhe duke marrë parasysh këtë shkak efektiv që ka të bëjë me epshin e cila gjindet kudo, atëherë kjo porosi duhet patjetër të aplikohet gjithashtu edhe tek gjithë gratë tjera.
Në fakt, dijetarët nga shkollat e ndryshme juridike të cilëve u përkasin, ndalojnë ngritjen e zërit së gruas në publik, qoftë kjo edhe gjatë shqiptimit të telbijes gjatë haxhit ose gjatë ezanit (thirrjes për namaz) ndërmjet grave. Sheriati gjithashtu ndalon vizitën e meshkujve tek gratë e vetmuara dhe të qëndrojnë të vetmuar me to. Gjithashtu është e ndaluar që meshkujt të shikojnë në gratë e huaja. All-llahu thotë :
“Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. All-llahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata.”[3]
Në rrugët e Londrës, Amsterdamit dhe nëpër qytetet e tjera të mëdha në Evropë jemi dëshmitarë të mbulesave të ndryshme Jo-Islamike. Pantollona të ngushta, çizme të gjata të lëkurës me take të larta dhe bluza të ngushta me shami në kokë, janë duke u promovuar si lloj i Hixhabit nga shumë muslimane të reja dhe në moshë mesatare. Shamitë të zbukuruara gjithashtu janë një formë e mbulesës e parë si “Hixhab në përpuethshmëri me Sheriatin”. Por në të vërtetë, mënyra se si shumica e grave muslimane zbukurojnë Hixhabin (Mbulesën) e tyre, humbet i tërë qëllimi i vet Hixhabit. Veçmas kësaj, gratë e perëndimit janë tepër të dhëna pas tërhjeqjes të interesit dhe vëmendjes së meshkujve. Duket sikur shumë nga motrat tona muslimane janë të ndikuara nga kjo dhe kanë filluar që të mbathin veshje që të tërheqin admirimin e “vëllezërve” në një mënyrë tejet joshëse.
Një nga problemet kryesore është limitimi i hixhabit sikur të jetë vetëm manifestim i identitetit të grave muslimane. Kur Franca ndaloi Hixhabin, ata e shihnin atë sikur një simbol fetar pa arritur që të kuptojnë mënyrën, kuptimin e ibadetit (adhurimit). Sidoqoftë, është fatkeqësi të shohësh se si shumë muslimanë e trajtojnë Hixhabin thjesht si një formë e identitetit dhe pasiqë përfaqësimi simbolik është arritur, domosdoshmëria për tu kryer kjo vepër në mënyrë që i plotëson kushtet e përcaktuara nga All-llahu është e neglizhuar. Kjo është një nga vlerat e dënuara që shumë musliman perendimorë pa dije e kanë adoptuar. Ne duhet të kuptojmë që praktika Islame përfshirë këtu edhe veshjen e Hixhabit janë veprime të ibadetit (adhurimit). Qëllimi i tyre është për të kënaqur All-llahun, shmangien nga mosbindja ndaj All-llahut dhe fitimin e shpërblimit në mënyrë që të arrijmë gradë të lartë në Parajsë. All-llahu thotë:
“(Përkujto edhe këtë) Kur atyre iu tha: “Banoni në këtë fshat (vendbanim) dhe hani nga (frutat e tij) kah të doni e thuani: “Falje” dhe në derë hyni të përulur, se Ne do t’ua falim mëkatet tuaja dhe do t’ua shtojmë edhe më punëmirëve!”[4]
Në keqkuptimin e qëllimit rrënjësor të hyrjes në Parajsë, ne humbim edhe në këtë jetë dhe në jetën e përtejme si edhe çdo qëllim tjetër është i konsideruar nga Sheriati si i vetmi i kësaj bote. Shpërblimi i atyre që synojnë këtë botë u jepet në këtë botë dhe s’kanë asnjë shpërblim pas vdekjes. All-llahu thotë:
“Kush ka për qëllim jetën e kësaj bote dhe të mirat e saj, Ne do t’ua plotësojmë atyre shpërblimin e veprave të tyre në të, dhe atyre nuk do t’u mungojë gjë.”[5]
Ky është një gabim i madh ku shumë musliman rëshqasin gjatë praktikimit të shumë veprave Islame. Qëllimi i duhur gjatë veshjes së Hixhabit është hapi i parë dhe kryesor drejt zgjidhjes së këtij problemi. Duhet të theksohet se duke shfaqur shqetësimin për këtë formë të Hixhabit josheriatik, nuk duhet të kuptohet si dekurajim i grave muslimane të cilat e veshin këtë lloj të Hixhabit të mangët, por kjo duhet të shërbej si inkurajim për gratë muslimane që të veshin mënyrën korekte të Hixhabit, ashtusiç e parasheh Sheriati. Qëllimi i këtij artikulli është i shtyrë nga dëshira për përmirësim dhe progres dhe jo të nxis gratë të largojnë mbulesat e tyre plotësisht.
Disa muslimanë thonë se ne nuk duhet të jemi strikt në thirrjen për respektimin e duhur të shumë adhurimive Islame në perëndim dhe si të këtillë ne duhet të inkurajojmë gratë muslimane që të bëjnë aq sa munden, pa kritikë, madje edhepse disa nuk e kompletojnë respektimin e tillë. Padyshim ne pajtohemi në inkurajimin e grave muslimane që të bëjnë aq sa kanë mundësi, por përmirësimi i gabimeve apo përmirësimi i adhurimeve Islame është obligim për ata që e dijnë të vërtetën.
Në të vërtetë është rasti që shumë motra janë krejtësisht injorante rreth kushteve valide të Hixhabit sipas Sheriatit, prandaj bie detyra tek ne që të rrisim vetëdijësimin për kushtet legale dhe karakteristikat e mbulesës korekte. Dituria është shërimi për shumë nga gabimet tona. Këshillimi i motrave të cilat pa dyshim veshin Mbulesën nga nijeti (qëllimi) i mirë, si dhe edukimi i prindërve të tyre për këtë çështje, është hap tjetër drejt zgjidhjes së kësaj çështje. Do të ishte ide e mirë të printohen dhe shpërndahen fletushka të cilat përshkruajnë Hixhabin autentik, në mënyrë që të kuptohet Hixhabi si diçka më shumë sesa një mbulesë koke.
Heithem el-Haddad
Përktheu nga anglishtja: Jeton Xheladini