Prej cilësive më të këqija që mundet t’i ketë një njeri dhe e cila mundet të jetë shkak e jolumturisë në këtë botë dhe në Ahiret, është mendjemadhësia. Kjo sëmundje e bën njeriun të jeton në një iluzion të cilin e krijon ai në mendjen e tij, e jeton një jetë iluzionare, ku si rol kryesor dhe personazh më të rëndësishëm është ai vetë. Është cilësi, pasojat e së cilës njeriu i sheh si në jetën e tij të përditshme, poashtu edhe në jetën e tij fetare. Kanë thënë dijetarët se mendjemadhësia është gjendje psiqike ku njeriu bëhet narcist dhe e madhëron veten e tij[1], poashtu disa kanë thënë se mendjemadhësia është madhërimi i vetes së njeriut, pëlqimi i veçorive të veta, nënçmimi i njerëzve dhe ngritja ndaj atij para të cilit duhet të jesh modest…[2]
Nuk ka nevojë për shumë filozofi ta kuptojmë se kjo cilësi e bën njeriun të urrejtur te të tjerët, andaj si të këtillë Allahu e ka bërë prej cilësive më të urrejtura tek Ai dhe e ka përmendur në Kur’an, në shumë ajete si shkak i largimit të njeriut nga e vërteta. Thotë Allahu duke e treguar gjendjen e udhëheqësit të mendjemëdhenjve, Iblisit:
((وَإِذْ قُلْنَا لِلْمَلَائِكَةِ اسْجُدُوا لِآدَمَ فَسَجَدُوا إِلَّا إِبْلِيسَ أَبَىٰ وَاسْتَكْبَرَ وَكَانَ مِنَ الْكَافِرِينَ))
“Dhe kur u thamë engjëjve: bini në sexhde Ademit, ata menjëherë iu përulën, me përjashtim të Iblisit (djallit). Ai rrefuzoi, u bë mendjemadh dhe u bë pabesimtar.”[3] I tha Auf ibn Adullahu një ditë Fadl ibn Muhel-leb-it: “Dua që të të këshilloj me diçka: Ruaju mendjemadhësisë, sepse ajo është mëkati i parë që e ka bërë Iblisi ndaj Allahut”, pastaj lexoi ajetin e lartëpërmendur.[4] Kjo cilësi është shkaku kryesorë i shkatërimit të popujve të mëparshëm. Populli i Nuhit (alejhi es-selam) nuk e ka pranuar mesazhin e këtij profeti për shkak se janë bërë mendjemëdhej ndaj tij dhe ndaj pasuesve të tij, tregon Allahu për ata, ashtu siç ka thënë Nuhi (alejhi es-selam):
((وَإِنِّي كُلَّمَا دَعَوْتُهُمْ لِتَغْفِرَ لَهُمْ جَعَلُوا أَصَابِعَهُمْ فِي آذَانِهِمْ وَاسْتَغْشَوْا ثِيَابَهُمْ وَأَصَرُّوا وَاسْتَكْبَرُوا اسْتِكْبَارًا))
“Dhe sa herë që unë i thirritja ata për t’ua falur Ti mëkatet, ata i vënin gishtat e tyre në veshë dhe i mbulonin kokat me teshat e tyre dhe vazhdonin në atë të tyren me një mendjemadhësi të fortë.”[5] Poashtu populli i A’dit u bënë mendjemëdhej derisa menduan se nuk ekziston dikush apo diçka që mundet t’i mposht, tregon Allahu për ata dhe thotë:
((قَالَ الْمَلأُ الَّذِينَ اسْتَكْبَرُواْ مِن قَوْمِهِ لِلَّذِينَ اسْتُضْعِفُواْ لِمَنْ آمَنَ مِنْهُمْ أَتَعْلَمُونَ أَنَّ صَالِحًا مُّرْسَلٌ مِّن رَّبِّهِ قَالُواْ إِنَّا بِمَا أُرْسِلَ بِهِ مُؤْمِنُونَ. قَالَ الَّذِينَ اسْتَكْبَرُواْ إِنَّا بِالَّذِيَ آمَنتُمْ بِهِ كَافِرُونَ))
“Krerët kryelartë nga populli i tij u thanë atyre që ishin më të dobët e që kishin besuar: “A e dini se me të vërtetë Salihu është i dërguar nga Zoti i tij?” Ata thanë: “Vërtetë, ne jemi besimtarë të asaj me çka është dërguar”. Ata,të kryelartët thanë: “Ne jemi mohues të asaj që ju i besuat”.”[6] Këto janë vetëm disa shembuj konkret, ku popuj të tërë janë bërë prej banorëve të zjarrit vetëm për shkak se nuk e kan përulur kokën përpara të vërtetës. Allahu poashtu në Kur’an ka përmendur popuj tjerë dhe si shembull i njohur te të gjithë është tregimi i faraonit që jetoi në kohën e Musait (alejhi es-selam). Kjo cilësi është prej shkaqeve kryesorë i largimit të njerëzve dhe neglizhimit të tyre ndaj fesë së Allahut, thotë Allahu:
((سَأَصْرِفُ عَنْ آيَاتِيَ الَّذِينَ يَتَكَبَّرُونَ فِي الأَرْضِ بِغَيْرِ الْحَقِّ وَإِن يَرَوْاْ كُلَّ آيَةٍ لاَّ يُؤْمِنُواْ بِهَا وَإِن يَرَوْاْ سَبِيلَ الرُّشْدِ لاَ يَتَّخِذُوهُ سَبِيلاً وَإِن يَرَوْاْ سَبِيلَ الْغَيِّ يَتَّخِذُوهُ سَبِيلاً ذَلِكَ بِأَنَّهُمْ كَذَّبُواْ بِآيَاتِنَا وَكَانُواْ عَنْهَا غَافِلِينَ))
“Unë do t’i zbraps nga argumentet e Mia ata të cilët pa pasur drejtë bëjnë kryelarësi në tokë, të cilët edhe nëse shohin çdo argument nuk besojnë, dhe nëse shohin rrugën e shpëtimit, nuk e pasojnë atë rrugë, nëse e shohin rrugën e gabuar atë e marrin rrugë. Këtë (verbërim të tyre), për shkak se ata i konsideruan të rreme argumentet Tona dhe për shkak se i lanë pas dore ato.”[7] I gjithë ky largim nga lumturia dhe feja e Allahut në këtë botë, nuk bie përpos se dhimbje dhe agoni në botën tjetër, thotë Allahu:
((وَيَوْمَ يُعْرَضُ الَّذِينَ كَفَرُوا عَلَى النَّارِ أَذْهَبْتُمْ طَيِّبَاتِكُمْ فِي حَيَاتِكُمُ الدُّنْيَا وَاسْتَمْتَعْتُم بِهَا فَالْيَوْمَ تُجْزَوْنَ عَذَابَ الْهُونِ بِمَا كُنتُمْ تَسْتَكْبِرُونَ فِي الأَرْضِ بِغَيْرِ الْحَقِّ وَبِمَا كُنتُمْ تَفْسُقُونَ))
“E në ditën kur ata që nuk besuan paraqiten pranë zjarrit (e u thonë): Ju i shfryëzuat të mirat në jetën e dynjasë dhe i përjetuat ato, kurse sot, për shkak se keni bërë mendjemadhësi në tokë pa të drejtë dhe për shkak se nuk respektuat urdhërat e Zotit, do të shpërbleheni me dënim nënçmues.”[8] Thotë Pejgamberi (sala Allahu alejhi ve sel-lem): “Nuk do të hyjë në Xhennet ai i cili në zemrën e tij ka edhe sa një grimcë mendjemadhësi”, po, ashtu është, nuk hyn në Xhennetet e Allahut ai që ka edhe kaq pak mendjemadhësi. Është rëndë me këtë fjalë të Pejgamberit (sala Allahu alejhi ve sel-lem) t’i testojmë njerëzit, përshkak se sot gjejmë shoqëri të tëra, marëdhëniet mes së cilëve janë të ndërtuara mbi baza të arogancës dhe mendjemadhësisë, lusim Allahun që të na ruaj nga çdo veti e keqe. Një ditë prej ditëve i Dërguari i Allahut (sala Allahu alejhi ve sel-lem) ua përshkruajti sahabeve banorët e Xhennetit dhe Xhehennemit, ku për grupin e dytë tha: “A tju tregoj për banorët e zjarrit? Çdo arogant keqbërës dhe mendjemadh.”[9]
Thotë Umeri (radijAllahu anhu): “Robi kur bëhet modest për hir të Allahut, Allahu ia ngrit kokën.”[10]
Ka thën Vehbi (Allahu e mëshiroftë): “Allahu kur e krijoi Xhennetu A’dn-in, shikoi kah ai dhe tha: Ti je haram për çdo mendjemadh.”[11] Thotë Ebu Uthman en-Nejsaburi: “Nuk ka lënë dikush praktikimin e diçkaje nga Sunneti, përpos se si shkak i mendjemadhësisë së tij, kështuqë zemra e tij xhvishet nga realiteti i pasimit të Pejgamberit (sala Allahu alejhi ve sel-lem), andaj vazhdon me mendjemadhësinë dhe dobësinë e Imanit të tij derisa ta prish fenë e vet, duke menduar se është duke bërë mirë.”[12] Thotë Ibn Tejmije: “Mendjemadhësia e agjëson ralitetin e adhurimit ndaj Allahut…”[13]
Disa prej dijetarëve kanë këshilluar atë që është sprovuar me këtë cilësi të keqe me disa gjëra, prej tyre p.sh:
– Përkujtimi i vetvetes për pasojat që vijnë si rezultat i kësaj sjellje dhe ndjenje.
– Vizita e të sëmurve dhe atyre që janë në shtratin e vdekjes. Kjo për shkak se njeriu kur i sheh njerëzit tjerë në gjendje dobësie, ku nuk u bën dobi asgjë përpos Allahut, pastaj sjellja e mirë e krijesave tjera me ta.
– Largimi nga shoqërimi i mendjemëdhejve.
– Lypja falje dhe hallallëk prej atyre që ndoshta ka treguar ndaj tyre ndonjë lloj arrogance dhe mendjemadhësie.
– Shoqërimi me njerëz të mirë dhe modest, etj.[14]
Lusim Allahun që të na përmirëson dhe ta bëj sjelljen dhe edukatën tonë të ngjashme me sjelljen dhe edukatën e Imamit të moralshmive dhe të edukuarve, Muhammedit (sala Allahu alejhi ve sel-lem), dhe lutja jonë e fundit është: Hamdi i takon vetëm Allahut!
Përgatiti: Ali Ashani
[1] Taxh el-A’rus 8/14.
[2] Tehdhiib el-Ahlak i El-Xhahidh fq.32.
[3] El-Bekare 2:34.
[4] Mefatiih el-Gajb 3/645.
[5] Nuh 71:7.
[6] El-Ea’raf 7:75-76.
[7] El-Ea’rafë 7:146.
[8] El-Ahkaf 46:20.
[9] Buhariu 4918 dhe Muslimi 2853.
[10] Ibn Ebi Shejbeh 7/96.
[11] Ihjaa ulum ed-din 3/338.
[12] Iktidaa es-Sirat el-Mustekim 2/120.
[13] El-U’budije fq.99.
[14] Enciklopedia e moralit, dorar.net.